ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Kjo rini shqiptare, me të vërtetë, është një krenari kombëtare

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli 

____

Universiteti i Prishtinës njoftoi javën që kaloi, atë që u quajt në portalin e këtij institucioni të lartë të dijes në Republikën e Kosovës, “Një arritje historike e studentëve”, të kësaj qendre të njohur akademike shqiptare. Bëhet fjalë, pra, për një grup të zgjedhur studentësh të Fakultetit Juridik të këtij Universiteti, të cilët përfaqësuan Universitetin e Prishtinës në garën ndërkombëtare, “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, ku morën pjesë mbi 350- universitete botërore. Objektivi i kësaj gare është të trajnojë liderët e ardhdshëm më të mirë në fushën e drejtësisë dhe në metodat e zgjidhjeve alternative të konflikteve.

Arritja e studentëve shqiptarë cilësohet si historike se ata kanë zenë vendin e tretë  duke arritur të dilnin të tretët më të mirë në botë, nga radhët e disa qindra universitetesh botërore; ndër më të njohurat ndërkombëtarisht, që morën pjesë në këtë garë prestigjoze botërore. Ishin, pra, këta studentët e Universitetit të Prishtinës, të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës që shkëlqyen në Vjenë të Austrisë!

Kjo garë nuk është do-si-do, por është gara më e madhe botërore në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit – është pra një garë serioze në fushën e drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, me të drejtë Universiteti i Prishtinës e cilëson suksesin e studentëve të vet në skenën ndërkombëtare, si një arritje “historike, e cila ngre lart punën e studentëve tanë dhe emrin e Universitetit të Prishtinës, si dhe na bën të gjithëve shumë krenarë”, siç thuhet në deklaratën e Universitetit shtetëror të Kosovës.

Ky grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës i bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jemi. Ndaj i dërgojmë atyre secilit/secilës, trajnerëve të tyre dhe Universitetit të Prishtinës urimet dhe përgëzimet me të sinqerta:  Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe trajnerëve të tyre: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. Suksesi i tyre është një triumf i vërtetë për ta si individë, për entin akademik, që ata përfqësojnë, për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët. E para e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani shprehu krenarinë e saj të veçantë për këtë grup studentësh shqiptarë dardanë, duke nënvijuar se ajo kishte trajnuar shumë prej tyre, në të kaluarën.

“Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.  Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë. Prandaj sot, në prezencë të disa prej ish- pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë të udhëhequra nga Donikë Qerimi e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të studentëve, shprehëm sërish mbështetjen dhe krenarinë tonë për studentët tanë”, -ka shkruar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani në faqen e saj fejsbuk.

Në ceremoninë e zhvilluar javën që kaloi në presidencë, mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier, i cili në faqen e ambasadës amerikane në Republikën e Kosovës, uroi grupin e studentëve të universitetit të Prishtinës për suksesin e tyre në skenën botërore: “Urime grupit të Kosovës që mori pjesë në garën Moot Court për suksesin e tyre në skenën botërore. Të gjithë ne celebrojmë arritjet e tyre, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë krenare për suksesin e tyre pasi për një kohë të gjatë kanë ndihmuar studentët juridikë të Kosovës për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, përfshirë edhe këtë”,- thuhet në urimin e Ambasadorit amerikan në Prishtinë. U.S. Embassy Pristina, Kosovo

Ndër urimet e shumta në drejtim të grupit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës ishte edhe Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Republikës së Kosovës, Zonja Albulena Haxhiu, e cila shprehu krenarinë e të gjithëve për këtë grup të talentuar studentësh juridikë shqiptarë. Ata, “Na bënë krenarë të gjithëve”,- tha ajo. “Ata na treguan edhe njëherë potencialin që ka rinia jonë. Ata janë shembulli më i mirë i përkushtimit, punës së palodhur dhe talentit bashkë me trajnerët e tyre të palodhshëm, të cilët i përgëzoj, po ashtu. Performancë fantastike ekipi ka treguar që në garat përgatitore. Faleminderit që po e vendosni Kosovën në hartat e suksesit”, -është shprehur, me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Me shembëllin e tyre, ky grup studentësh të talentuar të Kosovës dardane, të pakën në nivelin e kësaj gare ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë, me suksesin e tyre i treguan vetes, por edhe brezit të shokëve e shoqeve studentë/studente si dhe rinisë shqiptare, në përgjithësi, se megjithë vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon aktualisht rinia shqiptare dhe Kombi shqiptar, në përgjithësi, ka ende forca të mëdha në gjirin e këtij populli të lashtë e të vuajtur, që frymëzojnë! Megjithëse sot shqiptarët gjënden ende përballë pasojave të një errësire të kaluar shekullore të komunizmit sllavo-aziatik dhe luftërave çfarosëse të armiqve të kombit kundër shqiptarëve, ky grup studentësh shqiptarë, me suksesin e tyre në këtë garë, na jep shpresë se fuqia krijuese nuk u shterret kurrë shqiptarëve. Ata kanë nevojë vetëm për liri dhe mundësi veprimi e shkollimi dhe mund të garojnë me më të mirët e botës. Edhe përballë vështirësive të jetës, shpresa nuk i ka lënë kurrë shqiptarët. Se këta studentë u treguan kolegëve të vet ndërkombëtarë në garën e Vjenës se kur shqiptarët, megjithëse për dekada, të mbërthyer në një errësirë shekullore, të cilës nuk i shihej fundi, sot në liri dhe kur u jepet mundësia, ata ndriçojnë dhe shpërndajnë rreze drite e qytetërimi -edhe në skenën ndërkombëtare – duke bërë krenar Kombin shqiptar, të cilit i përkasin, me të gjithë aftësinë intelektuale, si dhe me fisnikërinë dhe me zgjuarsinë e tyre intelektuale.

I takon kësaj klase politike aktuale; e mbërthyer në konflikte të brendshme të pakuptimta e të pafund për dekada tani, në dëm të interesave të Kombit dhe të brezave të ardhshëm anë e mbanë trojeve shqiptare, që t’i japë rinisë shqiptare liritë, mundësitë, drejtësinë dhe ligjet e nevojshme, për të përparuar dhe për t’u zhvilluar në vendin e vet. Mundësisht, për të ndaluar shpërnguljen katastrofike në masë e më të mirëve të Kombit. Me këto politika zhgënjyese në veprim tani për klasën politike të këtyre dekadave të fundit historia ka rezervuar dënime të rënda, nëqoftëse nuk ndryshoni drejtimin dhe rrugën e gabuar që i kini dhënë Kombit, para se të jetë tepër vonë.

U lumtë studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe iu priftë për së mbari! Suksese dhe përparime gjithmonë paçin – në nivel kombëtar e ndërkombëtar – si edhe në jetën personale dhe në veprimtarinë e tyre profesionale në shërbim të shoqërisë ku jetojnë, aty në Dardaninë e vjetër e në Kosovën e Re. Por edhe në shërbim për të mirën dhe në interes të mbarë Kombit Shqiptar, të cilin ju e përfaqësuat aq denjësisht në garën ndërkombëtare “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë! Shpresa e Kombit është se brezi i juaj, më në fund, do të jetë ai që bën “Ndryshimin e Madh” për të cilin shpiptarët kanë pritur me shekuj!

Studentët e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Juridik, që morën pjesë në garën“Ëillem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë para një jave, duke zenë vendin e tretë midis mbi 350-universiteteve botërore.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu