ARKIVI:
21 Tetor 2024

Kosova para 10 viteve përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare

Shkrime relevante

Shpërndaj

-Në 10- vjetorin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti priti në takim ish-Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith/

Nga Behlul Jashari

 

PRISHTINË, 12 Shtator 2022/ Para 10 vitesh, në vitin 2012, Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Kosova  me Axhendë Shtetërore në 17 Shkurt 2022 festoi  Ditën e Pavarësisë së shpallur para 14 vitesh në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 – të para 14 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Sot, në 12 Shtator 2022, në shënim të 10-vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Gjatë takimit rikujtuan 10 Shtatorin e vitit 2012, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Duke e falënderuar për kontributin e tij dhënë për Kosovën, Kryeministri Kurti e falënderoi Feith për prezencën e tij në shënimin e këtij përvjetori.

Kryeministri e njoftoi me të arriturat e gjithmbarshme të Kosovës, sidomos me progresin ekonomik dhe demokratik në vitin e fundit, ku Kosova edhe është ngritur për 17 vende në Indeksin e Transparency International dhe po aq vende në indeksin e lirisë së mediave, dhe se është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit sipas World Justice Project.

Feith e falënderoi Kryeministrin dhe tha se ndjehet i nderuar nga ftesa për të qenë prezent në këtë përvjetor, duke rikujtuar se roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka qenë i dobishëm dhe i ka ndihmuar Kosovës në përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe në krijimin e bazës kushtetuese për funksionimin normal të shtetit të ri.

“Së bashku risollën në kujtesë edhe disa nga aktivitetet gjatë kohës sa Pieter Feith ishte Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sikurse posteri ‘Feith No More’ e që sipas Feith ishte tregues i padurimit për të mbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë”, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Bëhet e ditur se, Kurti dhe Feith theksuan se Kosova është tregim suksesi i një shteti të ri dhe i zhvillimit të një shoqërie demokratike.​

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu