Nga: Arif Ejupi
Klubi futbollistik Llapi i Podujevës në të kaluarën të shumtën e kohës anëtar i Ligës së Parë Krahinore të Futbollit të Kosovës, me të drejtë është cilësuar dhe cilësohet si burim i pashtershëm talentesh të futbollit.
Nga kjo skuadër që po i ofrohet gati një shekulli veprimtarie kanë dalë yjet e njohura si:Fadil Vokrri,Esat Mehmeti, Selatin Vokrri, Mirko Kecejeviq, Shukri Paçarada, Bedri Muçolli, Rifat Blaku, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Emin Simnica, Shukri Shabani, Islam Ajeti, Shefqet Osmani, Emin Ajvazi, Sabri Miftari, Rasim Ymeri, Avni Stublla, Adil Vokrri, Luan Salihu, Rrustem Podvorica, Isak Ibrahimi, Rifat Hajdari, Bejtush Bejta, Ragip Stublla, Fehmi Podvorica, Fadil Kodraliu, Fidaim Konushevci, Naser Hyseni, Isa Blakçori, Bekim Muliqi,Bedrudin Havolli, Islam Visoka, Xhavit Havolli etj, etj.
Gjatë historisë së tij të bujshme KF Llapi është ballafaquar edhe me vështirësi të shumta, sidomos gjatë fundviteve të shekullit të kaluar.
Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia në komunën e Podujevës u krijuan edhe dy klube të tjera të futbollit KF “Hysi “ dhe KF”Besiana”.
Duke menduar që këto dy skuadra do të kenë jetëgjatësi shumica e të rinjve llapjanë u angazhuan në to.
Në fakt të dyja skuadrat llapjanë anëtare të Superligës së Kosovës për aq kohë sa zhvilluan gara u treguan mjaft të suksesshme. Madje u bënë edhe Kampione të Kosovës në futboll.
Mirëpo, ky sukses ishte i përkohshëm ngase të dyja këto klube u shuan shumë shpejtë në mungesë aksionarësh të rregullt.
KF Llapi që gjatë kësaj periudhe bënte gara në një rangë më të ultë po ashtu kishte probleme të mëdha financiare.
Të gjithë ata që ishin të lidhur ngushtë me Llapin e dhjetëra ikonave të futbollit jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi, ishin në ethe dhe druanin që edhe KF. Llapi, mund ta ketë fatin e njëjtë me dy skuadrat rivale të këtij qyteti.
Mirëpo, si një feniks në skenë u shfaqën vëllezërit Batatina, atdhedashës të njohur dhe sipërmarrës të dalluar.
Tahir Batatina profesor i Edukatës Fizike nga dashuria e zjarrtë për futbollin dhe Llapin,me të cilin u rrit do ta braktis profesionin e instruktorit në Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës, dhe me mish e shpirt do të jepet pas kësaj skuadre krenari jo vetëm e llapjanëve por e të gjithë shqiptarëve.
Ai së bashku me vëllezërit e tij Bejtushin,Beqirin dhe Amrushin KF. Llapin e ringjallin shumë shpejtë.
Fusha që ishte në gjendje të mjerueshme dhe që vazhdimisht kontestohej për zhvillimin e ndeshjeve me ardhjen e vëllezërve Batatina në krye të KF Llapi,jo vetëm që rregullohet por është nga më të mirat në Republikën e Kosovës.
Me vëllezërit Batatina KF. Llapi bëhet joshës dhe i lakmueshëm për trajnerët dhe lojtarët më të mirë në Kosovë e rajon.
Në këtë skuadër Kampione të Kosovës dhe dyherë fituese e Kupës së këtij vendi ishin dhe janë të angazhuar futbollistët më të mirë të Kosovës. Sot, shumica e ish-lojtarëve të Llapit luajnë në Liga të ndryshme të Evropës dhe Turqisë.
Mundi dhe investimi disa milionësh i vëllezërve Batatina u shpërblye me ftesat që përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha ua bëri futbollistëve perspektivë dhe të talentuar të KF Llapi,Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni ,ndaj Izraelit përkatësisht Zvicrës,ndeshje këto të vlefshme për kualifikime në” Euro 2024” që do të mbahet në Gjermani.
Krasniqi dhe Hyseni me angazhim maksimal në ndeshjen kualifikuese ndaj Zvicrës në stadiumin Parc Saint-Jacques të Baselit kënaqën të gjithë shikuesit.
Edhe pse kombëtarja e Kosovës në këtë përballje u paraqit me shumë mungesa falë shkathtësisë së Hysenit barazoi rezultatin në 1 me 1 me Zvicrën.
Ekspertë dhe analistë të njohur të futbollit në Zvicër si Krasniqin ashtu dhe Hysenin i konsiderojnë si lojtarë me të ardhme të ndritur.
Nëse,Krasniqi dhe Hyseni vazhdojnë me formën e tashme së shpejti do të jenë në“radarët”e shumë skuadrave me emër në Evropë.
Ky sukses i jashtëzakonshëm e ka adresë punën dhe investimin shumëvjeçar të vëllezërve Batatina,të cilët KF. Llapin e dikurshëm të luadheve dhe arave të Dumnicës së Podujevës e bënë pjesë të arenave ndërkombëtare të futbollit.