ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Kosova me Amerikën e kujtojnë aktin terrorist ndaj Kullave Binjake të 11 Shtatorit 2001

Shkrime relevante

Shpërndaj

-Para 21 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/

-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/

-Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA/

Nga Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Shtator 2022/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 21 viteve – 11 Shtatorit 2001.

Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave.

Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.

Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:

I nderuari President,

Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.

E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.

Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.

Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.

Juaji sinqerisht,

Dr.Ibrahim Rugova

GAZETA  RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA”  NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ

Në 11 Shtator 2001 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.

Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.

Gazeta  tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.

Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.

Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.

Gazeta “Kosova Sot”  kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.

Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.

PRESIDENTJA OSMANI: KOSOVA SË BASHKU ME MIQTË DHE ALEATËT, ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA. Në 11 Shtator 2019 në Kosovë është zbuluar obelisku i ngritur në oborrin e Qeverisë  kushtuar viktimave të  sulmit të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Sot me 11 shtator së bashku me kryeministrin. Zv/kryeministren dhe po ashtu me zëvendës ambasadoren e SHBA-ve i bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3000 mijë jetë të humbura në një betejë e cila edhe njëherë u dëshmua të jetë betejë vlerash.

Me 11 shtator 2001 shtetasit amerikanë, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin nën një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit, por atë ditë nuk u atakua vetëm amerika, u atakuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera, në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Që nga ai vit e tutje, populli i Kosovës çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, i kemi bashkuar forcat në mbrojtjen të këtyre vlerave, i kemi bashkuar forcat në luftim të terrorizmit dhe edhe Kosova është dëshmuar të jetë shembull në mbrojtjen e po këtyre vlerave.

Prandaj, do të  vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë dhe aleatët tanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu siç SHBA-të kanë qëndruar pranë nesh në çdo moment dhe në çdo hap të historisë sonë.

Faleminderit!

KRYEMINISTRI KURTI: POPULLI I KOSOVËS QËNDRON PRANË POPULLIT AMERIKANPrononcimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti: Me 11 Shtator të vitit 2001, bota u trondit nga lajmi dhe shokua nga pamjet e sulmeve terroriste të cilat vranë 2977 qytetarë dhe në këtë mënyrë shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist i cili ndryshoi gjithë botën.

Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan.

Me Presidenten e Republikës dhe zëvendësambasadoren amerikane vendosëm lule të freskëta, këtu në memorialin që kujton këtë ngjarje dhe na e përkujton që mos ta harrojmë kurrë se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë sepse ato vazhdimisht janë në rrezik. U prehshin në paqe të gjitha viktimat dhe jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu