Muharrem Miftari/RTKlive
(E plotësuar)Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në RTK Prime ka folur për shumë çështje që preokupojnë shoqërinë tonë, me theks të shtuar raportin e institucioneve shtetërore me fenë, për arsimin dhe grevën, për dialogun Kosovë-Serbi, për Ballkanin e Hapur, për Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dhe një sërë çështjesh tjera me interes.
Për çështjen e krizës energjetike akademik Kraja tha se nga Akademia është ofruar raporti i ekspertëve, ku, sipas tij, Kosova gjendet midis dy nxitjeve të kundërta: “të mos zgjerojë kapacitete elektrike nga energjia me bazë fosilet, por nga energjia ripërtëritëse e nga ana tjetër ka mungesë të energjisë.”
Në këtë aspekt, akademik Kraja sqaroi se sipas ekspertëve, Kosova nuk ka mundësi tjetër, pos të shfrytëzojë kapacitetet me bazë fosile, por jo të prodhojë më tepër se që është e nevojshme, por në një formë të plotësimit të kapaciteteve të nevojave vendit.
(E plotësuar) Kraja:Mediet të jenë katalizatorë në nxitjen e qeverisjes
Duke qenë që ka punuar gjatë në medie, akademik Kraja vlerësoi se për një kohë të shkurtë mediet kanë pësuar ndryshime të mëdha
“Mediet po shkojnë në drejtim të monopolizimit duke shërbyer ata që financojnë”, shtoi kryeakademiku Kraja.
Qëndrimi paanshëm i mungon medies në Kosovë, sepse është profilizuar politikisht dhe qartë dihet se nga anon.
“ Në shumicën e rasteve nuk shikojnë profilin etik”, theksoi akademik Kraja.
Ai më tutje theksoi se roli i medieve duhet të jenë katalizatorë që nxit qeverisjen e mirë.
Në kuadër të kësaj akademik Kraja mori si shembull kritikat e medieve që, sipas tij nuk janë gjithëpërfshirëse.
Si shembull ai mori Komunën ë Prishtinë, kryetarin e saj, Përparim Rama, i cili sipas tij nuk ka bërë asgjë në të mirë të komunitetit.
“Prishtina është gjysma e Kosovës me popullsi dhe ka kaluar një verë nga më të shëmtuarat që ka pasur ndonjëherë deri më tani dhe asnjë kritikë nuk është shfaqur ndaj Përparim Ramës e as ndaj LDK-së”, deklaroi akademik Kraja.
Sipas tij, Përparim Rama, brenda një viti ka marrë 12 milionë euro dhe ua ka dhënë shokëve të vet për konsulencë, asnjë kritikë për këtë.
“Asnjë hap në përmirësimin e infrastrukturës brenda qytetit”, tha, mes tjerash, akademik Kraja.
“Përparim Rama me punën e tij, nuk i afrohet as kungjave të Shpend Ahmetit”, tha akademik Kraja.
Sipas tij, krejt çfarë ka bërë kryetari aktual i Prishtinës është ngjyrosja e trotuareve që shlyhen sapo bie shi.
(E plotësuar) Kraja: Kosova kafshatë e madhe, Rama po shkon drejt tradhtisë
Lidhur me Ballkanin e Hapur në raport me ndërkombëtarët na intereson në një pikë, Ballkani gjithëpërfshirës, që liderët e rajonit nuk e thonë, në të kundërt nuk vlen, ka problem, tha Kraja.
Duke kritikuar Ramën dhe Vuçiqin për qasjen e tyre, akademik Kraja thekson se Ballkan i Hapur duhet të jetë me parime të barazisë.
“Kosova refuzon këtë projekt, sepse nuk është në pozicion të barabartë”, vuri në dukje akademik Kraja.
Ai tha se Kosova është kafshatë e madhe për ta përtypur, edhe nga Vuçiqi edhe nga Rama, sepse ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë tradhtarë kjo çështje.
“Nëse Rama mendon të bëjë një urë duke anashkaluar Kosovën, historia do ta gjykojë për këtë”, deklaroi Kraja.
Me qëndrimet e tij, Kraja tha se Rama po tradhton.
Ai riktheu në vëmendje edhe historinë kur marrëdhëniet e Shqipërisë ishin të ngushta me ish- Jugosllavinë (Serbinë), por që kanë dështuar e gati kanë përfunduar në tradhti.
(E plotësuar) Kraja: Abazoviq objekt manipulimi nga blloku proserb
Akademik Kraja për zhvillimet në Mal të Zi, vlerësoi se duhet pasur kujdes, sidomos mediet kosovare.
Abazoviq, sipas akademik Krajës, bëri një qeveri proserbe, pastaj si kryeministër përsëri bëri qeveri proserbe, duke e marrë përsipër vetë.
Tutje kryeakademiku sqaroi se Abazoviq është objekt i manipulimit nga të dyja blloqet. Më e dhimbshme, sipas tij, është për ne që ai u manipulua dy herë, nga blloku proserb.
Tani, theksoi mes tjerash akademik Kraja, sërish është duke bërë një qeveri proserbe që është në proces, duke shtuar se Abazoviq ka probleme edhe me malin e Zi, sepse marrëveshja e tij me Kishën Ortodokse Serbe, siç tha ai, cenon Malin e Zi.
“Kisha Autoqefale e Malit të Zi është në proces, që e bllokon kisha Ortodokse Serbe”, deklaroi Kraja.
Teksa sqaroi anën historike të çështjes së kishës në Mal të Zi, Kraja shtoi se kjo është çështje fetare, politike e historike.
(E plotësuar) Kraja: Asociacion që nuk prish funksionalitetin e shtetit të Kosovës
Akademik Kraja sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, vlerësoi se vetë Brukseli ka pasur qasje jo të drejtë ndaj kësaj çështjeje.
Sa i përket emërimit të këshilltarëve të Macron dhe Sholz për ta mbështetur dialogun Kosovë Serbi, kryeakademiku Kraja theksoi se kjo është bërë për ta fuqizuar rolin e Lajçakut në dialog.
Më tej akademik Kraja foli për marrëveshjet e arritura në Bruksel, në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë.
“Nuk po bëhen kapituj të rinj. Në fakt si duhet hapur kapituj të rinj kur ende nuk janë kryer marrëveshjet e arrira më herët”, theksoi akademik Kraja.
Ndërkaq lidhur me asociacionin, akademik Kraja shtoi se kjo është një çështje që është lënë hapur që nga marrëveshja e Vjenës që është përfshirë në Pakon e Ahtisaarit.
“Asociacioni duhet të ketë një gjë, që nuk duhet prishë rendin kushtetues dhe kjo nënkupton që qeveria e Kosovës duhet të hapë një dialog me serbët lokalë, një asociacion që avancon të drejtat e minoritetit serb e që nuk prish funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, sqaroi ndër të tjera akademik Kraja.
(E plotësuar) Kraja për grevën në arsim: Prapa saj qëndron opozita
Lidhur me grevën në shkolla dhe jo vetëm, kryeakademiku Kraja vlerësoi se është me motiv politik
“Mendoj që greva është politike, ekskluzivisht është politike”, theksoi akademik Kraja në RTK Prime.
Më tej ai theksoi se liderët politikë është mirë të tregojnë se si po mendojnë të përfitojnë prej kësaj situate.
“Nëse opozita do që ta rrëzojë qeverinë, le ta bëjnë në forma të tjera, por jo duke manipuluar fëmijët”, deklaroi ai.
“Kosova në të kaluarën ka përdorur arsimin, por për çështje madhore, për liri”, theksoi mes tjerash kryeakademiku Kraja.
Kraja përmend takimet e kryetarit të Këshillit Grevist me partiteë opozitare, të cilat e mbështesin.
(E plotësuar) Kraja: Akademia është kritikuar për të krijuar opinion mbi të
Kryetari i ASHAK-ut foli për këtë institucion të lartë shkencor e kulturor, duke e vlerësuar si të përgjegjshëm karshi rrethanave në të cilat ndodhet jo vetëm ky institucion, por edhe vetë shoqëria, shteti dhe institucionet e saj.
Sa i përket kritikave kundrejt Akademisë, Kraja u shpreh se nganjëherë kanë arsyeshmërinë, duke pasur argumentin brenda saj, që i vlerësoj si qëllimmira, porse ka edhe kritika që nuk kanë fare argument.
“Akademia ka individ dhe individualitete”, tha kryetari i ASHAK-ut,Mehmet Kraja.
Më tej ai sqaroi se kritikat kundrejt akademisë vijnë nga persona që kanë konkurruar të bëhen anëtar të Akademisë por nuk janë bërë, që janë goxha shumë, sepse në këtë institucion konkurrojnë thuajse çdo katër vjet për t’u bërë anëtar i këtij institucioni, si dhe grupi tjetër ka të bëjë me OJQ-të, që kanë kritikuar punën e aktivitetin tonë, sipas tij, kritikë e financuar që nuk do të duhej ndodhte, me qëllimin e vetëm të krijojë opinion mbi Akademinë.
(E plotësuar) Kraja: Kosova, sipas Kushtetutës, është shtet laik
Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në RTK Prime ka folur për shumë çështje që preokupojnë shoqërinë tonë, me theks të shtuar raportin e institucioneve shtetërore me fenë, për arsimin dhe grevën, për dialogun Kosovë-Serbi, për Ballkanin e Hapur, për Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dhe një sërë çështjesh tjera me interes.
Sa i përket çështjes së shamisë kjo qe problematizuar së fundi pak para se të fillonte viti shkollor, por ne nuk reaguam, sepse, në esencë, asgjë nuk ndryshoi, mbeti ashtu siç ka qenë.
Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, sqaroi aktivitetin e kësaj akademie për çështje të caktuara, duke kritikuar seksionin e shkencave shoqërore, si obskurantiste, duke neglizhuar çështjet aktuale që preokupohet shoqëria dhe shteti.
“Ata, në njëfarë forme, janë kthyer në një opozitë të vetvetes, por unë konsideroj se kjo çështje, pra raporti i institucioneve të shtetit me fenë, do të duhej trajtuar edhe në nivelin akademik”, theksoi akademik Kraja.
Ndërsa foli për shaminë, kryeakademiku Kraja veçoi dy gjëra: “Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kosova është përcaktuar si shtet laik, pra nuk është shtet sekular, por është shtet laik. Në shtetin laik, institucionet e fesë janë të ndara nga institucionet e shtetit. Feja nuk mund e nuk duhet të ketë asnjë ndikim mbi institucionet e shtetit, sikundër që ndodhë edhe e kundërta. Ndërkaq në shtetin sekular, shteti merr qëndrim neutral ndaj fesë dhe në rastin tonë, ne, duke qenë shtet laik, feja nuk ka punë në institucionet e shtetit. Por një gjë duhet theksuar se ne na mungon ligji për fenë që do të sqaronte mënyrën e veprimit që për këtë fajëson dy-tri legjislaturat e shkuara në Kosovë, që nuk e kanë proceduar dhe miratuar këtë ligj. Për shkak të mungesës së këtij ligji ne do të kemi problem edhe me Këshillin e Evropës, si dhe do të kemi probleme kur do të konkurrojmë për pranim në UNESCO”.
Ai i bëri përgjegjës të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, sepse janë duke manipuluar, ngase, sipas tij, ky ligj kërkon konsensus politik mes partive parlamentare, meqë shumica e partive bëjnë kalkulime elektorale.
Kraja ngarkoi edhe BIK-un për këtë punë, sepse në shumë raste ka qenë bllokuese e këtij ligji. “Bashkësia Islame bën përfaqësimin shpirtëror, jo përfaqësim politik”, sqaroi akademik Kraja.
Ndërsa si çështje e dytë, sipas Krajës, është se përdorimi i shamisë vendos problemin e identitetit. Sa herë që është mbivendosur identiteti fetar mbi atë kombëtar, neve na kanë prodhuar situata problematike në vend.
“Jo rastësisht probleme të tilla iniciohen në momente kritike për Kosovën. Nëse islammi politik futet në politikën e Kosovës ata kanë një llogari, sikundër edhe paritë politike që kalkulojnë me fenë edhe ato kanë llogaritë e veta”, tha akademiku Kraja.
Tutje, kryeakademiku Kraja theksoi se ka synime që Kosova të bëhet Republikë Islamike dhe kështu do të ndërrohej kahja e perspektivës Euroatlantike.
Akademik Kraja theksoi se trajtimi i kësaj çështjeje nuk ishte momenti i duhur politik ndërkombëtar.