Prishtinë, 15 qershor 2023
Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës
Faleminderit kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë, ministra
Të dashur qytetarë,
Sot dëshiroj që të filloj këtë fjalë timen në kuadër të këtij raporti para Kuvendit duke rikujtuar që situata në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës është rezultat i përplasjes së dy paradigmave; asaj të sundimit të ligjit, të kushtetutshmërisë dhe asaj të sundimit të grupeve kriminale, të cilat kanë edhe primesa dhe premisa të fashizmit si ideologji e milicisë, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime. Natyrisht, Republika e Kosovës, populli i saj, rendi ynë kushtetues dhe ligjor e ka përcaktuar qartë që qasja jonë e vetme, zgjedhja e zgjidhja jonë e vetme është paradigma e parë, pra kushtetutshmëria edhe ligjshmëria.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Republikës, dhe pas refuzimit edhe pse ju dha afati shtesë prej pesë ditëve të partisë Lista Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, Qeveria e Republikës së Kosovës e përmbushi detyrimin e saj për t’iu mundësuar hyrjen në zyrë kryetarëve të komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike e ligjore përkundër daljes së ultë, pa faj të Kosovës, të qytetarëve në votime. Përmbushja e një detyrimi të këtillë nga ana e Qeverisë, më duhet të theksoj, nuk ishte as çështje simbolike e as formalitet ligjor. Ajo duhej përmbushur për të rrëzuar paradigmën e parë që janë grupet fashiste të milicisë, ato që përcaktojnë se kush hynë në ndërtesë e kush del, kur hynë e kur del, se kush do jetë kryetar i një komune në veri të Republikës dhe kush ka të drejtë e kush ka obligime. Pra, qasja jonë me datë 26 maj nuk ishte as çështje zgjedhjeje e as dëshire: ajo përbënte obligim jo vetëm kushtetues e ligjor, por edhe detyrim ndaj sovranitetit të shtetit e modelit qeverisës që Republika jonë duhet të garantojë në të gjithë territorin e saj.
Këto grupe ekstremistësh të dhunshëm, kjo milici fashiste nuk e duron as pluralizmin politik, as të drejtat e njeriut. Se të drejtat e njeriut e bëjnë bashkë universalitetin edhe barazinë. Ata nuk besojnë që njerëzit duhet të jenë të barabartë. Dhe, në anën tjetër nuk duan të lejojnë që të ketë më shumë se sa një parti të komunitetit serb, prandaj këto dy paradigma janë duke u ndeshur ashpër për shkak të kontrastit të thellë që kanë.
Pas ngjarjeve që kanë pasuar pas datës 26 maj, përfshirë sulmet e dhunshme të dirigjuara nga Beogradi ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve, Qeveria jonë u është përgjigjur me kujdesin maksimal. Ndërkaq, Policia e Kosovës me një vetëpërmbajtje të theksuar. Tërë kohën kemi qenë gjithandej të durueshëm, të qetë dhe të kujdesshëm që të mos nxitohemi. Megjithatë, ne as nuk u tërhoqëm e as nuk lejuam që ndokush të nënshtrohet prej milicisë fashiste të Vuçiqit, e cila shpeshherë shfrytëzonte si mburojë grupe të qytetarëve civil të thjeshtë, të cilët me shumicë dërrmuese, ose nuk kishin qare pa dalë në protesta sepse humbisnin vendin e punës në administratë publike, ose humbisnin vendin e punës në kompani të Radojçiqit, Veselinoviqit e të ngjashmëve. Dhe këta qytetarë civilë të thjeshtë u përdornin sikur në një skenar sulmi të organizuar prej shtetit autokrat që është fqinj i yni verior ndaj Republikës tonë demokratike. Policia e Republikës natyrisht që i mbronte institucionet publike nga milicia fashiste dhe me këtë rast identifikoi shumë prej tyre, të cilët natyrisht që edhe po përndiqen. Një ndër arsyet pse unë kam përmendur emrat e tyre në këtë Kuvend të Republikës, 33 sosh, më 2 qershor, ishin 5 të arrestuar e 28 në arrati. Sot që po flasim janë 6 të arrestuar e 27 në arrati, është pikërisht për të