ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Kosova 14 vjet shtet, nesër festohet Dita e Pavarësisë

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Foto: Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në 17 Shkurt 2008 pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me drejtorin e përgjithshëm të ATSH në atë kohë, Artur Kopani, dhe korrespondentin në Kosovë, Behlul Jashari

Shkruan: Behlul JASHARI

Kosova  me Axhendë Shtetërore në 17 Shkurt 2022 feston  Ditën e Pavarësisë së shpallur para 14 vitesh në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 – të para 14 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm të Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…
17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 14 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 14 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2022-tën festohet edhe 23 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosove-shpallja e pavaresise 17 shkurt 2008

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Viti 2022 i 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës për të gjithë shqiptarët kudo është edhe i festës së madhe kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë … Si një dhuratë për festat për të gjithe fëmijtë shqiptarë do jetë Abetarja e përbashkët  e botar nga Shqipëria e Kosova, për çka është nënshkruar marrëveshja mes dy qeverive.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

Deklarata e Pavaresisë

Në vitet e pavarësisë së Kosovës ngjarje viti në 2021-tën ishin dy palë zgjedhje – parlamentare në 14 Shtator e lokale në  17 Tetor, të dyjat të tetat në liri.

Një tjetër ngjarje e madhe ishte Kosova e artë me dy medalje të arta të kampioneve olimpike, xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova në Lojërat Olimpike në Tokio, ku në ceremonitë e dorëzimit të medaljeve Flamuri i Republikës së Kosovës nën tingujt  e Himnit Shtetëror u ngrit në majën më të lartë për të artat historike në festën botërore të sportit…

Gazeta Rilindja – Pavaresia e Kosovës 2008 – foto: Behlul-Jashari

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Kremtimi i Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë, në natën e parë të shpalljes së saj. Foto: ATSH

Fotoja e ballinës së gazetës Rilindja  e fishekzjarreve mbi Prishtinë në mbrëmjen e 17 Shurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë nga shtëpia e vëllait tim Demë Jashari në Laxhen Taslixhe 4 – Rruga Fatmir Gjata Nr. 9, ku po festonim bashkë me ekipin e Agjencisë Shtetërore – Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, fotoreporteri i saj Florian Abazaj është autori i fotografisë …

Newborn, Prishtinë – Kosovë … Foto: Behlul Jashari

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu