Dubrovnik, 9 qershor 2023
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Dubrovnik, titulluar “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” (European Croatia: Retrospective & Prospective).
Atje, kryeministri Kurti ishte folës në panel, ku prezantoi para të pranishmëve progresin demokratik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, si dhe foli për zhvillimet e fundit dhe situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit, duke dhënë një shpjegim kronologjik të ngjarjeve.
Ai u shpreh i lumtur që ndodhet në Kroaci, vend ky mik dhe aleat i Kosovës dhe me të cilën gëzojmë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe.
Kroacinë e shohim si shembull i mirë i anëtarësimit të një shteti të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO, u shpreh kryeministri.
Në lidhje me raportet me Serbisë, ai tha se Kosova dhe Serbia tashmë kanë një marrëveshje të dakorduar me njohje reciproke de-facto në qendër, një arritje kjo e madhe e BE-së, por që nuk po gjenë zbatim në praktikë për shkak të sjelljes destruktive të Serbisë. Me këtë rast, ai ritheksoi rëndësinë dhe nevojën e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe të pa kushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
Në këtë konferencë, Kryeministri Kurti riktheu në vëmendje propozimin e tij të mëparshëm për një model të ri të bashkëpunimit rajonal të quajtur SEFTA, sipas modelit aktual të EFTA-EEA, që do të shërbente si një baticë që ngre të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Ai po ashtu shtoi se Bashkimi Evropian duhet të mbrohet, dhe se i njëjti mund të reformohet dhe të zgjerohet në të njëjtën kohë.
Konferenca e cila u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë, ishte e organizuar nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian (S&D).