Don Lush Gjergji, Prishtinë
Historia e njerëzimit ndahet në dy pjesë themelore: para dhe pas Krishtit. Pyetja kryesore është kjo: çka ka ndryshuar me lindjen, ardhjen, mishërimin e Jezu Krishtit prej Virgjërës Mari në shpellën e Betlehemit? Shumë, gjithçka, pasi Zoti dhe Njeriu nuk janë më të largët, të panjohur, armiq, por afër – bashkë, sepse Ai erdhi për ta ndërruar, përmirësuar, pajtuar njeriun me Zotin, të afërmin, vetveten. Më njeriu nuk është më vetëm njeri, por edhe më shumë, Vëlla apo Motër, në Krishtin parafytyrim i vetë Zotit, pasi Ai është identifikuar me çdo njeri.
Më nuk ka njerëz të privilegjuar, sundimtarë, dhe njerëz të nënshtruar dhe robëruar, gjësend, objekt, që mund të shiten dhe të blihen.
“Nuk ka hebrenj – grekë! Nuk ka më skllav – i lirë! Nuk ka më mashkull – femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 3, 28), bij apo bija të Zotit, të lirë, përgjegjës për vetveten, njëri-tjetrin, të frymëzuar dhe të motivuar nga e Vërteta dhe Dashuria.
Mirëpo historia fatkeqësisht përsëritet. “Në bujtinë nuk pati vend për ta” (Lk 2, 7, flitet për Marinë shtatzënë dhe për Jozefin në Betlehem. Edhe sot shumë njerëz janë të mbyllur, të ngujuar dhe të robëruar prej materializmit, konsumizmit, hedonizmit, relativizmit dhe ateizmit praktik, kështu që në jetën, zemrën, ndërgjegjen e tyre, nuk ka vend për Zotin – Dashuri dhe për Vëllain apo Motrën – Njeri, si do të thoshte Shën Nëna Tereze.
“Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta, për të ruajtur grigjën e vet” (Lk 2, 8), kategoria e parë, e thjesht, e varfër, që njihet me këtë risi të madhe, lindjen e Jezu Krishtit. Ata rrinë të zgjuar, domethënë i kanë sytë, veshët, mendjen dhe zemrën e hapur për t’i njohur dhe plotësuar nevojat e grigjës, kërkesat e tjerëve. Shumë njerëz edhe sot janë në gjumë, në kllapi, në komë, të egoizmit dhe indiferentizmit, të robëruar nga lakmia, suksesi, pasurimi, nami dhe fama, në “kurriz” të tjerëve.
Barinjët thanë: “Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem, e të shohim çka ndodhi – ngjarjen që na e kumtoi Zoti” (Lk 2, 15). Vëllazërisht dhe bashkarisht jemi në udhëtim kah Betlehemi – amshimi, në bashkëndarje të jetës dhe punës me njëri-tjetrin.
“U treguan çka u tha engjëlli për Foshnjën” (Lk 2, 17), pra, janë bartës, shpallës, lajmëtar dhe dëshmitarë të Ungjillit, Lajmit të Mirë për të tjerët, për të gjithë njerëzit e mendjes dhe zemrës së mirë dhe të hapur për risi.
“Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet” (Lk 2, 19). Ne sot rrezikojmë ta harrojmë historinë, të kaluarën, t’i harrojmë gjerat e bukura dhe të mrekullueshme, ndërsa t’ i mbajmë në mend dhe në zemër vetëm gjërat e këqija dhe negative. Na udhëheq urrejtja, jo e vërteta, dashuria dhe falja.
Ja si e përjeton dhe i këndon Nëna jonë Tereze Krishtlindjes:
Çdo herë është Krishtlindje
kur i buzëqeshësh vëllait
dhe atë e mbanë përdore.
Çdo herë është Krishtlindje
kur je në heshtje
për ta dëgjuar tjetrin.
Çdo herë është Krishtlindje
kur nuk i pranonin parimet
që helmojnë të ndrydhurit
në anësimet e shoqërisë.
Çdo herë është Krishtlindje
kur shpreson në të dëshpëruarit
në varfëri fizike dhe shpirtërore.
Çdo herë është Krishtlindje
kur pranon me përvujtëri
kufizimet dhe dobësitë tua.
Çdo herë është Krishtlindje
kur ia mundëson Zotit
për të rilindur ne ty dhe për t’ua dhuruar tjerëve.
Shën Nëna Tereze Bojaxhiu
Shkup, 23 dhjetor 2022 – Don Lush GJERGJI
Pritja solemne për Krishtlindje në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH)