Don Lush Gjergji
Dekreti mbi veprimtarinë apostolike të laikëve në Kishë “Apostolicam Actuositatem” – Veprimtaria Apostolike
Ky Dekret është aprovuar më 18 nëntor 1965 me 2340 vota për, 2 kundër. Në parathënie gjejmë qëllimin, synimin dhe misionin e laikëve në Kishë me këto fjalë: “Koncili i shenjtë duke dashur ta bëjë më të dendur veprimtarinë apostolike të popullit të Hyjit, me zell të madh u drejtohet besimtarëve laikë, për rolin absolutisht të nevojshëm që ata luajnë në misionin e Kishës” (Hyrje). Ky është edhe synimi i përgjithshëm i KDV-nit, në veçanti në AA (khs. LG 30).
Dekreti AA ka 13 kapituj, 33 numra. Ftesa e parë që u bëhet laikëve është shenjtërimi dhe ungjillëzimi, apo siç cekët në Dekret “apostullimi” sepse “janë të thirrur prej Hyjit me qëllim që, të mbushur me shpirtin e krishterë, ta ushtrojnë apostullimin e tyre në botë, si tharm” (AA 2).
Mirëpo shpesh roli i laikëve në Kishë kufizohet vetëm në ndihmë apo në shërbime ndaj famullisë dhe famullitarit, më pak ka vetëdije dhe angazhim për ungjillëzimin e botës profane, për ata që fare s’janë të krishterë, apo nuk jetojnë më si të tillë (khs. AA 4).
“Apostulli i vërtetë kërkon rastet për ta kumtuar Krishtin me fjalë si jobesimtarëve për t’i drejtuar kah feja, ashtu edhe besimtarëve për t’i mësuar, për t’i forcuar dhe për t’i drejtuar kah një jetë më e zjarrtë”(AA 6).
“Rendi tokësor” apo çështjet e ndryshme të hapura shoqërore, duhet trajtuar në dritën e fesë dhe të Ungjillit, mësimit shoqëror të Kishës dhe të dashurisë së krishterë (khs. AA 7). Kjo mund të bëhet më së miri nëpërmjet bamirësisë (khs. AA 8), si një rrugë e privilegjuar e ungjillëzimit.
Dekreti AA ka katër qëllime kryesore:
- Vetë natyra e Kishës Katolike si populli i ri i Zotit, jemi të ftuar dhe të dërguar për ungjillëzim, shenjtërim, formim sa më të mirë të ndërgjegjes së krishterë.
- Kjo mund të arrihet në bashkëpunim me Zotin dhe me hirearkinë kishtare, me pjesëmarrje dhe përgjegjësi të plotë.
- Veprimet përkatëse duhet të jenë në çdo fushëveprim kishtar dhe shoqëror, që ndihmojnë laikët të jenë të krishterë të mirë dhe ta ungjillëzojnë botën, të tjerët, besimtarë, të krishterë, jo të krishterë, të gjithë.
- Dërgimi specifik i laikëve në Kishë është përmbledhur dhe definuar edhe më shumë nëpërmjet Sinodit Ipeshkvor mbi laikët në vitin 1987, që pastaj është shpallur me nxitoren apostolike të Papës Gjon Pali II “Christifideles laici”. Ja disa pika të rëndësishme të AA për laikët: Rinia ka qenë dhe duhet të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes së Kishës Katolike dhe të këtij Dekreti. “Ndërsa rritet gjithnjë e më shumë rëndësia e tyre shoqërore dhe politike, duket pothuajse nuk kanë forcën e duhur për t’i përballuar në mënyrë të përshtatshme detyrat e tyre të reja” (AA 12). Kisha u jep përparësi dhe përkrahje rinisë në shpalljen dhe dëshminë e Ungjillit (khs AA 12). Këtu mund t’i theksojmë dy çështje: të rinjtë janë të pazëvendësueshëm në Kishë, dhe ata kanë të drejtë dhe detyrë të jenë të ungjillëzuar dhe të ungjillëzojnë. Kjo ngjan atëherë kur zbatohet dialogu mes brezave apo gjeneratave, edhe në bartjen e përvojës fetare, si rast i mirë për bashkëpunim dhe përplotësim (khs. AA 12). Motoja e Dekretit AA mund të jetë kjo: “Apostull nuk lindim, por bëhemi”, si përcaktim dhe vetëdijësim për mbarë Kishën. “Apostullimi mund të arrijë një efektshmëri të plotë vetëm nëpërmjet një formimi shumë formash dhe gjithëpërfshirës” (AA 28). Kush duhet t’i formojë të rinjtë për apostullim? Së pari familja, pastaj bashkësia famullitare, pra, Kisha, me formimin e tyre permanent në fe. “Formimi për apostullim fillon me edukimin e parë të fëmijëve” (AA 30).Ata formohen për këtë jetë me anë të bamirësisë “qysh në moshë të njomë, të mësojnë të njësohen në vuajtjen e vëllezërve dhe t’i ndihmojnë bujarisht kur ata kanë nevojë” (AA 31).Këtë mision, detyrë, dërgim e ka i tërë KDV, sidomos AA, që na beson të gjithëve, “në mënyrë të veçantë me të rinjtë ta ndiejmë sikur u drejtohet atyre dhe ta pranojnë atë me gëzim e zemërgjerësi” (AA 33). Kjo mund të formulohet edhe kështu: Kush dashuron edukon! Mënyrat janë të ndryshme, ndër të cilat mund t’i cekim:
- Jeta sipas parimeve dhe frymëzimeve ungjillore;
- Bamirësia ndaj nevojtarëve;
- Vetëdija dhe përgjegjësia për Kishën dhe për botën;
- Njohja sa më e mirë e mësimit shoqëror të Kishës dhe kontributi për zbatimin konkret në jetë. Këshillin Papnor për Laikët e ka themeluar Papa Pali VI më 6 janar 1967. Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Radio Maria – Kosovë