ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Krimet serbe në Deçan dhe Junik

Shkrime relevante

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Shpërndaj

MSc. Adem Lushaj , Deçan
____
9-11 gusht 1998
Operacioni serb i gushtit dhe përdorimi i raketave tokë-tokë
(Pjesë e shkëputur nga libri “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit)
***
I tërë Rajoni i Dukagjinit ishte kapluar nga flakët e luftës. Popullata jetonte nën ethet e ndonjë ofensive tjetër të forcave serbe. Në këtë atmosferë të nderë e të frikshme rritej çdo ditë e më shumë mobilizimi popullor, ndërkohë që edhe forcat serbo-sllave shtoheshin dita-ditës.
Sulmet serbe në njërën anë dhe vetëmbrojtja e popullit, i prirë nga ushtarët e UÇK-së, në anën tjetër, ishin të vazhdueshme. Akte të këtilla ndodhnin në çdo lokalitet të Deçanit. Kishte konfrontime të rrepta në Prejlep, Llukë, Carrabreg, Rastavicë e deri te Beteja e Loxhës-Pejë.
Në gusht të vitit 1998, më 9 gusht 1998, forca të shumta serbo-sllave, në fshatra të ndryshme të Deçanit, ndërmorën ofensivën e njohur si “tokë e djegur”. Ofensiva shkatërruese kishte përfshirë edhe Junikun. Ishin sulmuar fshatrat Hereq (fshat në Komunën e Gjakovës), Gramaçel, Shaptej, Dubravë, Baballoq, Rastavicë, Prejlep, Irzniq, Gllogjan, Carrabreg, etj. Për tri ditë me radhë nuk kishin pushuar sulmet serbe. Granatimet ishin të vazhdueshme. Qenë përdorur edhe raketat e tipit, tokë-tokë. Popullata ishte detyruar të largohej dhe të gjente strehim nëpër vendbanime të tjera të Deçanit, Pejës, Gjakovës. Pas tri ditësh këmbësoria serbe kishte hyrë nëpër çdo fshat, nëpër çdo shtëpi. Kishin plaçkitur çdo gjë me vlerë dhe më pas kishin djegur çdo gjë mbi tokë. Në këtë ofensivë shfarosëse ishin vrarë e plagosur shumë njerëz moshash të ndryshme. Askënd nuk e kishin kursyer.
Dëshmitarja Xhejrone (Fetah) Lushaj, e lindur 15 tetor 1976 në fshatin Shaptej, ka rrëfyer se si ishin detyruar t’i lëshonin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në fshatra më të sigurta.
“Mëngjesi i 9 gushtit i vitit 1998 nuk shlyhet nga mendja. Kemi qenë të detyruar të largoheshim nga fshati ynë. Granatimet ishin të vazhdueshme. Granatonin nga Biteshi, nga Podi i Gështenjave, Suka e Baballoqit… Nuk mund t’a dinim nga vinin predhat vrastare. Ata na i dogjën edhe shtëpitë. Me djegien e shtëpive ne mbetëm pa asnjë dokument identifikimi”- ka thënë ajo në dëshminë e 3 gushtit 1999.
Ngjarjen e kësaj dite e ka përshkruar për ICG-në në formë dëshmie edhe Shyhrete (Zekë) Lushaj, e lindur më 5 maj 1978 në fshatin Shaptej. Ndër tjerash ka thënë:
“Atë ditë forcat serbe sulmonin pandërprerë fshatin tonë. Nuk na mbeti zgjidhje tjetër pos largimit nga shtëpitë tona. Qëndruam disa ditë në fshatin Broliq, në shtëpinë e Musa Çekaj (vëllai i Sali Çekaj). Shtëpitë i kishim krejtësisht të djegura. Pas disa javësh u detyruam të largoheshim nga Broliqi. Ishte shtatori i 1998-ës, kur morëm rrugën për në Shqipëri. Kaluam përmes Bjeshkëve të Nemuna. Rrugës teksa po largoheshim, diku afër kufirit me Malin e Zi, u ndaluam nga forcat serbe. Ata i ndanë burrat nga gratë. I rrahën në mënyrë barbare. I shkelmonin dhe i godisnin me çka kishin në duar. Disa nga të rrahurit janë: Bislim Lushaj, Driton Lushaj, Petrit Lushaj dhe Zenel Lushaj”.
Teksa në kolonë po vazhdonin rrugën për Mal të Zi predhat kishin goditur e plagosur mjaft refugjatë.
Njëra nga të plagosurat është Afërdita (Xhemë) Hajdaraj, e lindur më 14 shkurt 1965 në Shaptej.
“Dita 9 gusht e vitit 1998 e gjeti fshatin tonë të granatuar nga ushtria dhe forcat policore serbe. Ata përdorën edhe artileri të rëndë. Banorët u përpoqën të largoheshin. Ishim afër shkollës, kur u qëllova nga pjesët e granatave. Kisha dertin e fëmijëve, prandaj nuk e ndjeja gjakun që më rridhte nëpër kokë. Ashtu e përgjakur kemi marrë rrugën për në Ratish. Ndërkohë ka ardhur burrim im, Rexhepi, i cili na ka dhënë ndihmën mjekësore. Nga Ratishi kemi marrë rrugën për në Strellc të Poshtëm, duke gjetur strehim në familjen Hasanaj”,- ka thënë ajo në dëshminë e dhënë më 4 gusht 1999.
Fat të njëjtë kishte pasur edhe Nezir (Lush) Lushaj, i lindur më 29 dhjetor 1958. Neziri ka treguar për granatimet e shumta që ishin drejtuar kah qytetarët që iknin me traktor, multikultivator apo këmbë, si dhe rrugëtimin e mundimshëm drejt Shqipërisë.
“Për shkak të granatimeve të pandërprera të forcave ushtarake dhe policore serbe ishim të detyruar të largoheshim nga fshati. Morëm rrugën kah shkolla që të dilnim kah vreshtat e kooperativës bujqësore në Irzniq. Një granatë bie në afërsi të traktorit, duke më lënduar mua dhe disa të tjerë. Ashtu i plagosur kemi marrë rrugën për në Broliq. Aty kemi qëndruar deri më 9 shtator të vitit 1998. Edhe nga aty u detyruam të iknim, ngase u ndërmor një ofensivë e egër në gjithë zonën e Dukagjinit. Nuk kishim rrugëdalje tjetër, pos rrugës për në Shqipëri. Duhej kaluar nëpër Bjeshkët e Nemuna. Me të arritur në fshatin Mete (Komuna e Plavës), policia dhe ushtarët serbë na ndaluan. Aty i rrahëm rëndë dhe i keqtrajtuam egërsisht disa të rinj, në mesin e tyre edhe djalin tim, Dritonin dhe djalin i vëllait, Petritin. Në fund na urdhëruan që të shkonim për në Shqipëri”,-ka treguar Neziri në dëshminë e dhënë më 4 gusht 1999.
Jo të gjithë banorët kishin mundur të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Të moshuarit e mbetur tek-tuk në pamundësi arratisjeje ishin maltretuar dhe shumë prej tyre edhe vrarë. Vrasjet e tyre dolën të kishin qenë mizore. U gjetën të dekompozuar në gropa, puse, por edhe të djegur në shtëpitë e tyre. Në Shaptej ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj Gjyke Hajdaraj. Ndërsa në Prejlep Sylë Qufaj dhe Brahim Lokaj. Në Gramaçel Misin Jasiqi. Në Gllogjan ishte gjetur i vrarë Halil Sejfijaj. Në fshatin Baballoq, në shtëpinë e saj, ishte djegur për së gjalli Hyre Tahiraj. Ndërsa, Ethem Selmonaj ka humbur pa gjurmë.
Adem (Sylë) Qufaj, i lindur me 16 tetor 1941 në Prejlep, e kishte gjetur babain e tij të vrarë e të hedhur në një gropë septike. Në dëshminë e dhënë më 23 gusht 1999 ka deklaruar:
“Policia serbe, më 9-11 gusht 1998, kishte ndërmarrë ofensivë ndaj fshatit tonë, duke shkatërruar çdo gjë mbi sipërfaqe të tokës. Nuk kishte kursyer askënd, as të moshuarit. Nëna u plagos dhe e dërguam te vëllai në Deçan. Babai, Sylë (Pajazit) Qufaj (1920), ishte gjymtuar e nuk mundëm t’a tërhiqnim nga shtëpia. Pas ofensivës së dytë (9 shtator 1998), u ktheva nga Isniqi në fshatin tim dhe gjeta kokën e babait në tualet, kurse pjesën tjetër të trupit në një gropë septike. Me ndihmën e disa personave arrita që t’a tërhiqja kufomën e babait dhe t’a varrosja në Prejlep”.
Fatin e njëjtë e kishin edhe tre anëtarët e familjes Ukaj nga Ratishi i Poshtëm. Tre vëllezërit, Isuf, Sadri dhe Adem Uka prej familjarëve të tyre janë gjetur të vrarë. Për vrasjen e tyre ka dëshmuar edhe kushëriri i tyre, Sylë (Ramadan) Ukaj, i lindur me 25 dhjetor 1954.
”Më 8 gusht 1998 bashkë me familjen u strehuam në një mal. Paramilitarët serbë erdhën në fshat. Fillimisht plaçkitën çdo gjë me vlerë e më pas dogjën shtëpitë e Sylë Ukaj, Isuf Ukaj, Sadri Ukaj, Sali Ukaj, Azem Ukaj, Zeqë Ukaj, Miftar Ukaj dhe të Sokol Ukaj. Derisa po fshiheshim në mal policët dhe paramilitarët serbë vranë Sadri Ukaj, Azem Ukaj dhe Isuf Ukaj”- ka thënë Syla në dëshminë e dhënë më 8 dhjetorë 1999.
Ndërsa, Demë (Isuf) Ukaj, i lindur më 1 qershor 1959, ka treguar se si e kishte gjetur të vrarë babanë e tij dhe dy axhallarët.
“Ishim të detyruar që të fshihemi në mal, ngase sulmet ishin të ashpra dhe fshati filloi të digjet. Forcat serbe i kapën dhe i vranë tre vëllezërit Isuf (Ramadan) Ukaj, Sadri (Ramadan) Ukaj dhe Azem (Ramadan) Ukaj. Njëri prej autorëve të krimit quhej, Novak Vllahoviç. Pas tri ditësh i kemi varrosur viktimat”,-ka thënë Demë Ukaj në dëshminë e dhënë më 8 dhjetor 1999.
Në ofensivën serbo-sllave të gushtit kishte shumë të vrarë e të plagosur. Pothuajse në çdo fshat e në çdo lagje. Fshatrat ishin të boshatisura, të djegura e të plaçkitura. Mbi 90 përqind e fshatrave që ishin të përfshira në këtë ofensivë të forcave serbe, ishin të shkatërruara. Nuk ishin kursyer as bagëtitë. Po realizonin ofensivën e “tokës së djegur”.
Numër i shumtë i atyre që ishin nisur në drejtim të Shqipërisë, qoftë për t’u furnizuar me armatim apo edhe të gjenin strehim, kanë mbetur nëpër Bjeshkët e Nemuna.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu