Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
-Pesëmbëdhjetëvjetori i Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin histotik 2008 festohet në 24 vjetorin e lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.
PRISHTINË, 9 Prill 2023/ Kosova në 24 vjet Liri e 15 vjet Pavarësi feston Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 15 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.
Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.
Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.
Zhvillimet më të rëndësishme brenda 15 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.
Deri në 15 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Para 34 viteve, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.
Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.
Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Para pesë viteve, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëh do erë Presidenti Hashim Thaçi.
Pesëmbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 24 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.
***
Raportim që bëja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 15 viteve-9 Prill 2008:
PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS
PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. “Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit. Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai. “Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. “Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu. ”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu. Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi. Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene. “Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai. ”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi. “Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai. ”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Fatmir Sejdiu e Jakup Krasniqi – 15 qershor 2008 . Foto : Behlul Jashari
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë. Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
Kosove – Prishtinë, Newborn . Foto : Behlul Jashari , me 11 qershor 2016
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
Behlul Jashari – Dita e Kushtetutes së Kosovës