Gani I. Mehmeti
Pas një dite të stresuar, të lodhur e të dërmuar, natyrisht duhej pushuar.
Kisha ndërmend të udhëtoja me aeroplan. Bileta e paguar javë më heret, përgatitja në nivel. Në anën tjetër pritja e gëzimi, porosia për të dalë në aeroportin tjetër, mbetën të gjitha vetëm dëshira, vetëm përgatije e mundime deri në aeroport, sepse kur shkuam atje, në aeroport, mësuam se fluturimi për në destinacionin tim ishte anuluar!
Vizitën po e prisja me padurim, por tani kur jemi në këto kohë të pakohë, pritet gjithçka.
Mbasi u ktheva në banesë, i lodhur, dola në balkon dhe aty, i shtrirë në kokërr të shpinës, hyra në NJU TUBE, si rastësisht.
«Se Shqipnia nuk don tjetër, veç don vendin me sundue» – lexova. U përpoqa ta dëgjojë këtë këngë që ka kohë nuk e kam dëgjuar, por nuk po shfaqej fare në ekranin e telefonit.
Nejse, pas saj doli kënga « Xhamadani vija vija»! Bën edhe kjo! -mendova me vete dhe nisa ta dëgjojë nga këngëtarja Elvana Gjata. Po e dëgjoja me vëmendje, vëmendje po i kushtoja edhe tekstit, që gjithsesi më bënte përshtypje shumë.
Mirëpo, po bëja një lidhje mes tekstit, këngës dhe realitetit shqiptar.
Sa këngëtare e madhe! Dhe jo vetêm këngëtare, por edhe aktore me gjithë atë zë të bukur, artiste me gjithë ato lëvizje sipas tonit e ngjyrës së zërit, sipas tekstit e sipas muzikës ishte një harmoni e plotë, sa të bënte krenar si shqiptar.
Sa Shqipëri e Madhe, sa Shqipëri Etnike e çka jo tjetër, me kufijt deri te Molla e Kuqe, deri përtej Nishi!
Mirëpo, kur t’i kthehmi realitetit, ne nuk jemi as Shqipëri e Madhe, as Shqipëri Etnike, as deri te Molla e Kuqe!!! Jemi me një Shqipëri fare të vockël, me troje të copëtuara e të shpërndara në shtatë shtete: Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Serbi, Maqedoni, Greqi e Turqi. Po, po – edhe në Turqi, pse edhe deri atje i kemi trojet tona të vjetra. Dardanelet ishin të Dardanëve dikur motit, e të mos flasim, për Greqinë, Serbinë e Malin e Zi që vetë i kemi çliruar e formuar shtete, shumë kohë më përpara se ta bëjmë atë Shqipërinë Londineze, Maqedoninë e krijuan tjerët si shtet për të minimizuar sa më shumë popullin shqiptar dhe trojet e tij.
Dhe, çka është edhe më e rëndë, sot në dy shtete, të quajtura shqiptare, nuk punohet as veprohet për shqiptarizëm! Është për të qajtur, kur cila do parti që vjen në pushtet, bëhet rob i tjerëve dhe i hajnisë dhe shkojnë skajshmërisht në dëm të kombit, popullit, shtetit e vendit, pa e vrarë mendjen fare për forcimin e dy shteteve në zhvillimin e tyre arsimor, shëndetësor, ekonomik, ushtarak e besa edhe politik. Nuk shohin se si bëjnë shtetet e tjera, ata nuk shiten, por i blejnë politikajt tanë, që shiten tek armiku dhe lakmia për pasuri!
Jemi popull i ndarë e i përçarë edhe brenda dy shteteve shqiptare sa ne vritemi, rrahemi ndërmjetvetit pa u ndalur e nuk na e do punën fare. Dëshirojmë të pasurohemi gjatë natës edhe fare pa punuar e në dëm të tjerëve dhe gjithsesi në dëm të shteteve tona, që kanë mbetur kaq larg shteteve të tjera!
Ne e duam trimërinë e tjerëve, i vemi edhe në këngë dhe krenohemi me të bëmat e heronjve e luftëtarëve tanë, por vetë disi nuk na e do të jemi e as të bëhemi heronj të vërtetë, se si i tillë duhet të sakrifikohet jeta, e jeta është e ëmbël! Ne këto i kemi vetëm në këngë, ndërsa në realitet nuk na e do shumë, pse do duhej të japim edhe jetën, për çka i rrimë pak si anash e nuk futemi në zjarr!…
Dhe mendoj: Sikur ne të kishim Shqipërinë e Madhe, Shqipërinë Etnike, Shqipërinë të shtrirë në të gjitha trojet shqiptare, a do të kishim nevojë për këtë këngë? Unë mendoj se nuk do të kishim nevojë fare për këngën. Mirëpo, pse jemi në këtë gjendje çfare jemi, e kemi nevojën më shumë që të mendojmë për tokat tona nën sundimin e pushtuesve dhe që ëndërrojmë t’i rimarrim, apo, kjo mbetet vetëm sa për t’ju treguar pasardhsve tanë se deri ku ishim, se deri atje duhet të jetë Shqipëri…
Doli pastaj në NJU TUBE kënga «6 tetor 68» e kënduar nga Albina Kelmendi! Një aktore dhe këngëtare e vërtetë. Me bukuri fizike, me thjeshtësi, me një zë prej zërit të një Malësoreje, me gjestet sipas nevojës, duke lëvizur e dridhur kokën, duke lëvizur herë me njërën dorë e herë me të dyjat, dukej sikur një mbretëreshë, një kënaqësi e madhe për lejimin e përdorimit të Flamurit KUQ E ZI në Kosovë nga viti 1968, i ndaluar deri atëherë. Kënga, teksti, melodia , ngritja e zërit deri në kupë të qiellit, të bëjnë për vete, të ngrejnë edhe flokët e kresë përpjetë nga një ndjenjë e një fitoreje aq të madhe , aq të dashur, aq të pritur e të dëshiruar, aq madhështore, aq krenare sa arrinë kënaqësi dhe emocione aq të larta, sa gati humb njeriu së ëndërruari e nuk di vet ku është!
Pra, kur i kthehmi realitetit, ne kemi një realitet krejt tjetër nga këngët, por kjo nuk do të vërehej, po nuk i hyre një analize të thellë dhe shumë reale, sa këtu vërejmë kontrastet mes këngëve dhe realitetit në të cilin jemi.
Prandaj, do të ishte mirë që ne të zbresim me të dyja këmbët në tokë e të punojmë shumë më shumë për vendin, për popullin, për bashkimin që nuk do të bëhet dot vetëm përmes këngëve e dëshirave të shprehura, por vetëm përmes punës dhe veprimeve politike reale.
Që të mos e zgjasë, mora shembuj vetëm këto dy këngë, përndryshe, kemi përplot këngë të tjera të këtilla, që nuk përkojnë me realitetin, por më shumë si këngë lirike, apo shprehje të dëshirave.
Jemi të ngazëllyer me heronjtë, me Avni Rrustemin, me Shote Galicën, me Fazli Grajçevcin, me Shaban Shalën e tjerët, por edhe pse na e do shpirti e nevoja shpeshherë, vetë nuk bëhemi si ata!…
Kjo është kështu, se, ne e duam atdheun më pak se të tjerët, siç e thot edhe i madhi, Ismail Kadare.
Më 5 korrik 2022