* Një analizë e bërë në maj 2024!
“Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”, kështu ka thënë Presidenti i 32’të i SHBA’ve, Franklin D.Roosvelt (1882-1945)
Në betejat e partive politike për pushtet gjithmonë parimet kanë qenë formale, ndërsa kalkulimet dhe pazaret gjatë rrugës janë bërë krejtësisht normale!
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, siç është presioni i “miqve” për themelimin e Zajednicës, takimi i Kryeministrit Albin Kurti me Kryetarin e PDK-së Memli Krasniqin (më 13 maj 2024), i cili bëri zhbllokimin e votimit të shumë marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, të cilat ishin bllokuar prej kohësh, dhe vizitat e politikanëve të PDK-së e VV-së në Hagë (Memli Krasniqi vizitoj Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin më 17 prill 2024, ndërsa Glauk Konjufca më 11 maj 2024 vizitoj Rexhep Selimin), janë shenja se, për zgjedhjet e radhës (për të cilat po flitet shumë), me “vendim” të liderëve që po gjykohen në Hagë, mund të ngjizet një koalicion i ri: LVV – PDK, nëse lidershipi i VV’ës dhe PDK’ës e kultivojnë tash e tutje një gjuhë të afrimit e jo të përjashtimit!
Të gjitha këto veprime politike nuk ndodhin aksidentalisht, siç thotë presidenti amerikan Roosvelt, sepse bëhen në “koordinim” me “miqtë” e politikës për të dalë nga ky ngërç, që lidhet veçanërisht me dialogun e pafund me Serbinë!
Për mendimin tim në zgjedhjet parlamentare, që priten të mbahen në fund të këtij viti ose më së largu në shkurt të vitit 2025, LVV’ja e ka të pamundur t’i fitoj mbi 50 % të votave, (sikur në zgjedhjet e shkurtit 2021), prandaj nëse vazhdon të ruhet gjuha e komunikimit normalë (pa tensione) midis partive, është i mundur një koalicion i ardhshëm: LVV – PDK, si dy parti të mëdhaja shqiptare, plus minoritetet (pa minoritetin serb)!
Rrjedhimisht vetëm një koalicion i shumicës shqiptare mund të përballet me sfidat e ardhshme që e presin Kosovën, veçanërisht pas zgjedhjeve të nëntorit 2024 në SHBA, ku pritet të fitoj Donald Trump, karshi plakut Joe Biden, i cili tashmë e ka humbur edhe ekuilibrin psikofizik!
Që të jetë koalicioni LVV – PDK… i qëndrueshëm, Kryeministër i Qeverisë së re duhet të jetë Bedri Hamza (PDK), ndërsa Albin Kurti (i VV-së) të marrë postin e presidentit, pas përfundimit të mandatit nga Vjosa Osmani, në shkurt – mars të vitit 2026! Ose posti i Kryeministrit të bëhet me rotacion: dy vjet Bedri Hamza, dy vjet Albin Kurti, ndërsa për pozitën e Presidentit, me pajtim të palëve të zgjidhet Murat Jashari!