ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Koncili II i Vatikanit (1962 – 1965) , ATENAGORA I (1886 – 1972) 

Shkrime relevante

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Shpërndaj

Në foto: Aristokël Spiro, patriarku i ardhshëm Atenagora lindi më 25 mars 1886 në Vasilikon pranë Janinës. Vdiq më 7 korik 1972 në Kostandinopojë.

 Don Lush Gjergji, Prishtinë                                  

         Shekulli njëzet është plotë sfida të llojeve të ndryshme. Në prag të festës së dymijë vjetorit të krishterimit Gjon Pali II thoshte: „Dimensioni gjithëpërfshirës ekumenik i Jubileut të Shenjtë do të jetë i cekur në mënyrë të qartë me takimin e gjithëkrishterë.“ 

         Për Kishën katolike janë dy sfida kryesore dhe shumë të rëndësishme, ndoshta edhe vendimtare për gjithë të krishterët, dialogu ekumenik me Kishat simotra të krishtëra të ndara dhe dialogu ndërfetar me gjithë botën. 

         Profeti i madh i ekumenizmit ishte patriku i Konstatinopojës Atenagora I, njeri i Zotit dhe Kishës, ai që pati guxim, fe, dashuri që t’i rrënonte prangat e mallkimit të ndërsjellët mes Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse. Emri i tij i pagëzimit është Aristokle, kurse emri famijiar Spyrou; ai u lind në Tsaraplanë, tani Vassilikon, me 25 mars 1886, në Greqinë e sotme, në zonën kufitare me Shqipërinë. Ishte kjo periudhë e mbrëtërisë Otomane me përzirje të popujve, gjuhëve, kulturës, besimeve dhe traditave të ndryshme. Patriku Atenagora e kujton fëmijërinë e tij kështu: “Kur vinte nata të gjithë mblidheshim rreth vatrës, të ulur në tokë, „këmbëkryq“ „alla turka“. 

         Babai i Aristokleut, Mateu, ishte mjeku i parë në fshat. Ja se si e përkujtonte atë Patriku Atenagora: “Babai im ishte mjeku i fshatit; mendoj se ishte mjek i mirë, iu jepte njerëzve shpresë. Gjithnjë udhëtonte me kalë, sepse e ftonin prej fshatit në fshat.” 

         Nëna e patrikut ishte bijë e një zejtari – këpuctari të njohur, i cili kishte disa punëtorë. Quhej Elena. Ishte e shkolluar, sepse kishte vijuar një shkollë private greke dhe aty kishte arritur edhe diplomën. “Ishte nga Konica” rrëfen Atenagora, „nga një mes i shqiptarëve që ishte më i rëndësishëm dhe me ndikim se sa Tsaraplana dhe më shumë përparimtarë…“  

          RRËNJËT E EKUMENIZMIT NË FAMILJE   

          Aristokle Spyro qysh në rrethin familjiare jetoi bashkimin e dashurisë në dallime dhe pluralizmin. Atenagora rrëfente kështu:”Në Tsaraplanë të krishterët dhe muslimanët jetonin në harmoni të madhe. I vetmi polic turk, ende e kujtoj emërin e tij, Ali Bey, nuk kishte fare punë. Asnjë përlamje, konflikti, procese gjyqësore. Fëmijtë e krishterë dhe ata muslimanë loznin gjithnjë së bashku. Gjatë pagëzimeve të fëmijëve ishin të ftuar dhe të pranishëm edhe miqët muslimanë, edhe ata na ftonin për rrethprerjen e fëmijëve të tyre. Ishte kjo jetesë biblike, ku të gjithë ne ndiheshim fëmijtë e Abrahamit.“  

         Ndikim të madh dhe vendimtar në jetën dhe edukimin e Aristokleut të ri padyshim  patën prindërit e tij: „Babai im ishte fetar, por në mënyrë diskrete, ishte më tepër i mbyllur. S’fliste për fe. Mirëpo, para bukës bënte kryq dhe shkonte për çdo të diell në kishë. Ndaj nesh ishte njeri i rreptë, por jo edhe zemërgur. Unë isha biri i parë, pastaj vëllau im i cili vdiq në vitin 1948, kurse e treta ishte motra e jonë…S’kam asnjë fotografi të nënës sime. Në atë kohë, nëpër fshatëra s’kishte fotografi…E dimë nga dëshmitë e kohës që Helena ishte e bukur. E quanin ‘hylli i mbrëmbjes’. Ishte e gjatë, e hollë, kishte pamje mbretëreshe… Edhe sot në Vassilikon flitet si ajo ishte bëmirëse… Nëna e jonë ndezi në ne fenë. Feja e saj ishte e flakët, tërheqëse. Në mbrëmbje për të na vënë në gjumë, na këndonte me zë të ulët himne fetare. Ishte shumë e përshpirtëshme.         

         Kjo harmoni dhe lumturia e familjes u rrënua shumë me vdekjen e së ëmës sonë Helenë. Isha 13 vjeçar. Nëna ime dhe unë gati njëkohësisht jemi sëmurë. Unë e humba edhe vetëdijen; për shumë ditë mbeta i tronditur. Kur erdha në veti, fitova vetëdijen, e kërkova kot nënën time. Babai im më shpjegoi se kishte shkuar te dajtë në Konicë…Nuk ishte e mundëshme t’i mbajmë dy të sëmurë të rëndë në shtëpi, më tha. Pritsha që nëna ime të kthehej…’ Një ditë, ndërsa isha në oborr, hyri një njeri dhe më pyeti: „A banon këtu Mateu Spyrou të cilit para disa kohe i ka vdekur gruaja?“ Kështu e kuptova se nëna ime kishte vdekur para tre muajve. Ishte 37 vjeçare. Kurrë nuk jam ngushëlluar. Më ka munguar dhe do të më mungojë gjithmonë.“ 

         Patriku Atenagora është me prejardhje, gjuhë, kulturë, edukatë shqiptar. Dëshminë e drejtpërdrejt mbi këtë e shkroiti atë Giuseppe Ferrari, italo-shqiptar: “Me prejardhje jam nga një vend i vogël në veri të Epirit, në afërsi të kufirit shqiptar…Duke i hapur duart nga unë, me një buzëqeshje të gjatë, klithi në gjuhën shqipe ‘Mirë se erdhe”! Edhe unë jam shqiptar si ti. Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Në vende tjera kanë luftuar në mes veti, por në Shqipëri ortodoksët dhe katolikët kanë bashkëpunuar mirë. Ju, pra, mund t’i kuptoni më mirë problemet ekumenike. Ndoshta Provania hyjnore iu ka transferuar në Itali për ndonjë rol të dobijshëm për planet e tija.” 

         Patriku Atenagora I shpesh ceku prejardhjen e tij shqiptare që edhe me këtë të tregonte se si erdhi deri tek përvoja ekumenike qysh në atmosferën familjiare, nga një popull historikisht i vogël, i cili është i ndarë në dy fe, krishterimi,  që nga kohërat apostolike, dhe islam,  pas sundimit pesëqind vjeçar turk (1468 – 1912). Krishtërimi në popullin shqiptar ndahet në dy Kisha: Katolike dhe Ortodokse. 

         Si njohës i mirë i historisë shqiptare patriku Atenagora ndër të tjera ka thënë: “Populli shqiptar është një ndër popujt që ka vuajtur më së shumti në Europë, ka vuajtur gjatë shumë shekujve, pasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishtërimin…Unë jam shqiptar…Jam në shërbim të Kishës ortodokse, edhe më tepër, të Jezu Krishtit…Të jeni të bindur se sistemi ateisto-komunist i Shqipërisë do të kalojë, mirëpo krishtërimi do të mbes përgjithmonë.” 

          THIRRJA  

         I riu Aristokle Spyrou mendon seriozisht për jetën, lutët, kërkon, jeton me fe, mirësi, me përshpirtërinë e nënës së tij të ndjerë Helenës. Në veçanti mendon mbi kuptimin e jetës, vuajtjes, vdekjes duke u nisur nga prvoja e tij. Përpos këtyre pyetjeve, i imponhet edhe pyetja e ardhmërisë së tij, përcaktimit dhe thirrjes jetësore. Lexonte shumë, lutej, kërkoi rrugën e vërtetë. 

         Në vitin 1908 papritmas vdiq edhe i babai Mateu duke zbritur prej kalit. Aristokli ishte 22 vjeçar, pra, në moshën më të mirë…Pas shumë meditimesh dhe uratash kishte vendosur: do t’i kushtohem krejtësisht Zotit dhe Kishës së tij, si mug – xhakon. Studimet teologjike i vijoi në qendrën e rëndësishme kulturore dhe fetare në Halki. Në vitin 1910 shugurohet xhakon, pas përfundimit të studimeve dhe përgaditjes së thellë shpirtërore. E zgjodhi edhe emrin e ri rregulltar – Atenagora. 

         Pas shugurimit për xhakon ishte në shërbim të Kishës dhe popullit së bashku me ipeshkvin Stefani në Manastir në Maqedoni që nga viti 1910. deri 1919. Atëherë Manastiri ishte qendër e rëndësishme politike, ekonomike, fetare dhe kulturore. Përbërja e banorëve ishte kjo: 30. 000 turqë (në masë të madhe shqiptarë të islamizuar), 15.000 grekë, 5.000 bullgarë, 3. 000 serbë. Sipas kësaj shihet se Manastiri ishte një mozaik i vërtetë popujsh, religjionesh, gjuhësh e kulturash. Atenagora ishte apostull i vërtetë i gjithë atyre që vuanin, pa farë dallimi. U flijua për të mirën e përgjithshme dhe shpeshherë qe edhe në rrezik jete duke mbrojtur jetën dhe të drejtat e të tjerëve. 

         Në themele të kësaj përvoje dhe jete në mesin e popujve dhe feve të ndryshme më vonë do të thotë: “Në Manastir i njoha mirë sllavët. Kam vështruar edhe gjermanët dhe austiakët. Me françezë kam jetuar dy vite. Të gjithë popujt janë të mirë. Çdo njeri meriton nderimin dhe dhe përbindjen. Kam parë vuajtjen e njerëzve. Të gjithë kanë nevojë për dashuri. Nëse janë të këqij, janë të tillë sepse nuk kanë takuar dashurinë e vërtetë, atë dashuri e cila nuk shpenzon shumë fjalë por rrezaton me dritën e jetës… Dashuria e Krishtit është më e fortë se Ferri. Në dashurinë e tij hasim guximin që të duam njerëzit dhe me këtë zbulojmë se të tjerët janë domësdoshmërisht të nevojshëm për të pasur mundësi të qëndrojmë dhe të jemi të krishterë…” 

         Prej vitit 1912 e deri në vitin 1919 Manastiri ishte bërë epiqendër e luftimeve të ashpëra. Atenagora, që ishte së bashku me metropolitin Krizostemi, u mundua me mish e shpirt për të mirë të të gjithëve.  

         ATË I TË GJITHËVE  

         Në vitin 1909 u desht ta braktiste Manastirin dhe të kalonte në Malin Atos ( në Greqi), ku atëherë kishte 7. 000 murgj. Mirëpo, pas gjashtë muaj paqeje, qetësie, urate me një rreth rregulltarësh nga shumë vende të botës ortodokse, Atenagora duhet të largohet prej Atosi për një mision të ri: emërohet sekretar i Sinodit të Shenjtë të Athinës, që ishte pozitë me rëndësi dhe ndikim të madh për jetën dhe veprimtarinë e Kishës Ortodokse. Edhe në këtë detyrë të lartë, me shumë përgjegjësi dhe vështirësi, ai punoi për çështjen ekumenike. Edhe në këtë dëtyrë u tregua i përgaditur dhe i aftë për punë, i hapur dhe komunikativ me të gjithë, i përkushtuar jetës së përshpirtëshme fetare me të gjitha forcat e tij. Në moshë 37 vjeçare emërohet ipeshkëv dhe metropolit i Korfus-it dhe Paksosit (1923 -1930). 

Në Korfus ishte gjendja tejet kaotike. Mijëra mërgimtarë hebrenjë kërkonin strehim nëpër shkolla dhe nëpër kisha. Me pasuri të kishës dhe me ndihmë të bamirësisë së besimtarëve nisi ndërtimin e shpejt të banesave. Në rezidencën e vet hapi një qendër shëndetësore falas dhe një shërbim për strehimin e tyre… Gjeti vend dhe zgjeroi shkollat për fëmijtë e të ikurve. Me kënaqësi dhe shpesh i vizitoi të varfërit dhe të sëmurët, njerëzit e braktisur. Një herë me ironi tha: „ Kush vdes nga uria s’ka nevojë për pendesë“ Nëpërmjet dashurisë dhe kujdesit shumë shpejt u bë babai i të gjithëve, i respektuar dhe dashur nga populli pa farë përjashtimi. Në shërbimin e përditshëm të Hyjit, Kishës, popullit, të gjithëve iu dha forcë, frymëzim, por edhe kënaqësinë e jetës dhe përkushtimit të krishterë. 

         Mirëpo, Zoti e „sprovon“ edhe një herë, ia rrënon sigurinë në vazhdimësi,  e shqetëson dhe sfidon. E pret edhe një befasi, ndërrimi, ndryshimi. Amerika ka nevoj për një bari dhe atë shpirtëror, sepse atje ka shumë ortodoksë nga gjitha pjesët e botës, të gjithë në kërkim të fatit dhe kushteve më të mira jetësore.  

         ARGJIPESHKËV NË AMERIKË  

         Sinodi emëroi Atenagoren argjipeshkëv në SHBA (1930) për besimtarët greko-ortodoksë. Atë që deri atëherë e kishte përjetuar si „miniaturë“ në Vassilikon, Konicë, Janinë, Manastir, Korfus, tani do jetojë në kontinentin e ri: mozaik i dallimeve të ndryshme të të gjitha llojeve. 

         Gjatë 17 viteve të punës dhe shërbimit pastoral pati suksese të jashtëzakonshme në Amerikë në çdo lëmë. Ja vetëm disa të dhëna: organizoi një tërësi organike me afro 400 famulli /ortodokse/, me afro 10 ipeshkëvij ndihmës, afro 500 meshtarë, dy shkola teologjike, më se 300 shkolla për fëmijë dhe për nxënës grekë. 

         Amerika është multietnike, multifetare dhe pikërisht për këtë pyetja e dialogut ekumenik edhe për Atenagoren nuk ishte pyetje teoriko – spekulative, filozofiko – teologjike, por para së gjithash praktike, çështje e përditshme, e rëndësishme dhe jetësore që e përcolli gjatë tërë jetës. Ndarjet e mbrendëshme të krishterëve për te ishin një plagë e madhe në Trupin mistik të Krishtit – Kishave, kështu që punoi duke u munduar rreth dialogut, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në përpjekje dhe guxim të kërkimit të bashkimit në dallime.  

         Punoi po ashtu mjaft dhe suksesshëm edhe me pushtetet politike, në veçanti me kryetarin Franklin Roosweltin dhe Harry Trumanin. 

Prishtinë, 14 shkurt 2023 – Radio Maria – Kosovë 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu