ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Kosova në 24 Maj 1992  mbajti zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Ibrahim Rugova President Republike

Shkrime relevante

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Çfarë shkruan Enes Limani, talebani dhe mbetja e njohur osmane…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Shpërndaj

-Programi i Dr. Ibrahim Rugovës, kandidat për President: Kosova – Shtet i Lirë dhe i Pavarur/

-Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut vlerësonte se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit dhe se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën/

-Po para 31 viteve, raportimet që bëja  për zgjedhjet e para pluraliste të 24 Majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë/

Forhåndsvisning av bilde

Behlul JASHARI, Prishtinë

PRISHTINË, Maj  2023/ – Kosova para  31 viteve, në 24 Maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.

Forhåndsvisning av bilde

Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 31 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

 Në 23 Maj 1992 – një ditë para votimit në zgjedhje, gazeta kosovare e rezistencës  “Bujku” në ballinë me mbititullin “Programi i Dr. Ibrahim Rugovës, kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës” dhe kryetitullin “Kosova – Shtet i Lirë dhe i Pavarur” shkruante:

“Në konferencën e djeshme për shtyp të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i vetmi kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës, në pika të shkurtëra, paraqiti para gazetarëve programin e vet si kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës.

Si kryetar i Republikës së Kosovës, tha dr. Ibrahim Rugova, do të përpiqem ta zbatoj programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive politike shqiptare në Kosovë, do të përpiqem të zbatoj edhe programin e të gjitha partive të tjera politike në Kosovë si dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që Kosova të jetë republikë e pavarur e neutrale dhe që të vendosim institucionet demokratike dhe pushtetin demokratik në Kosovë, punë kjo që do të shkojë në të mirë të shumicës shqiptare, të serbëve, të myslimanëve dhe të turqve dhe që Kosova të jetë shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë.

Forhåndsvisning av bilde

Këto zgjedhje, tha Rugova, i çmoj edhe si një hap para në politikën dhe rezistencën tonë paqësore për të realizuar të drejtat tona demokratike.”

Kryetitull tjetër i gazetës në ballinë ishte “Përgatitjet për zgjedhje u kryen me sukses”, ku në raportimin nga konferenca për shtyp e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Kosovës theksohej: “Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të votojnë nëpër vendvotimet e tyre nesër, prej orës shtatë deri në orën 19. – Janë përgatitur mbi 900 mijë fletëvotime për deputetë dhe po aq për kryetar të Republikës së Kosovës në tri gjuhë. – Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë si dhe përcjellin delegacione të shumta nga bota, si dhe gazetarë të shumtë të redaksive dhe agjencive botërore”.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Forhåndsvisning av bilde

Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

 “Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në vitin 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se zgjedhjet e 24 Majit 1992 janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë. Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke. Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Forhåndsvisning av bildeNë zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind. Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament. Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.

Forhåndsvisning av bildeZgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës. Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konfiskoi një pjesë të materialit zgjedhor. I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës. Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota. Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve. Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

Forhåndsvisning av bilde

Gazetari i Rilindjes dhe ATSH-së, Behlul Jashari

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 Majit 1992 në Kosovë.Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se,  gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë. Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.

Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën. Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Forhåndsvisning av bilde

Gazetari Behlul Jashari dhe Presidenti Ibrahim Rugova

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para 31 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare  që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në Kosovë.

Raportimet nga Kosova për ATSH-në nisën pas një thirrje nga Tirana, para 31  viteve, në mëngjesin e hershëm të një dite historike.

Mëngjesin e 24 Majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin në Kosovë.

Një telefonatë e hershme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në Lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga kolegë të mi gazetarë në Tiranë, ku isha në 1 Maj dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.

Një Maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 Mars 1996.

Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë Maji do jetë i hapur kufiri për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku bashkë me gazetarin e Rilindjes Bedri Sadiku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…

Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës sime në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.

U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po  kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.

“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”

Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…

Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i Rilindjes, në Tiranë – në telexin e Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë – ATSH…

Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH  edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan më shumë se çerek shekulli – nëpër vitet e para luftës e të luftës, të lirisë e të pavarësisë së Kosovës,  në më shumë se gjysmën e këtyre viteve pa pagë – vullnetarisht…

Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para 24 viteve, në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 Tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, me Kryeministër Hashim Thaçin, më dha zyrë në Prishtinë me kërkesën që bëra si korrespondent  i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.

“Në bazë të kërkesës së korrespondentit të ATSH-së, zotit Behlul Jashari, të datës 1.10.1999 lëshojmë këtë:

LEJE PUNE

I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së Zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti mu dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën.

Në kohën e luftës në Kosovë, atëherë drejtori i përgjithshm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare – ATSH, Frrok Çupi,  në intervistë për Gazetën Flaka të Shkupit të datës 4-5 Korrik 1998-ditë e shtunë dhe e diel, lidhur me informimin e korrespondentin nga Kosova me vlerësimet më të larta deklaronte mes tjerash:

“Që në momentin kur filluan ngjarjet më dramatike në Kosovë ATSH-ja ka ngritur një redaksi me katër ose pesë veta në Veri, në Tropojë, të cilët informojnë çdo ditë me një buletin të veçantë.

Ndërkohë ne kemi korrespondentin tonë të instaluar në Prishtinë, i cili edhe në sytë e gazetarëve botërorë është shfaqur si një gazetar i saktë dhe me tërë parametrat e gazetarisë.

Kjo është njëra punë që bëjmë për të informuar opinionin. E dyta është se, kemi arritur të kthehemi në një qendër të shtypit botëror që vjen nga bota në Shqipëri. Pjesa më e madhe e gazetarëve të botës, miqësisht ose profesionalisht kalojnë nëpërmjet nesh. U ndihmojmë që edhe bota nëpërmjet burimeve të veta të mësojë se çka po ndodhë në Kosovë.”

Në prag të 17 Shkurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ATSH  hapi zyrë në Grand Hotel Prishtina në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, bashkë me Dhomen e Tregtisë Tiranë. Kjo zyrë, që pastaj u mbyll, ishte e fundit, por vazhduan raportimet e korrespondentit nga Kosova…

Forhåndsvisning av bilde

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që e kam zhvilluar para 29 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste për pavarësinë e edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidentin Rugova e kam pyetur edhe për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 e që u pasua me zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992. Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo:

“Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”…

Zgjedhjet e dyta presidenciale e parlamentare Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.

Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova në liri ka mbajtur 8 palë zgjedhje parlamentare, 5 prej tyre pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete anëtare të OKB-së.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu