-Ngjarja e vitit 2022 e Kosovës aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 15 Dhjetor/
-Kosova nëpër vite…/
Gazeta DIELLI / portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 15 Dhjetor 2022/ Ngjarja e vitit 2022 e Kosovës është kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një ditë më parë në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
E në prag të Vitit të Ri Qeveria kosovare në mbledhjen e 112-të këtë dhjetor ka themeluar Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Vitin e Ri 2023 Kosova me Axhendë Shtetërore do festojë jubileun e 15 vjetorit të Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.
Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie në atë kohë drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…
17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.
Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.
Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.
Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.
Pas shpalljes së Pavarësisë Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.
Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta, dhe 2018-ta.
Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.
Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.
Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.
Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…
Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.
Në 2023-tën festohet edhe 24 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Viti 2023 i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës vjen për të gjithë shqiptarët kudo edhe me nje fastë tjetër pavarësie pas festës së madhe kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë …
Shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të Shqipërisë të shpallur në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe të Kosovës të shpallur në Prishtinë në 17 Shkurt 2008 .
Gëzuar!