ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Kosova para një çerek shekulli, masakrat në pranverë nga forcat pushtuese serbe

Shkrime relevante

Ish kongresmenja demokrate samoane amerikane, sot si republikane Tulsi Gabbard, zgjidhet si Drejtore e Inteligjencës Kombëtare

Klajd Kapinova, New York Ish kongresmenja demokrate samoane amerikane, sot si republikane...

Mendon se lufta mund të përfundojë vitin e ardhshëm

Foto: Lars Eivind Bones / Dagbladet Marlene Lundberg Holm Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë...

Presidentja Osmani takoi ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të Forumit...

Shpërndaj

Prishtinë,  26 Mars 2024 

-Në Kosovë pranvera është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën liri dhe pavarësi/

Përkujtohen sot në 25 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe,  241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.

 Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrim etnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.

Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.

Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.

Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.

PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, VJOSA OSMANI SOT KA SHKRUAR:

25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha.

Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb.

Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë.

Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!

KRYEMINISTRI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ALBIN KURTI SOT KA SHKRUAR:

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.

Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.

Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtesa e Kosovës është e freskët.

Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.

Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.

Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

E paçin të përhershme lavdinë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu