ARKIVI:
23 Shkurt 2025

Kosovë – Reportazh i vitit 2010 për 100 vjetorin e lindjes së Nënës Tereze, në Katedralen “Nëna Tereza” janë ngritur flamujt e festës

Shkrime relevante

Më e bukura hakmarrje është të ndërtosh jetën tënde pa ta, të tregosh se tradhtia e tyre nuk të ka thyer…!

Halil Geci, Skenderaj ___ TRADHTIA: PLAGË QË S’SHËROHET KURRË ___ Kur të tradhëtojnë është sikur...

Afrim Caka për “fshatarizmat” dhe poshtërsitë anti-Kosovë të Lutfi Hazirit

Afrim Caka, Gjakovë “LYTFI HAZIRI E RESPEKTOVE KRRIҪIN E XHELATIT DHE KISHE...

Kështu përshkruhet Trump: – mediat ruse brohorasin

Vizatimi: Marvin Halleraker / Aftenposten Eksperti thekson se mediat ruse nuk kanë...

Algjeria refuzoi dhjetë herë të ndërmarrë veprime kundër terroristëve, Franca premton reagime

Burri mendohet se quhet Brahim Abdessemed. Document.no Algjeriani (37) që sulmoi dhe vrau...

Disa të goditur me thikë në një treg në Francë: – Terror islamist

Këtu, hetuesit e policisë punojnë në vendin e ngjarjes në qytetin...

Shpërndaj

Nëna Tereze duke e marrë Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Këtu nga ceremonia e ndarjes së tij në Oslo
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari
– Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës. Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian. I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim. Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai. “Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore. “Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi. Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë. Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe. Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”. Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës. Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor. “Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”. Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit. Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”. Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975. “Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë.
Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi. Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”. Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë. “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.
Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi. Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu