ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

“KOSOVA” në pesë vëllime e Buxhovit- hapi çështje të rëndësishme historiografike

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

(Shkëputje nga vlerësimi i jurisë profesionale me rastin e dhënies së Çmimit Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e Trashëgimisë Kulturore “Zef Mirdita” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës për vitin 2017)
“Kosova” në tri vëllime, e botuar në vitin 2012 si dhe plotësimi i saj në vitin 2015 në pesë vëllime (Antika, Mesjeta, Perandoria Osmane, Kosova 1912-1945 dhe Kosova 1945-1999) paraqesin të arriturën më të madhe të autorit në fushën e historiografisë, vepër kjo që njëherësh hap një kapitull të ri në historiografinë tonë, në saje të asaj ngaqë autori del me një qëndrim vlerësues jashtë kornizave të historiografisë ideologjike si dhe jashtë klisheve të historiografisë serbomadhe të Beogradit, e cila, me falsifikime të shumta, jo vetëm që ka shtrembëruar historinë shqiptare, por njëherësh ka krijuar platforma politike (tri memorandume e njohura të Akademisë Serbe të Shkencave) për zhdukjen e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnike me pasoja tragjike për shqiptarët dhe pozicionimin e tyre politik dhe shtetëror në konfigurimet gjeopolitike në Ballkan. Kështu, “Kosova” e Buxhovit në pesë vëllime, hapi disa çështje, të cilat preokupojnë historiografinë shqiptare, por edhe më gjerë, siç janë:
a) Ndërlidhja e lashtësisë shqiptare me atë pellazge, si një zhvillim të natyrshëm të një etnie me kontura të formuara shoqërore dhe politike në antikitet, prej nga autori nxjerr qëndrimin se origjina ilire, është vetëm një zhvillim i mëvonshëm i dalë prej saj. Lashtësinë pellazge autori e mbështet me faktorin gjuhësor, atë mitologjik si dhe atë arkeologjik, ku gjuha shqipe shfaqet në trungun e gjuhësisë së përgjithshme dhe jo si degë e veçantë deri më tani, ndërsa mitologjia si dhe kultura materiale nga gjurmimet arkeologjike, ndonëse e pahulumtuar sa duhet, dëshmojnë këtë vazhdimësi që lidhet me antikitetin. Dëshmimi i lidhjeve të shqipes me sanskritishten nga autorë të ndryshëm (Konda, Zhej, Katapano, Kripsi, Budimiri, Georgiev e të tjerë) si dhe raportet midis operatorëve pasivë në sanskritishte dhe atyre aktivë në shqipe, greqishte, latinishte, gjermanishte dhe gjuhë të tjera, ku këta të dytët vazhdojnë të jenë aktivë vetëm në gjuhën shqipe, vejnë në sprovë edhe klishetë e indoevropianishtes, të cilat edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të kufizojnë kundrimet jashtë tyre, që si të “limite” janë kthyer në pengesë të hulumtimeve shkencore;
b) Ridefinimi i rolit të Dardanëve, ku ata shihen si një faktor autentik, me të cilin lidhet qytetërimi i antikitetit në një shtrirje të gjerë nga Europa Qendrore, në Mesdhe e deri te Kaukazi. Dardanët e anashkaluar nga historiografia shqiptare (me përjashtim të studimeve të prof Zef Mirditës), në pjesën e dytë ( Kosova – Mesjeta), shfaqen si një urë lidhëse midis Ilirëve, Thrakasve si dhe Brygëve (Frigjeve). Krahas lidhjes së tyre me qytetërimin trojan si dhe rolin e disa fiseve (Galabrëve dhe Tunatëve) për themelimin e Romës, Autori sheh një vazhdimësi midis këtyre qytetërimeve si dhe rolit të Dardanëve në mesjetë në Perandorinë e Bizantit, ku ata shfaqen si epiqendër e këtij qytetërimi në momentet vendimtare, nga koha e perandorit Konstandin i Madh, kur ai pranon krishterimin si religjion zyrtar, dhe sidomos, gjatë kohë së Justinianit, me ç’rast Dardania kthehet në njërën ndër krahinat më të rëndësishme të Perandorisë si nga aspekti politik, po edhe ai kulturor dhe material. Autori përqendrohet te roli i Justinianit si dhe trashëgimia e qytetërimit dardan që vazhdon deri në shekullin XIII, kur bie edhe rëndësia e Rashës, prej nga fillojnë edhe pushtimet e kohë pas koheshe të feudalëve sllavë në këto pjesë;
c) Përjashtimi i çfarëdo mundësie të shtetit mesjetar serb në Kosovë. Autori në një formë radikale konfrontohet me këtë teze, duke e quajtur atë një sajesë ideologjike të hegjemonizmit serbomadh. Ky qëndrim mbrohet edhe me burimet e autorëve mesjetës (Kantakuzenit, Porfirogenit, Pahemije etj) si dhe disa autorëve serbë dhe rusë (Jastrebov, Novakoviç, Çirkoviç, Budimir e të tjerë), të cilët pranojnë konvertimin e dinastisë Nemanjane të Rashës e njohur si Rasia, Rasha etj me shtetin mesjetar serb që si i tillë nuk ka ekzistuar. Në këtë kontekst autori shikon edhe krishterimin si dhe rolin e ortodoksisë nga ndarja e kishave në shekullin XI, ku Iliriku administrohej nga kisha lindore, gjë që edhe tumir tezën se pjesa më e madhe e arbërorëve i takonin riti lindor, pra atij ortodoks, raportet këto që kanë ekzistuar deri në shekullin XVII, kur islamizimi i shqiptarëve do të fitojë në intensitet;
d) Perandoria osmane (Libri i tretë), po ashtu, paraqet një përpjekje që pesë shekujt e osmanëve në këto pjesë të shihen jashtë kundrimeve ideologjike. Autori bën një dallim midis fakteve historike (pushtimeve osmane) dhe realiteteve historike si fakte jetësore, me ç’rast, roli i rëndësishëm i shqiptarëve në ngrehinën administrative, ushtarake dhe politike të shqiptarëve gjatë këtyre pesë shekujve shikohet me realitetet jetësore. Këtu, autori, ndalet edhe te roli i pranimit të islamit nga shqiptarët si dhe ngritja e tyre në hierarkinë administrative dhe ushtarake të perandorisë. Autori mbron qëndrimin se shfaqja e lëvizjeve nacionale të sllavëve të jugut në fillim të shekullit XIX, shqiptarët i vuri para një dileme ekzistenciale: të mbrojtjes së territoreve të tyre nga gllabërimet sllave, me një platformë, siç ishte ajo e Rilindësve për shqiptarizmin e mbështetur mbi gjuhën shqipe, me çka u bë e mundur që faktori fetar (tri besimet) të vihet në shërim të shqiptarizmit. Në këtë aspekt mbrohet qëndrimi se shqiptarizmi në këto procese (nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e tutje), nuk u pengua nga islamizmi e as nga osmanizmi, por përkundrazi u shikuan si “aleatë” në ruajtjen e pranisë së perandorisë osmane në pjesën evropiane. Kjo formulë, sipas autorit, mund të kishte sukses po qe se Perandoria Osmane do të pranonte katër vilajetet shqiptare si një faktor etnik (Shqipërinë osmane), për të cilën u angazhua Hasan Prishtina në verën e vitit 1912;
