Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
–Kryeministri Kurti në konferencë për media në 3-vjetorin e qeverisjes/
PRISHTINË, 22 Mars 2024/ Shqipërinë e kemi partneren tonë kryesore tregtare, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në 3-vjetorin e qeverisjes.
“Shqipërinë në vitin 2023 e kemi partneren tonë kryesore tregtare. Investimet nga Shqipëria në Kosovë ishin 5 herë më shumë në vitin 2022, sesa në vitin 2019. Abetaren e unifikuam, e filluam punën edhe për enciklopedinë shqiptare. Për të thelluar edhe më tej lidhjet, gjithashtu filluam ndërtimin e rrugëve që lidhin fshatrat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Kurti.
Ai theksoi se, Investimet të cilat po i bëjmë në infrastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon. “Kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren- Tetovë. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe gjithashtu, kemi bërë gjithçka nga ana jonë si palë për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, pra në marrëveshje me Malin e Zi”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.
Ai vlerësoi se, vitin 2024 Kosova e ka filluar si është më së miri në raport me marrëdhëniet me jashtë. “Deri më tani, ky vit është vit i pasaportës sonë, i fuqizimit të saj. Tash e tre muaj udhëtojmë lirshëm e pa viza në zonën Shengen, përfshirë këtu edhe Spanjën, që iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pasaportën e Kosovës”, tha Kurti.