Paulin Z. Zefi, historian, Lezhë
Fitoret e njëpasnjëshme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane, fama dhe reputacioni i tij gjithnjë në rritje si një udhëheqës ushtarak i pathyeshëm, krijimi i aleancave politiko-ushtarake me shtete të rëndësishëm dhe thirrjet e vazhdueshme të papëve (Nikolla V, Kaliksti III dhe Piu II) drejtuar vendeve katolike për t’iu bashkuar kryqëzatës antiosmane, bënë të mundur që në Arbëri të vijnë me qindra e mijëra ushtarë nga vendet e Europës Perëndimore, por edhe disa kapitenë dhe komandantë të njohur, të cilët ju bashkuan ushtrisë arbëre. Këto kontingjente përbëheshin nga kryqtarë, vullnetarë dhe luftëtarë aventurierë, por sidomos nga reparte të rregullt me kalorës dhe këmbësorë, që u dërguan në Arbëri prej monarkëve aleatë. Në vjeshtën e vitit 1449, si pjesë integrale të forcave ushtarake që luftonin nën urdhërat e Prijësit Arbër gjatë luftës për çlirimin e kështjellës së Sfetigradit, gjejmë plot 4.200 ushtarë të huaj: 1.200 veta të dërguar nga mbreti i Napolit, Alfonsi V i Aragonës, dhe 3.000 luftëtarë aventurierë nga vende të ndryshme të Europës (1). Burimet e kohës përmendin reparte me kryqtarë gjermanë, italianë, sllavë dhe frëngë (2). Këta të fundit përfaqësoheshin nga një repart artilerie prej 50 vetash dhe kishin marrë përsipër të drejtonin disa makineri të vogla rrethimi për të goditur muret e kështjellës (3). Kryqtarët gjermanë dhe italianë ishin të pajisur me armë zjarri të tipit arquebus dhe me akrepë (hagrepë) dhe ndërsa sllavët, të cilët ishin bashkuar vullnetarisht me ushtrinë arbëre nga dëshira për të grumbulluar plaçkë, ishin mjaft të njohur për aftësitë e tyre në përdorimin e shpatës (4). Praninë e trupave të huaja në rradhët e ushtrisë arbëre e gjejmë edhe nëpër garnizonet e kështjellave kryesore të Shtetit të Lidhjes së Lezhës dhe sidomos në Krujë. Gjatë luftës heroike për mbrojtjen e këtij qyteti gjatë Rrethimit të Parë nga sulltan Murati II Kodja, në peridhën kohore 14 maj – 26 tetor të vitit 1450, garnizoni i kështjellës, i cili luftoi nën komandën e Vrana Kontit, përbëhej nga 1.500 ushtarë (5), prej të cilëve: 1.100 veta ishin arbër dhe 400 të tjerët ishin kryqtarë italianë, gjermanë, dalmatë (kroatë) dhe frëngë. Prandaj, sa herë që Vrana Konti mbante fjalime përpara të gjithë efektivit në fjalë, sipas M.Barletit, ai u fliste “në gjuhë shqipe e italike, herë vetë dhe herë me përkthyes (6)”. Ushtarët arbër ishin të famshëm për aftësitë e tyre të spikatura në përdorimin e harkut me shigjeta, por gjithashtu edhe në përdorimin e shpatës në luftimet trup më trup. Ndërsa ushtarët italianë, gjermanë, dalmatë dhe frëngë, ishin të specializuar në përdorimin e armëve të zjarrit dhe për këtë arsye atyre ju besuan mjetet e artilerisë, pushkët dhe mjetet e ndryshme piroteknike. Duhet theksuar se 30 topat e vegjël të artilerisë mbrojtëse, rezulton të jenë përdorur kryesisht prej artiljerësh frëngë (7). Në mesin e ushtarëve perëndimorë të garnizonit të Krujës, M.Barleti i thur veçanërisht lavdi një reparti prej 60 pushkatarësh gjermanë (arkebuxhierë), që, të nxitur nga “furor teutonicus”, dhe të përzier me ushtarë arbër guxuan të dilnin jashtë mureve të kështjellës dhe të ndërmerrnin sulme të fuqishme, duke iu shkaktuar turqve osmanë humbje të pazakonta (. Disfata e turpshme që pësoi sulltan Murati II Kodja në muret e Krujës dhe në Arbërinë e Mesme gjatë fushatës së udhëhequr prej tij më 1450, mori një jehonë të jashtëzakonshme në çdo cep të Kontinentit Plak. Menjëherë pas këtij triumfi të shumëpritur të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, drejt Arbërisë vërshuan me qindra e mijëra