thënë që nuk e kemi me komunitetin serb, por me këta emra të përveçëm, të cilët janë përgjegjës për dhunën, për eskalimin dhe për përpjekjet e vazhdueshme për destabilizim. Unë ju garantoj që identifikimi dhe arrestimi i anëtarëve të apostrofuar është bërë në përputhje të plotë me standardet e drejtësisë penale të Republikës tonë, të drejtat në procedurë penale dhe standardet evidente të administrimit të provave. Policia e Republikës është njësia më e trajnuar profesionale në rajon, pikërisht për shkak të faktit që ajo është produkt i trajnimit të policive të shteteve mike, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Policia e Republikës nuk bënë gjueti shtrigash, ajo i nënshtrohet maksimalisht standardeve të provës e dëshmive faktike të mbledhura në mënyrë të ligjshme. Dhe këto shkolla, kurse e trajnime që i kanë kryer policët tanë nuk lejojnë politizimin e procedurave dhe të operacioneve. Unë Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam marrur vesh porsi ju për arrestimin e eksponentit të shquar të krimit të organizuar dhe njërit prej krerëve të mbrojtjes civile Milun Milenkoviç- Llune. Por, aq i madh është paniku tash te strukturat ilegale të Serbisë dhe te grupet kriminale, saqë mua më është krijuar përshtypja se ndoshta ende nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për përmasat e rëndësisë që për krimin e organizuar ka ky i arrestuar që ndodhet në paraburgim.
Qartazi nuk bëhet fjalë për një eksponent të krimit të organizuar, i cili na paska bërë vepër penale a shkelje ligji me 26 ose 29 maj. Kjo është bërë shumë e shumë vite më herët, rregullisht, deri kur u arrestua.
E pas arrestimit të tij, që në fakt pasoi sulmet e organizuar ndaj policisë sonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, Serbia ushtroi edhe një akt agresioni të pashembullt ndaj Republikës tonë, më 14 qershor, duke kidnapuar tre policë të rregullt kufitar të Republikës sonë. Ata që e ushtruan këtë akt ishin anëtarë special të Ushtrisë së Serbisë, të cilët, me makina pa targa të maskuar, thellë në brendësi të territorit të Kosovës kryen një akt agresioni të urdhëruar nga Beogradi zyrtar. Bëhet fjalë për njerëz të armatosur që i përkasin dy formacioneve. I pari është ai i Njësive Speciale Antiterroriste, që njihen me akronimin “SAJ”, dhe i dyti është të formacionit Njësitë Ushtarake Speciale, që njihen me emrin “Kobra”. Më lejoni të them që një akt i tillë i kësaj policie militare të Serbisë është në variantin më të mirë një akt qyqar, i cili pasi kidnapoi tre policë që kishin mandat të qartë në mbrojtjen e kufirit nga grupet që kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale, iku me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dhe që të gjithë këta policë, të tre që u kidnapuan nuk ishin për herë të parë aty. Gjashtëmbëdhjetë rrugë ilegale që i kemi mbyllur në vitin e kaluar duhet të kenë policë të cilët nuk lejojnë që mbylljet fizike të mos jenë mbyllje e propagandës, sepse në ato rrugë ka interes që edhe më tej kontrabanda që ka super profit të vazhdojë. Andaj, i kemi ne edhe më tutje njësitet policore në këto 16 rrugë. Dhe këta policë natyrisht që nuk janë të pajisur për ta mbrojtur kufirin, jo vetëm pse thjeshtë këtë gjë do të duhej ta bënte në thelb ushtria, por për shkak se janë policë të cilët në një ambient fortë armiqësor, e kanë për detyrë parësore për çfarë edhe kanë trajnime e përvojë, luftimin e kontrabandës. Këta janë policë që ndalojnë një furgon me gjësende ushqimore a farmaceutike që kontrabandohet, po ndoshta edhe diçka tjetër. Mirëpo, Serbia i ka sjellur njësitet më elite që i posedon në një vend që dihet që gjatë tërë vitit kemi pasur policë, në mënyrë tinzare thellë në brendësinë e territorit të Republikës sonë.
Siç e tregon edhe fotografia e hartës ky vend ndodhet 670 metra larg kufirit me Serbinë, në brendësi të territorit të Kosovës, në drejtimin veri-verilindje, 1 km në drejtimin veriperëndim dhe 300 metra në drejtimin jugperëndim. Pra, është thellë në territorin e Kosovës, vendi ku janë kidnapuar tre policët e Republikës sonë. Dhe, asnjë prej policëve të cilët ndodhet në këto patrullime, asnjëherë nuk ka kaluar përtej vendit ku janë bllokuar rrugët ilegale.
Andaj, këto hapje hendeqesh në mes të rrugës, janë praktikisht vendi ku policia kujdeset që të mos ketë urëzim, këtu qëndron policia jonë, policia jonë vëzhgon që pengesat fizike të rrugëve ilegale të mos urëzohen nga grupet kriminale. Kaq bën. Tash akti i tillë nga perspektiva njerëzore qyqarë e pengmarrës përbën në anën tjetër një akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës. Agresioni përbën vepër të ndaluar me të drejtën ndërkombëtare, kurse urdhërdhënësit e saj kanë konsumuar një vepër ndërkombëtare penale. Shtetet u binden rregullave bazike të së Drejtës Ndërkombëtare ose nëse jo represaliet do të duhet të pasojnë, kurse rregullat minimale të raporteve ndërshtetërore duhet të ndryshojnë. Se a duhet të shkojmë në një drejtim të tillë ne ende po e presim të shohim sjelljen e Serbisë dhe reagimin e faktorit ndërkombëtarë.
Më lejoni të ritheksoj që mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Republikës sonë është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e Policisë së Kosovës. Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes së vijës kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it. Kjo, ndër të tjera, për shkak të mandatit ndërkombëtar të NATO-s dhe përgjegjësisë që ajo ka marrë kur e dakordoi një marrëveshje me ish- Kryeministrin Thaçi, duke parandaluar shkuarjen e ushtrisë së vendit tonë në atë pjesë të shtetit. Prandaj, ne ende jemi në pritje nga KFOR-i që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj mbrojtës, duke e urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, të sovranitetit të vendit tonë, por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës. Dje është shkelur pika 4 e Marrëveshjes së Kumanovës, Marrëveshjes Tekniko-ushtarake të datës 9 qershor 1999. KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e një farë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur ta përmbushë efektivisht.
Agresioni kidnapues i ushtrisë së Serbisë ndaj tre policëve në territorin e Republikës sonë është bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj aksioneve për sundim të ligjit në Republikën tonë. Një polici e cila me aq shumë sukses dhe efikasitet e arreston njërin prej kapove të krimit të organizuar, ka ngjallur edhe panik, por edhe ndjenjë hakmarrje. Ajo çfarë kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë dhe agresion në anën tjetër.
Krijimi i hakmarrjes si një instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës është jo vetëm një mendësi barbare, mesjetare, por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, kah despotët e verilindjes e jo kah Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hakmarrja në formën më ç’njerëzore, qyqare e të kundërligjshme ndërkombëtarisht duhet të denoncohet hapur dhe të kundërshtohet me forcën e ligjit.
Qeveria do të bëjë çdo gjë që është e mundur, duke punuar ditë e natë, që t’i lirojë nga kidnapimi tre policët e Republikës. Unë kam pasur biseda telefonike edhe mbrëmë me emisarin special amerikan Gabriel Escobar, me ambasadorin amerikan Jeffry Hovenier dhe në këtë takim po vij nga një takimi i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zëvendësambasadorët, shefat e misioneve dhe diplomatët e tjerë të akredituar në Republikën e Kosovës, ku gjerë e gjatë ua kemi shpjeguar duke i informuar për ditën e djeshme dhe të sotme. Dhe tash kur po bëhen 30 orë të kidnapimit të tre policëve e ende nuk e kemi deklaratën zyrtare shpjeguese të KFOR-it, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, unë kam shprehur edhe protestën time për këtë heshtje, por edhe kërkesën për reagim urgjent.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmët e këpucëve e çizmeve që shkojnë në drejtim të Serbisë, të veturave pa targa, dhe sidomos të prangave të plastikës të forcave serbe. Pra ata jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin, po njëkohësisht kanë dashur të lënë gjurmët publikisht të këtij kidnapimi. Bëhet fjalë për një agresion me arrogancë, nuk janë përpjekur t’i fshehin gjurmët e krimit, përkundrazi, synimi i tyre ka qenë që të dihet që ata ishin aty në atë kohë.
Unë sot i vizitova familjarët e Shemë Mustafës në Mitrovicë, dhe të Beqir Sefës dhe Rifat Zekës në Letanc dhe Peran të Podujevës. Unë tek ata e pashë natyrisht shqetësimin dhe ankthin e familjarëve, por njëkohësisht edhe qëndresën e tyre dhe mbështetjen e tyre për Policinë e Kosovës dhe institucionet e Republikës.
Këta tre, dy prej tyre kanë pasur edhe probleme shëndetësore. Njëri është 48 vjeçar, tjetri 57 dhe i treti 62. Këta tre policë me probleme shëndetësore nuk kanë qenë aty siç i paraqet Serbia, pjesëtarë superior të njësive elite speciale të vendit tonë. Pra, nuk është e vërtetë. Dhe tash kur faktorët ndërkombëtarë kanë nisur të mobilizohen për lirimin dhe për kthimin e tyre, kjo është një lloj dëshmie që të gjithë po e kuptojnë se në fakt kanë qenë në territorin e Kosovës.
Sepse po të ishin këta tre policë të armatosur thellë në territorin e Serbisë, atëherë askush nuk do të fliste për lirimin e tyre, dhe përveç kësaj edhe ne do të ishim në kundërthënie me vetë pjesëtarët tanë.
Jo vetëm nga vizita e familjeve, por edhe nga bashkëbisedimi me kolegët e tjerë policë të tyre të cilët e bëjnë ndërrimin, gjithçka është e qartë se kjo ka ndodhë në territorin e Kosovës. Dhe ky tash është edhe agresion pra, ndaj Republikës tonë, por edhe ndaj KFOR-it, përkatësisht ndaj NATO-s.
Ne nuk e legjitimojmë hakmarrjen si formë të marrëdhënies sonë qeverisëse e t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë mendësisë së milicisë së Vuiçiqit.
Unë jam i interesuar në deeskalim të situatës në veri. Këtë e kam dëshmuar edhe të hënën kur i propozova përfaqësuesit të lartë të BE-së, një plan 5-pikësh.
Por, deeskalimi duhet të ndodhë në shërbim të normalizimit të plotë të situatës dhe marrëdhënieve, jo në dëm të shtetësisë sonë, sundimit të ligjit e nënshtrimit ndaj milicisë fashiste. Prandaj, hakmarrjeve të tilla do t’i përgjigjemi veçse me rend dhe me ligj, me qasje civilizuese shtetërore, por gjithashtu me fuqinë e plotë legjitime të Republikës sonë. Asnjë kthim mbrapa, as nënshtrim e as ndryshim të mendjes për të respektuar Kushtetutën e integritetin territorial, shtetin e së drejtës dhe vlerat evropiane të shtetit tonë të pavarur.