e) Roli vendimtar i Kosovës në procesin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar nga viti 1878 e deri në vitin 1912, ku Kosova ishte epiqendër e të gjitha lëvizjeve që quan te krijimi i shtetit shqiptar. Për ndryshim nga historiografia e deritanishme ideologjike shqiptare, autori këtë proces e sheh me një dioptri tjetër, me ç’rast nxjerr përfundimin se shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar qendrën (Dardaninë, Kosovën) që mbeti nën pushtim serbo-jugosllav e ktheu në periferi, ndërsa periferinë (shtetin shqiptar) në qendër, gjë kjo që u pasqyrua më së miri me shkëputjen e gjysmës së etnisë së saj dhe mbetjen jashtë trungut shqiptar;
f) Përpjekjeve për bashkim kombëtar si dhe tragjiken që e përcolli atë i kushtohet një vëmendje e veçantë te libri i katërt (Kosova 1912-1945). Edhe këtu autori lëviz nga klishetë e historiografisë ideologjike shqiptare, e cila shikon njëanshëm këto zhvillime. Autori vë në pah logjikën shtetërore së cilës u desh t’i nënshtrohet shteti shqiptar nga Konferenca e Londrës dhe ajo e Paqes në Paris, ku u përligj ndarja e hapësirë shqiptare sipas Konferencës së Londrës. Me këtë rast shteti shqiptar hyri në një luftë të pakompromis me lëvizjen irredentiste të Kosovës të themeluar në vitin 1918 dhe me format tjera të rezistencës së armatosur kundër pushtimit të Beogradit (lëvizjet kaçake). Ky zhvillim tragjik u bë edhe më i rëndë pas intermexove të bashkimeve (asaj gjatë luftës së parë botërore, dhe gjatë luftës së dytë botërore), kur rikthimi i Beogradit pati pasoja tragjike. Kjo u pasqyrua veçmas pas përqafimit të ideologjisë komuniste nga shqiptarët, ku ata, në vitin 1945, i ndihmuan ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Bashkëpunimin komunist shqiptaro-jugosllav nga viti 1941-1948, autori i kualifikon si më tragjiken për shqiptarët e Kosovës, ngaqë komunistët shqiptarë ndihmuan jugosllavët që të vazhdojnë përpjekjet për gjenocidin shtetëror ndaj shqiptarëve;
g) Edhe shtetndërtimi i Kosovës në vëllimin V (Kosova 1945-1999), i kundruar mbi proceset nëpër të cilat kaloi statuti autonom i Kosovës, si “obllast” në vitin 1945 dhe si Krahinë Socialiste në kuadër të federatës jugosllave nga vitit 1968 e deri në rrënimin e kësaj gjendje në vitin 1989, paraqet një qasje origjinale të autorit, ku dallohen tri gjendje politike shoqërore: ajo e Kosovës serbe (1945-1968), e Kosovës jugosllave (1968-1989) si dhe e Kosovës së shkëputur nga Serbia (nga viti 1990-1999) kur do të fillojë të funksionojë shteti paralel i shqiptarëve i shpallur me kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 e deri te bombardimet e NATO-s, kur nga 12 qershor 1999, me rezolutën e OKB-së 1244 Kosova do të vihet nën protektoratin ndërkombëtar. Te kjo datë, pra te fillimi i protektoratit ndërkombëtar mbyllet kapitulli i pestë.
Këto kundrime të autorit paraqesin një të menduar ndryshe, me çka shumë nga këto pikëpamje, edhe po qe se do të kontestohen ose edhe të mos pranohen në tërësi, gjithsesi se i hapin rrugë një shqyrtimi që është i pandalshëm, me të cilin, historiografia shqiptare, deshi apo nuk deshi, duhet të merret.
Këtu duhet parë edhe rëndësinë e “Kosovës”, si një projekt individual, që duhet të vazhdohet institucionalisht por edhe individualisht.
Përkthimi i kësaj vepre në anglisht si dhe botimi i saj në SHBA para dy vitesh, me ç’rast ajo fitoi statusin e literaturës shkencore për Europën Juglindore, ndërsa autori u ftua që të mbajë ligjërata në disa universitete amerikane (Çikago, Sant Markos, Winskont dhe Teksas), tregojnë rëndësinë e saj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu