ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Kosova priti gëzuar Vitin e Ri 2023, të 15 vjetorit të Pavarësisë e 24 vjetorit të Lirisë 

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Prishtina, mesnatë 2019-2020 – foto e Behlul Jasharit për Gazetën DIELLI dhe portalin DRINI

 

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë 

PRISHTINË, 1 Janar 2023/Në Kosovë, edhe me koncerte në sheshe e plot njerëz në festë u prit si tradicionalisht  Viti i Ri 2023,  i jubileut të 15 vjetorit të Pavarësisë e 24 vjetorit të Lirisë. Në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të dytë të shqiptarëve e më të ri evropian, Viti i Ri 2023 u prit gëzuar në sheshet Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti, Ibrahim Rugova,  Zahir Pajaziti, Xhorxh Bush, Bill Klinton, Medlin Olbrajt, Robert Doll 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në mesazhin për Vitin e Ri 2023, mes tjerash, theksoi: 

“Në këto ditë, sheshet e rrugët tona janë të mbushura. Në mesin e shumë njerëzve që dalin për të përshëndetur e uruar njëri-tjetrin janë shumë pjesëtarë të mërgatës sonë. Mirë se vini në atdheun tuaj! Jemi vërtetë të lumtur t’u kemi në mesin tonë. Dua që edhe juve në veçanti t’u falenderoj që vazhdoni të jeni zëri ynë e sytë tanë në kryeqendra e vendet të ndryshme rreth e rreth globit.” 

E ngjarja e vitit 2022  e Kosovës ishte kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Një ditë më parë në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti. 

E në prag të Vitit të Ri  2023 Qeveria kosovare në mbledhjen e 112-të ka themeluar Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Viti Ri – Prishtina 

Në Vitin e Ri 2023 Kosova  me Axhendë Shtetërore do festojë jubileun e 15 vjetorit të  Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00. 

 

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie në atë kohë drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”… 

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,   në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur. 

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. 

 

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës. 

Pas shpalljes së Pavarësisë Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete. 

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta, dhe 2018-ta. 

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij. 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008. 

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje. 

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë. 

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari. 

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. 

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë. 

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”. 

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë. 

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. 

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016… 

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999. 

Në 2023-tën festohet edhe 24 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar… 

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë… 

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve… 

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete. 

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. 

Viti i Ri 2023 i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës erdhi për të gjithë shqiptarët kudo edhe me një fastë tjetër pavarësie pas festës së madhe kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë … 

Forhåndsvisning av bilde

Shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të Shqipërisë të shpallur në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe të Kosovës të shpallur në Prishtinë  në 17 Shkurt 2008 . 

Gëzuar! 

*** 

Gëzuar Vitin e Ri 2023 

Edhe për shumë e shumë vite me gjithë të mirat  

Për të gjithë 

Gëzuar 

Si një kartolinë urimi po ju dërgoi edhe lajmin e pritjes së vitit të parë në liri në Kosovë, që e kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në 1 Janar 2000: 

ATA  Message 1 of 3 , Jan 1, 2000 

 

Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës

PRISHTINE, 1 janar /ATSH- B. Jashari/ - Afro 100 000 qytetarë në
Prishtinë e pritën Vitin e Ri në sheshe dhe rrugët e mbushura me borë në
shoqërinë e koncerteve dhe programe të ndryshme festive.
Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta.
Një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të
7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor “Nënë Tereza” të Prishtinës.
/dast/ 

http://www.hri.org/news/balkans/ata/2000/00-01-01.ata.html#06 

[02] Some 100 000 citizens welcome New Year on Prishtine Squares 

PRISHTINE, January 1 (ATA)-By B. Jashari, Nearly 100 000 citizens of Prishtine received the New Year on snow covered squares and streets in the company of various festive concerts and programmes. 

The capital of Kosova, which celebrated the New Year for the first time in freedom, was one of the five cities of the world from which the biggest TV centers carried live broadcasts. 

A message of solidarity, appealing for the rapid release of 7 000 Kosovar sons and daughters, who continue to be held hostage in Serbia’s prisons, was read at the main square “Mother Teresa” of Prishtine. /dast/lm/ 

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail: 

Albanian Telegraphic Agency 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu