ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Kosova Kuvend në kohë lufte, para 23 viteve

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Gazeta Bujku – 17 Korrik 1998-fq 1 – foto Behlul Jashari

Gazeta DIELLI dhe DRINI nga Behlul Jashari, korrespondenti në Kosovë

PRISHTINË, 16 Korrik 2021/ Kosova, para 23 viteve, në kohë lufte, mbajti zgjedhje në 22 Mars dhe në 16 Korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit. Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se, “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem!”. Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës. “Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë. Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën. Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë e që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete.

Isha një nga gazetarët e paktë brenda seancës dhe raportoja drejtpërdrejtë me telefon për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH dhe Radio Televizionin Shqiptar – RTSH derisa me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin  e zhvillimeve, ku dëgjohej edhe uturima e blindave-tankeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova dhe deputetët, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 5 Qershor 1996  dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, në botimin e 17 Korrikut 1998 mbititull e kryetitull balline kishte: Dje në Prishtinë U konstituua Parlamenti i Republikës së Kosovës. Në ballinë të gazetës ishte edhe titulli “Lufta përfshiu edhe Prizrenin”, ndërsa në mbititull të raportimit që e kisha bërë edhe për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej edhe se kishte “Luftime të ashpra në brezin kufitar, në Dukagjin, në Drenicë dhe në rrethinat e Mitrovicës”. Poashtu në ballinë gazeta botonte edhe një raportim nga Strasburgu, me datë 16 Korrik 1998, me mbititull “Parlamenti Evropian aprovoi një Rezolutë për zgjidhjen e problemit të Kosovës” e me titull “Kërkohet mënjëherë ndalja e spastrimit etnik të Kosovës”. Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 23 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot. Pas zgjedhjeve, në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s. Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 Nëntor 2009,  në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë. Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”. Kosova para 31 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990.  Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote. Kosova është e lirë 22 vite,  nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 13 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së. Nga vendet fqinje pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende vetëm Serbia, ndërkohë që drejt njohjes  zhvillohet dialogu mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu