PRISHTINË, 31 Janar 2024/ Në Kosovë përkujtohen tre heronjët e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 27 vjetorin e rënies.
Në homazhet te lapidari, te vendi i rënies së tre heronjëve dhe te shtatoret e tyre e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot në Prishtinë bëri homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në 27 vjetorin e rënies së heronjëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
“Ata ishin nismëtarë të lirisë, ishin frymëzues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet guximit, trimërisë dhe sakrificës së tyre inspiruan mijëra djemë e vajza të UÇK-së që të luftojnë për lirinë e Kosovës dhe ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur e sovran”, është shprehur ajo.
Presidentja ka thënë se ata dëshmuan se çmimi i lirisë është i lartë, por që sot shteti i Kosovës të vetmin udhërrëfyes e ka trimërinë e heronjve si ata.
Para 27 viteve, në 31 janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/693201299374363/?ref=embed_video&t=3