Shkruan: Dijana Toska, Shkup
Zgjohesh bashkë me menopauzën.Falenderohesh për mundësinë edhe të një dite të jetuar që jeta yte të dhuroj. Jashtë borë megjithë natyrën e përkryer,brenda teje zgjohen reagime speciale ideoemocionale, të sforcuara nga vitet pasmenopauzale. Dhe posa hap portalet i lexon lajmet kinse nga ato më te rejat dhe me lehtësi konstaton se janë të njejtat, po të njejtat që sillen e pështillen një periudhë të gjatë kohore, me protagonist politikë të rinj e të vjetër, personazhe kukulla që vendosin në emër të jetës time, ndërkohë që unë nuk ua di as biografinë e tyre personale, apo së paku atë mentalen…
Tituj bombastik lajme boshe, doza servilizmi, kameleonizmi, të një superstrukture të shoqërisë mjerane që për vite prodhon dhe ofron rreth e perçarkë vetes e vetvetes hierarki mediokër, aparatçikë të tredhur në tru. Kjo piramidë tranzitore si fryt i indoktrinimit dhe kauzës së marksizëm leninizmit, mosdijes, injorancës morri vëmendjen e sforcuar amatoreske në propagandën e kohës sonë, njëlloj si në romanin satirik të Dritëro Agollit,“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo“.
Dhe sot të gjendur mes komikes e tragjikes të një burgu transnacional, jemi dorëzuar kemi humbur udhën tonë në oborin tonë. Rrugën e tranzicionit shoqëror si duket e kemi përzier me menopauzën si proces tranzitor në jetën e njeriut, burra e gra, padallim. Niveli i hormoneve na ka topitur ndjenjat kolektive,pjellshmërin mendore, ndjeshmërinë, na ka ul tensionin e gjakut sa që edhe nevojën me u anku publikisht e kemi futur në listën e luksit.Depresionin kolektiv si fenomen nacional po presim të na e shërojnë fuqitë e mëdha si regjisor të dramës tonë dhe të na caktojnë rolet globale që duhet ti luajmë pandam intereseve të tyre strategjike tranzitore në rajon.Ne jemi popull i miteve dhe me intelegjencë emocionale bukur mirë të zhvilluar kemi ditur maestralisht ti luajmë rolet tona tragjike në jetë, duke e përzier revolucionin me menstruacionin ndërkohë që me të njejtin gjak kemi shkruar historinë tonë të lavdishme.
Ne jemi popull i shpresës, kemi votuar Zyloshat e ditëve tona dhe natyrshëm po presim që të na zbukurojnë me trandafila rrugën false të jetës nacionale.Falë tyre jemi shpallur populli më i lumtur në rajon, madje falë pagesës së tyre sondazhet bulevardeske na kanë shpallur popull të adrenalinës që nga lavdia e rrejshme të egzaltohemi deri në atë masë sa duhet të harrojmë historinë e gjeografinë tonë. Ne jemi shndëruar në dëshmitarë historik të lajthitjeve nacionale dhe po heshtim pafalshëm në këto momente kritike hormonale, kundrejt atyre që na propagojnë klimaksin e kotësirave shqiptare, sepse na mban shpresa e shkretë infantile se i solli në skenë një erë që kundërmon ngjashëm me ciklin mujor të një adoleshenteje.
Klimaksi nacional me gjithë efektet e saja kriminogjene na ka bërë bashkëpjesëmarës të këtij trupi neurotik dhe nëse nuk ndërgjegjësohemi dhe kërkojmë terapi urgjente puro nacionale me multiplex efekte, do të mbetemi në mëshirën e vitamineve evropiane me afat të skaduar të cilat pothuajse në kontinuitet më shumë kanë prodhuar nus efekte, të cilat në vend që të na shëndrisin mendjen na kanë shtuar libidon si kontraindikacion kolektiv.
Rruga nacionale kërkon ndërgjegjësim kombëtarë, nevoj me mendu e reflektu, nevoj me protestu e me u bashku, nevoj me guxu, me u integru e mishëru me civilizimin. Nevoj imanente me e respektu vetveten pak më shumë, për ta tejkalu këtë tranzicion të klimaksit nacional me pak më shumë dinjitet e krenari.
KLIMAKSI troket një çast në jetën e çdo njeriu, a troket një herë, dy a tri varet nga porta mentale që ke vendosë në oborrin e ndërgjegjes tënde.Dashunia do të trokas në të gjitha fazat e nënfazat e jetës do të të thëras ti thyesh zinxhirët, ti flakësh pengesat, të dalësh në sipërfaqe, të dhurosh dashuni deri në dhembje, nëse do që të mësosh dhe perjetosh dashuninë e vertet e cila nuk është pronë e askujt por mision universal është rol i jetës tënde që do e luash vet në dramën e përgjithshme nacionale.