Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
–27 Prilli – Dita e të pagjeturve të Kosovës/
-Në 27 Prill 1999 në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/
-Presidentja Osmani: Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli
PRISHTINË, 27 Prill 2023/ Në Kosovë 27 Prilli është Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 24 viteve.
Në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, para 24 viteve, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka deklaruar sot:
“Si çdo ditë, por veçanërisht sot, kujtojmë mbi 1600 bashkëqytetarët tanë të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Sot mendjen e kemi te familjarët e tyre dhe solidarizohemi me dhimbjen e ankthin e tyre të çdoditshëm. Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli. Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta.”
PRESIDENTJA E KOSOVËS: MEJA ËSHTË PLAGA JONË E PËRHERSHME
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka kujtuar masakrën e Mejës.
“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe.
Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave.
Kosove Dita e te pagjeturve – foto-Behlul-Jashari, me 26 prill 2017
Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë.
Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi.
Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës.
Fotot e të zhdukurve në rrethoja të Kuvendit e Qeverisë – foto: Behlul Jashari