kryqtarë dhe luftëtarë aventurierë nga vendet e Europës Perëndimore, të cilët dëshironin të luftonin nën udhëheqjen e tij. Burimet e kohës japin njoftime të bollshme mbi praninë në vendin tonë të ushtarëve italianë, spanjollë, frëngë, gjermanë, anglezë etj. Ndërsa pas nënshkrimit të Traktatit të Gaetës ( 26 mars 1451) midis Alfonsit V të Aragonës dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte një veprim strategjik i llogaritur mirë nga ky u fundit, në Arbëri do të dërgoheshin herë pas here, jo vetëm ndihma financiare dhe armatime, por sidomos trupa ushtarake për të mbështetur luftën kundër Perandorisë Osmane. Më 31 maj të vitit 1451, Alfonsi V i Aragonës dërgon në Arbëri 2 oficerë dhe 100 këmbësorë së bashku me një “komisar” të vetin me emrin Bernard Vaquer, të cilët u vendosën në kështjellën e Krujës (9). Pak më vonë këtij kontingjenti të vogël do t’i shtohen edhe 100 këmbësorë të tjerë nga Mbretëria e Napolit. Më 22 shkurt të vitit 1454, krahas ndihmës financiare që i bashkangjitej asaj të Papës (3.000 dukatë dhe disa gjërave me vlerë prej 1.000 dukatësh), Alfonsi V i dërgon Gjergj Kastriotit-Skënderbeut një repart me 500 këmbësorë (10). Më 22 maj të vitit 1455, me qëllim për të mbështetur rrethimin e Beratit, Alfonsi V, dërgoi në Arbëri 1.200 këmbësorë, nën komandën e kapitenit napolitan, Antonio de Palerino, 500 kalorës të komanduar nga Tezeo Savello së bashku me Sancto Garrillo dhe po ashtu, disa reparte artilerie të pajisur me 18 topa (11). Përveç ndihmës së dhënë prej Alfonsit V, osmanologu më i besueshëm turk, Halil Inalcik, shton se Heroi jonë Kombëtar, asokohe ishte përkrahur edhe nga frëngët, gjermanët, serbët dhe anglezët, të cilët ishin inkurajuar nga Papa (12: Napali’yi ziyaret ettikten sonra 1455 yazında 1 000 kişilik bir Napoli kuvvetinin de yardımıyla Berat’ı kuşattı […]. Fransız, Alman, Sırp, ingiliz gibi çeşitli milletlerden maceracılar papanın teşvikiyle gelip bu kuwetlere katılmışlardı). Pavarësisht disfatës që ushtria arbëro-napolitane pësoi pranë Beratit më 26 korrik 1455, si rezultat i paaftësisë së Antonio de Palerinos dhe Muzakë Topisë, Afonsi V i Aragonës nuk e ndërpreu dërgimin e trupave të armatosur në ndihmë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në fillim të muajit janar 1456, ai dërgoi në Arbëri Rinaldo del Duce me një kontigjent këmbësorësh, më vonë Jean de Soto, me një kontigjent shtesë, që përbëhej nga harkëtarë dhe në muajin mars dërgoi harkëtarë të tjerë nën komandën e gjermanit, Gisbert Rafon (13). Gjatë pranverës së vitit 1456, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ju dërguan nga Mbretëria e Napolit rreth 1.000 kalorës (14). Po ashtu, në pranverën e vitit 1456 në Arbëri mbërrin edhe kasneci i Filipit të Mirë, dukës së Burgonjës, me 50 ushtarë, të cilët u inkorporuan në ushtrinë arbëre për të shërbyer aty për një vit (15) dhe ky kontigjent i vogël, por shumë cilësor, komandohej nga kalorësi frëng me emrin Montreal. Një pjesë e forcave ndihmëse të dërguar nga Alfonsi V u angazhuan në rradhët e ushtrisë arbëre në betejën e dytë të Oranikut, më 20 maj 1456. Njoftimet e kohës vënë në dukje se repartet e pushkatarëve, që ishin të pajisur me arkebuzë, luftuan nën komandën e drejtpërdrejtë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke dhënë një ndihmesë mjaft të çmuar. Vetëm 4 ditë përpara zvhillimit të kësaj beteje, më 16 maj 1456, Papa Kaliksti III kishte caktuar kalorësin e njohur anglez dhe kamerlengun e Alfonsit V të Aragonës, John of Newport, si komisar papnor për Arbërinë, Bosnjën dhe Skiavoninë. Një vit më vonë, John of Newport mori pjesë në betejën e Albulenës, më 2 shtator 1457, ku komandoi një repart me harkëtarë dhe balestrierë nga Britania, të cilët i kishte sjellë në Arbëri dëshira për të luftuar nën komandën e Udhëheqësit të saj të lavdishëm. Historiani mason, David Harrison, i cili njihet ndërkombëtarisht si eksperti akademik kryesor në studimin e “Freemasonry”, në studimin e tij me titull “Skanderbeg and the English Adventurer, John Newport (Skënderbeu dhe aventurieri anglez John of Newport – P.Z.)”, e pohon se John of Newport, më 1457, ka udhëhequr një grup harkëtarësh profesionistë anglezë dhe ndoshta edhe wellsianë të pajisur me “Harkun e gjatë anglez (16).” Po i njëjti autor, shton se, pavarësisht se ka pak të dhëna dokumentare mbi jetën e John of Newport, shërbimi i tij për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun sigurisht që paraqet një pasqyrë se si veprimtaritë ose sipërmarrjet ushtarake të Skënderbeut u respektuan shumë nga qarqet e tjera ushtarake europiane dhe se si ai tërhoqi pranë vetes komandantët e tjerë europianë për t’i shërbyer ushtarakisht (17). D. Harrison, konkludon se harkëtarët anglezë që ishin në ndihmë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vitin 1457 dhe prania e John of Newport, dëshmon rëndësinë e fushatave ushtarake të Skënderbeut kundër turqve si jetike për mbijetesën e Europës (18). Tre muaj pasi arriti në Romë lajmi i fitores së shkëlqyer në betejën e Albulenës, që padyshim është edhe më e shënuara për Arbnorin e Madh, Papa Kaliksti III, me anën e një dekreti pontifikal, që mban datën 23 dhjetor 1457, e emëroi atë “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë” në luftë kundër Perandorisë Osmane (19). Kësisoj, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u bë pika kryesore e referimit për të gjithë Botën e Krishterë dhe tashmë shërbimi ushtarak i çdo luftëtari të krishterë nën urdhërat e tij, pikë së pari konsiderohej si obligim shpirtëror, por sidomos një privilegj i veçantë. Shpërthimi i luftës Veneto-Osmane (1463-1479), lutjet e Senatit Venecian dhe nevoja jetike për krijimin e një fronti të përbashkët antiosman, solli afrimin e pashmangshëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Republikën Veneciane. Pasi prishi marrëveshjen e paqes me sulltan Mehmetin II Fatih, ai siguroi prej venecianëve ndihma të ndryshme dhe sidomos dërgimin në vendin tonë të një kontingjenti ushtarak. Në vitin 1464, në Arbëri, gjendet komandanti venecian, Antonio da Cosenza ose Cimarosta, në krye të 1.000 trupave mercenare veneciane (500 kalorës dhe 500 këmbësorë), të cilët u inkorporuan në ushtrinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ata do të marrin pjesë në betejën e zhvilluar pranë Ohrit më 14 gusht 1464 dhe po ashtu gjatë rrethimit të këtij qyteti në muajin shtator të po këtij viti. Ndërsa në vitin 1465, nën urdhërat e tij do të angazhohet një kontingjent me trupa napolitane (kryesisht arkebuxhierë) të dërguar prej Ferdinandit të Aragonës, dhe prania e tyre përmendet në betejat e zhvilluara kundër ushtrive osmane të komanduara nga renegati arbër, Ballaban Pashë Badera, në Vajkal, në Meçad dhe në Fushën e Sfetigradit. Në vitet 1466-1467 vërehet një prani e shtuar e trupave veneciane, sepse shumë prej tyre i gjejmë të inkuadruar në garnizonin e kështjellës së Krujës nën komandën e ushtarakut të njohur venecian, Baldassare Perducci, dhe princit e komandantit arbër, Tanush Topia. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, si pjesë integrale e garnizonit të Krujës ishte edhe një repart me 200 balestrierë dhe arkebuxhierë napolitanë të dërguar nga Ferdinandi i Aragonës (20). Në pranverën e vitit 1467, ushtrisë së përbërë prej 13.400 vetash dhe të komanduar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përveç trupave të udhëhequr nga Leka III Dukagjini, Nikollë Dukagjini dhe atyre veneciane me në krye Nikollë Monetën, iu bashkuan edhe 500 këmbësorë italianë (21). Ndërsa, më 26 tetor 1467 Senati Venecian do të miratojë vendimin për dërgimin e menjëhershëm të 1.000 këmbësorëve, të cilit ia kishte premtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që më 28 korrik të atij viti (22) dhe kjo ngjarje shënon ndihmën e parafundit me trupa ushtarake ndihmëse të dërguar nga Republika Veneciane. Kontigjenti i fundit ndihmës iu dërgua pak përpara zhvillimit të betejës së Kirit, më 14 janar të vitit 1468, dhe trupat veneciane që u angazhuan në këtë betejë ishin pjesë e garnizonit të kështjellës së Shkodrës. Prandaj si përfundim, mund të thuhet se teza që mbizotëron prej vitesh në historiografinë tonë zyrtare ku i mëshohet pambarimisht mendimit se ndihmat me forca ushtarake të vendeve perëndimore në shërbim të luftës antiosmane të popullit arbër nën udhëheqjen e Heroit tonë Kombëtar ishin të papërfillshme, madje inekzistente, është tërësisht e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me të “Vërtetën histotike”, e cila pasqyrohet shumë qartë në burimet e shumta dokumentare dhe në veprat e autorëve bashkëkohës.
BIBLIOGRAFIA:
1)- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f.205-206.
2)- L. de Meneses, Exemplar de virtudes morales en la vida de Jorge Castrioto, llamado Scanderbeg, Principe de los Epirotas, y Albaneses, Offrecido a la ilustre juventud portuguesa, Lisboa, En la officina de Miguel Deslandes, Año 1688, f. 120.
3)- M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f.236; J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, f.186; Shih edhe J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.246.
4)- C.C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 168.
5)- Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. 2002. f. 413; Sh.Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 97; A.K.Brackob, Scanderbeg: A History of George Castriota and the Albanian Resistance to Islamic Expansion in Fifteenth Century Europe, f. 84; K.Frashëri, Skënderbeu, Jeta dhe vepra, f. 166; K.Biçoku, Skënderbeu, f.124.
6)- M.Barleti, vep. cit. f. 255.
7)- H. Hodgkinson, Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero, f. 104.
8)- M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 259-260; Shih edhe J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.248.
9)- Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 27-28, Doc. Nr. 47.
10)- Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 43, Doc. Nr. 76.
11)- J.Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f. 138; Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 53, Doc. Nr. 93.
12)- H. İnalcık, İskender Bey, Diyanet İslam Ansiklopedisi, 2000, cilt. 22, f. 561-563.
13)- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f.110-111.
14)- R.Fabrini, Scanderbeg, f. 65.
15)- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f.111.
16)- D. Harrison, Skanderbeg and the English Adventurer, John Newport, March 27, 2019…
17)- Po aty …
18)- Po aty …
19)- F.Hadri, Skënderbeu në historiografinë evropiane, f.108; Shih edhe K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra, f.357; Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh, f.. 243.
20)- O.J.Schmitt, Skënderbeu, f.372.
21)- D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 191.
22)- G.Valentini, Skënderbeu dhe Papati, f. 433; Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 205-206, Doc. Nr. 380.
Paulin Z. Zefi
Lezhë: 29.12.2021