-Para 22 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/
-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/
Nga Behlul Jashari , Prishtinë
PRISHTINË, 11 Shtator 2023/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 22 viteve - 11 Shtatorit 2001.
Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave.
Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.
Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:
I nderuari President,
Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.
E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.
Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.
Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.
Juaji sinqerisht,
Dr.Ibrahim Rugova
GAZETA RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA” NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ
Në 11 Shtator 2002 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.
Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.
Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.
Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.
Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.
Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.
Gazeta “Kosova Sot” kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.
Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.
HOMAZHE TE PLLAKA PËRKUJTIMORE “KOSOVA KUJTON”
Sot në Prishtinë Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Alyson Grunder kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 22-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA. Në 11 Shtator 2019 në Kosovë është zbuluar obelisku i ngritur në oborrin e Qeverisë kushtuar viktimave të sulmit të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PRESIDENTJA OSMANI: 11 SHTATORI I VITIT 2001 NDRYSHOI RRJEDHËN E HISTORISË PËRGJITHMONË
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shkruar:
11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë.
Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm.