- -Në 12 Qershor 1999 – Ditën e Lirisë së Kosovës raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/
- -Liria Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocid kundër shqiptarëve/
- -Viti 2005 – Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova për 12 Qershorin – Ditën e Lirisë: Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës…/
-Urime Federates Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA për festën e saj të jubileut të 110 vjetorit në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2022/
SPECIALE-Gazeta DIELLI dhe portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
-12 Qershor 2022, plot 7 vjet shkrimesh-raportimesh nga Kosova për Gazetën DIELLI në Amerikë –
PRISHTINË, Qershor 2022/ Kosova feston Ditën e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershorin.
Para 23 viteve Kosovës nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës ushtarake më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…
Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë: “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”
Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”
Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të paarmatosur.
Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.
Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…
Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…
Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.
Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”, “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…
Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit, diku pas mesnate, ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja, për të cilën ka shkruar-raportuar e fotografuar në 12 Qershor 1999, kur kishim fatin historik të hyjmë në Kosovë me NATO-n që sillte lirinë…
Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit kosovar në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë.
Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës…
Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.
Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone – ëmbëlsira. Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se ajo është Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katërt të tetëvjeçares. Një e afërme e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…
Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen…
Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin…
Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…
Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…
Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.
Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…
Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…
Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.
Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.
“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…
Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e banesës së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.
Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe drejtpërdrejtë i lidhur edhe me Radio Televizionin Shqiptar po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Telefonin që më mundësonte raportimet – lidhjet me Tiranën ma kishin sjellë familjarë nga Zvicëra – djali Guri Jashari derisa isha në Maqedoni refugjat lufte.
Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Nga forcat serbe ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.
Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”, vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”
Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej, në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.
Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.
Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.
Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…
Kështu ishte 23 vite më parë…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi poashtu para 14 viteve në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…
MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA – REFUGJATË TË LUFTËS SË PËRFUNDUAR NË PRANVERËN E LIRISË TË VITIT 1999
Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni.
Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin…
Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999.
VITI 2005 – MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË SË KOSOVËS
PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje:
Me rastin e 12 Qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.
Dita e 12 Qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.
Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.
Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.
Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.
12 QERSHOR 2005 – PRESIDENTI RUGOVA: 12 QERSHORI MBETET DITA MË E MADHE NË HISTORINË E RE TË KOSOVËS
PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 12 Qershorit 2005 në Prishtinë shtroi një darkë solemne për nder të Ditës së Lirisë – 6 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.
Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.
“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.
Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR-in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK-un e me OSBE-në në planin civil”.
Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.
“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejtë. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.
Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti Rugova lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR-i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.
Ai u shprehu mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.
Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atit e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.
Presidenti Rugova e luti gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershorin, Ditën e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet i njëjtë si përpara gjashtë viteve, kur u vendosëm në Kosovë.
“Është e rëndësishme të përkujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra, partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.
Ndërsa Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë më 2005, 2006 dhe 2007, që do të thotë një Kosovë e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Goldberg.
Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.
12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…
Në 12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.
Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.
Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.
12 QERSHOR 2022, 7 VJET SHKRIMESH-RAPORTIMESH NGA KOSOVA PËR GAZETËN DIELLI NË AMERIKË
Në 12 Qershor 2022 bëhen shtatë vjet dhe nis viti i tetë i shkrimeve – raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.
Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…
Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2022 festoi 113 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…
Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…
Uroj Federaten Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA për festën e saj të jubileut të 110 vjetorit në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2022.
Uroj Kryetarin e VATRËS Elmi Berisha, Kryesinë, Këshillin dhe të gjithë VATRANËT, Shqiptarët në Amerikë…
Me shumë respekt,
Behlul Jashari