ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Komiteti NOBEL 2021: Liria e fjalës, parakusht për demokracinë dhe paqën e qëndrueshme

Shkrime relevante

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Traditat Ilire-Arbërore, po prehen kirurgjikisht nga antishqiptarizmi islamik

Nga: Engjell Gishti, historian  TRADITA ILIRO - ARBERORE, PAGANE DHE E KRISHTERE...

Vjosa Osmani, “kush kërcen, kafja falas…!”

Shkruan : Refiqe R.Hamiti ___ VJOSA OSMANI, KUSH KËRCEN ,KAFJA FALAS "S'ka ku...

Shpërndaj

Në foto:Dy fituesit e Çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov (Rusia) Maria Messa (Filipinet).

Nga: Frank Shkreli

Komiteti norvegjez Nobel njoftoi javën e kaluar se Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, janë gazetarët që fituan çmimin Nobel për Paqë për vitin 2021. Duke njoftuar fituesit e këtij çmimi prestigjoz për paqe, Komiteti Nobel tha se çmimi i këtij viti për paqe, tregon se e drejta e lirisë së fjalës është nën kërcënim, në mbarë botën. Komiteti Nobel i Norvegjisë vendosi t’u jap Çmimin Nobel për Paqe këtyre dy gazetarëve të guximshëm, Maria Messa dhe Dmitry Muratov me motivacionin: “Për përpjektet e tyre në mbrojtje të lirisë së të shprehurit, që është një parakusht për demokracinë dhe paqën”.

Në njoftimin për media që lëshoi Komiteti Nobel me këtë rast thuhej se Zonjushës Ressa dhe Zotit Muratov po u jepet Çmimi Nobel për Paqë për luftën e tyre të guximshme në mbrojtje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi. Njëkohësisht, theksohet në atë njoftim, “të dy këta përfaqësojnë të gjithë gazetarët të cilët mbrojnë këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e fjalës dhe liria e shtypit po përballen, gjithnjë e më shumë, me kushte të vështira veprimtarie”. Zonjusha Messa ka ushtruar me guxim lirinë e fjalës për të zbuluar dhe për të demaskuar publikisht abuzimet e qeveritarëve, dhunën që përdoret dhe autoritarizmin në rritje e sipër në atdheun e saj, Filipinet. Ndërsa për meritat e gazetarit rus, Dmitry Andreyevich Muratov, Komiteti Nobel thekson se për dekada tani, ai ka mbrojtur vendosmërisht lirinë e fjalës në Rusi, “Me një qëndrim thellësisht kritik ndaj pushtetit në Rusi, gjithmonë përballë kushteve gjithnjë e më të vështira veprimi”, thuhet në njoftim. Në vitin 1993, Muratov ishte njëri prej themeluesve të gazetës Novaya Gazeta dhe nga vitit 1995 ai ka vazhduar të jetë Kryeredaktor për 24 vjet i kësaj gazete, që sot për sot, është gazeta më e pavarur në Rusi. “Gazetaria e bazuar në fakte dhe në integritetin profesional të këtij organi mediatik e kanë bërë atë një burim të rëndësishëm informacioni…që mbulon subjekte për të cilat askush tjetër nuk flet as nuk shkruan, duke filluar nga korrupsioni, dhuna policore, arrestimet e paligjshme, mashtrimet në zgjedhje e deri tek përdorimi i forcave ushtarake ruse brenda dhe jashtë Rusisë”, vlerëson Komiteti Nobel, punën e gazetës ruse Novaja Gazeta dhe kryeredaktorin e saj Muratov.

Gjatë gjithë kësaj kohe, thuhet në njoftimin e Komitetit Nobel, kundërshtarët e Novaja Gazeta janë përgjigjur ndaj profesionalazmit të gazetës me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe vrasje. Që nga fillimi i gazetës, gjashtë gazetarë të saj janë vrarë, përfshirë Anna Politkovskaja që shkroi artikuj zbulues mbi luftën në Çeçeni, thuhet në njoftimin e Nobelit. “Pavarësisht vrasjeve dhe kërcënimeve, kryeredaktori Muratov ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës. Ai ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar çfarëdo që duan për çfarëdo që duan, për sa kohë që ato përputhen me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë”, thuhet të njoftimin e Komitetit Nobel.

Në njoftimin e dhënjes së Çmimit Nobel për Paqe gazetares filipinase Maria Messa dhe gazetarit rus, Dmitry Muratov, theksohet rëndësia që Komiteti Nobel i kushton të drejtës së lirisë së fjalës dhe lirisë së gazetarit për të bërë punën e vet, bazuar në etikën dhe standardet gazetareske, duke thenë se, “Gazetaria e lirë, e pavarur dhe e bazuar në fakte, shërben për të mbrojtur shoqërinë kundër abuzimit nga pushteti, si dhe ndaj gënjeshtrave dhe propagandës së luftës. Komiteti Norvegjez i Nobelit është i bindur se liria e shprehjes dhe liria e informacionit ndihmojnë për të siguruar një publik të informuar mirë. Këto të drejta janë parakushtet thelbësore për demokracinë dhe mbrojnë shoqërinë nga lufta dhe konflikti. Dhënia e Çmimit Nobel për Paqe këtë vit — gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov — ka për qëllim të nënvizojë rëndësinë që i duhet kushtuar mbrojtjes së këtyre të drejtave themelore. “Pa lirinë e shprehjes dhe pa lirinë e shtypit, do të jetë e vështirë të promovohet, me sukses, vëllazërimi midis kombeve, çarmatimi dhe promovimi i një rendi më të mirë dhe më të sukseshëm botëror në epokën tonë”, përfundon mesazhin e vet Komiteti Nobel.

Ndër reagimet e para ndaj dhënjes së Çmimit Nobel gazetarëve Maria Messa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, erdhi nga Këshilli i Evropës. Enti i lartë evropian, theksoi rëndësinsë e fjalës së lirë, si një nga vlerat më të çmuara të Evropës. “Liria e fjalës është një nga vlerat më themelore dhe më të dashura të kontinentit tonë, siç pasqyrohet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut. Mbrojtja e gazetarëve është një përparësi për Këshillin e Evropës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Evropës, në emër të 49 shteteve anëtare. “15 vjet pas vdekjes së Anna Politkovskaya, ne jemi veçanërisht të kënaqur që Komiteti Nobel ka njohur punën guximtare të Dmitry Muratov dhe gazetës së tij, Novaya Gazeta, në nxjerrjen në dritë të shkeljeve serioze të drejtave të njeriut në kontinentin evropian”, thuhet në reagimin e Këshillit të Evropës, nepëmjet zëdhënses së këtij enti.

Një zë i rëndësishëm ndërkombëtar që mirëpriti dhënjen e Çmimit Nobel për Paqe gazetarëve Messa dhe Muratov ishte edhe Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,(OKB) Z. Antonio Guterres, i cili tha se Çmimi Nobel i Paqës për dy gazetarët mbrojtës dhe promovues të fjalës së lirë, është një njohje se liria e shtypit është, “jetike për paqën, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe për të drejtat e njeriut – por edhe si gur themel për krijimin e institucioneve të drejta dhe të paanshme”, është shprehur, me këtër ast, Sekretari i Përgjithsëm i OKB-së. Udhëheqsi i organizatës më të madhe botërore, duke i uruar fituesit e Çmimit Nobel për Paqe ka thënë se, “Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lirë dhe e drejtë nëqoftse nuk ka gazetarë që duhet dhe mund të hetojnë gabimet dhe abuzimet e zyrtarëve qeveritarë dhe shtetërorë dhe pa gazetarë që t’u sjellin qytetarëve informcionin e nevojshëm dhe, njëkohësisht, t’i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e tyre”, ka theksuar Antonio Guterres i OKB-ës.

Edhe organizatat ndërkombëtare, mbrojtëse të fjalës së lirë dhe të drejtave të gazetarëve, anë e mbanë botës, siç janë, “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në Nju Jork dhe “Reporterët pa Kufij”, me qëndër ë Francë – kanë pritur mirë Çmimin Nobel për paqë dhenë dy gazetarëve në fjalë. Drejtori i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon, u shpreh se, “Dimtry Muratov dhe Maria Messa personifikojnë vlerat e lirisë së shtypit si dhe arsyet se pse këto vlera janë të rëndësishme. Këta janë gazetarë të kërcnuar personalisht dhe megjithkëtë ata vazhdimisht kundërshtojnë me guxim censurën dhe shtypjet ndaj përhapjes së lirë të lajmeve, ndërkohë që me puën e tyre kanë shërbyer si shembuj për tu ndjekur nga gazetarë të tjerë”, ka thënë ai. Dhënja e Çmimit Nobel pë Paqe është një njohje dhe miratim i fuqishëm i punës së tyre të palodhur si dhe të gazetarëve anë e mbanë botës, në përgjithësi. Lufta e tyre, është lufta jonë”, ka thenë Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon nga Nju Jorku.

Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) që është një agjenci federale e pavarur dhe që drejton disa rrjete mediatike, përfshir “Zërin e Amerikës”, uroi gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov duke thenë se ata, “janë shembuj të guximit, integritetit dhe profesionalizmit që nevojitet për të raportuar faktet, në disa prej rajoneve të botës ku liria e fjalës është më e shtypur se kudo tjetër.”

Këto janë vetëm disa prej urimeve dhe reagimeve botërore që po i paraqes këtu sa për ilustrim, drejtuar dy gazetarëve guximtarë që fituan Çmimin Nobel për Paqe. Me urimet dhe komentet e tyre, udhëheqësit dhe entet e ndryshme botërore, me këtë rast, theksuan gjithashtu edhe nevojën për mbrojtjen e lirisë së fjalës së lirë si, një domosdoshmëri për një demokraci të vërtetë dhe paqë në shoqëri, shtet dhe në mbarë botën.
Ndryshe nga bota shqiptare prej ku nuk hetova ndonjë urim për dy gazetarët as reagim pozitiv — reagimet dhe urimet qenë të shpejta nga udhëheqës botërorë si dhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që ia duan të mirën lirisë së shtypit, e të cilët, për vite e dekada luftojnë në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të gazetarisë së lirë, anë e mbanë botës. Të gjithë e mirëpriten vendimin e Komitetit norvegjez që me këtë Çmim dhenë dy gazetarëve – po njohin më në fund rëndësinë që ka ushtrimi i fjalës së lirë në shoqëri si një “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe”.

Fatkeqsisht, ndryshe nga bota perëndimore, mungesa e ndonjë urimi nga Shqipëria dhe Kosova kuptohet deri diku, pasi të dy këto shtete klasifikohen në raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si “gjysëm të lira”. Pjesërisht, për këtë klasifikim është përgjegjës mënyra se si trajtohet/keqtrajtohet liria e shtypit në të dy shtetet shqiptare. Sot e 30-vjet të ashtuquajtur “tranzicion”, nuk kemi parë ende një ligj a projekt ligj mbi lirinë e medias që është në përputhje të plotë me vlerat dhe standardet perëndimore. Përkundrazi, në rastin e Shqipërisë, Kryeministri dhe parlamenti i kontrolluar prej tij, vetëm propozojnë dhe përpilojnë projekt ligje dhe miratojnë ligje krejtësisht në kundërshtim me të drejtën e shenjtë të lirisë së shtypit – duke kërcënuar demokracinë dhe paqën në vend dhe në rajon dhe duke larguar gjithnjë e më shumë shqiptarët nga vlerat perendimore. Mesazhi i Nobelit këtë vit është se nuk bëhet demokracia as nuk vendoset paqëja në një shtet as në botë duke kufizuar — ose duke luftuar haptazi lirinë e fjalës dhe pavarsinë e gazetarisë. Pa liri të fjalës, nuk vendoset demokracia e vërtetë, as me “fiat” nga një kryeministër as me ligje duke përqendruar në dorë të burokratëve partiakë kompetenca që nuk u takojn ë atyre, as duke shtetëzuar mënyrat dhe mjetet e përhapjes së informacionit nepërmjet krijimit të ashtuquajturës Agjenci për Media dhe Informim, si dhe i kufizimeve të tjera gjatë viteve për kufizimin e lirisë së fjalës siç ishte e famshmja për të keq, “paketa anti-shpifje”, si dhe kërcënimeve dhe kërcënimeve dhe lloj-lloj etiketimesh ndaj gazetarëve dhe gazetarisë së pavarur në përgjithësi.

Komiteti Nobel shpërbleu gazetaren filipinase Maria Messa-n dhe gazetarin rus Dmitry Muratov me Çmimin Nobel për paqë për vitin 2021 për guximin e tyre për të luftuar në mbështetje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi, pa marrë parasysh pasojat e vendosmërisë tyre për të raportuar të vërtetën. Të dy këta kishin marrë vendimin se – në mbrojtje të lirisë së fjalës — nuk do të frikësohen nga sulmet kundër tyre dhe lirisë së fjalës dhe kishin bërë një zgjedhje morale për veten dhe për shoqërinë në të cilën jetojnë, se do të mbrojnë me çdo kusht të drejtën e fjalës së lirë, si një parakusht për një demokraci të vërtetë dhe për paqën në vendet e tyre dhe në botë.
Po ju, gazetarë dhe lexues të dashur shqiptarë, kur do të përcaktoheni, më në fund, për një zgjedhje morale, (“a moral choice”) — kundër atyre që, hapur, luftojnë kundër lirisë së fjalës në trojet shqiptare — dhe kur do të mbroni, me çdo kusht, (jo lirinë e pjesshme), por lirinë e plotë të fjalës, jo vetëm si e drejtë e jotja — së bashku me të drejta të tjera të njeriut që t’i ka falë Perëndia – por edhe si, “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe të qëndrueshme në vend”!?

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu