ARKIVI:
20 Shkurt 2025

Kryeministri Kurti mori pjesë në parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së Kosovës për nder të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

Shkrime relevante

Shënohet 36-vjetori i grevës së madhe të Minatorëve të vitit 1989

Stan Tërg, Mitrovicë, 20 shkurt 2025  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin...

Doli nga shtypi libri i autorit Avdyl Uka , ”Përjetimet e mia”

Hysen Ibrahimi Recensent i librit Suedi/Förslöv, 20.02.2025 HEROI I GJALLË AVDYL UKA DËSHMON...

Domethënë, ti je Napoleon Zerva…?!

Nga: Fahri Dahri, studjues i çështjes çame  Është data 3 Qershor 2004, ndodhem...

Jam me një behane të madhe: s’mund të pajtohem me lakmiçarin që lëviz gurët e kufirit!

Çun Lajçi, shkrimtar, Prishtinë  Doktor, Ibrahim Rexhaj! Unë s'urrej askënd, se s’di të...

Shpërndaj

Prishtinë, 17 shkurt 2025

Në shënim të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në sheshin “Xhorxh Bush” të Prishtinës, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e Policisë së Kosovës parakaluan para qytetarëve, krerëve dhe drejtuesve e përfaqësuesve institucionalë të vendit. Në këtë ngjarje mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ish-Presidentët, Fatmir Sejdiu e Atifete Jahjaga, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përfaqësues të Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e përfaqësues diplomatikë të vendeve mike. 

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore, të përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhe këmbënguljes së tij për shtet.

 “Ne jemi popull autokton, që do të thotë se historia nuk na fillon e as nuk mbaron me asnjërin brez, dhe secili brez kemi për detyrë të punojmë e kontribuojmë, pa kursim e pa rezervë, me krejt çfarë dimë e mundemi, për popullin nga i cili vijmë e të cilit i shërbejmë”, tha ai.

Teksa po festojmë 17-vjetorin, kryeministri Kurti deklaroi se Republika e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të pandalshme qysh nga kryengritjet me Hasan Prishtinën deri te rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës. Ai kujtoi protestat qytetare e studentore, grevat e punëtorëve e rezistencën e të burgosurve politikë sikurse Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit, rezistencën paqësore e këmbëngulëse të Presidentit Ibrahim Rugova, sakrificën e dëshmorëve si Azem Bejta, Shaban Polluzha, Zahir Pajaziti dhe kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, duke përmendur kështu luftën e drejtë të UÇK-së, e mbështetur nga ShBA dhe NATO, që kulmoi me çlirimin në qershor 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ai shtoi se Republika e Kosovës, gjithashtu është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të popullit të saj, emrat e përveçëm të së cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës si dhe nga krerët shtetëror të asaj kohe: Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi.

“Sot, kur po e festojmë 17-vjetorin e Pavarësisë, të gjithë dëshmorët dhe martirët, janë mes nesh, sepse kjo shtëpi e jona e përbashkët që është Republika e Kosovës, është ndërtuar pikërisht nga gjaku i tyre. E Republika e Kosovës, është shtëpia e popullit tonë te e cila strehohemi dhe jetojmë të gjithë ne sot, pa dallime kulturore dhe shoqërore, etnike dhe fetare, me bashkëpjesëmarrje dhe të barabartë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke kujtuar të kaluarën dhe sfidat e UÇK-së, kryeministri theksoi se nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të punosh për armatosjen dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me armë dhe pajisje moderne. Siç tha ai, në katër vitet e fundit është investuar qindra miliona euro në blerje municionesh dhe sistem armatimesh, nga raketat Javelin dhe dronet Bajraktar, deri te ngritja e industrisë ushtarake me fabrikën e municioneve dhe të prodhimit të dronëve Made in Kosova. Teksa, pjesëtarët e ushtrisë shkollohen në akademitë më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Turqisë dhe të Kroacisë, e trupat ushtarake të Kosovës tashmë marrin pjesë në misione ndërkombëtare krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë, duke dëshmuar përparimin e saj ushtarakë.

“E bekuar qoftë rruga e Republikës së Kosovës krah Republikës së Shqipërisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tona aleate evropiane dhe të tjera perëndimore. E ndritur qoftë e ardhmja jonë dhe e gjithë fëmijëve tanë, në paqe dhe përparim”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti, duke uruar Ditën e Republikës së Kosovës, 17-vjetorin e saj.

 Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

E nderuara znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Të nderuar Presidentë, z. Fatmir Sejdiu dhe znj. Atifete Jahjaga,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Republikës,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,

Të nderuar familje të dëshmorëve,

Të nderuar ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë,

Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe oficerë policor të Policisë së Kosovës,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar të pranishëm, 

Në këtë sheshin “Xhorxh Bush” të kryeqytetit të Republikës, këtu në Prishtinë, jemi mbledhur me 17 shkurt për ta shënuar 17-vjetorin e shpalljes së shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Në nderim të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, para nesh, janë rreshtuar për të marshuar qindra ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë dhe të Policisë së Kosovës, në këtë ditë feste për të gjithë neve. Pas nesh, shtrihet në të kaluarën historia e gjatë e rezistencës, e luftës dhe e angazhimit të popullit të vendit tonë për të arritur te krijimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës.

 Në mes të këtij sheshi, jemi ne, të zgjedhurit e popullit tonë, të zgjedhurit tuaj, në mënyrë demokratike, bashkë me juve, qytetarë të republikës, që janë zgjedhësit tanë. Mbi themelet e këtij raporti demokratik, mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve, është ngritur dhe vazhdon të mirëmbahet Republika e Kosovës: që nga zgjedhjet e 17 nëntorit 2007, që e nxorën legjislaturën e Kuvendit të Kosovës e cila e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 si përfaqësues të popullit dhe deri te zgjedhjet e para të rregullta të para një jave të 9 shkurtit 2025, që së shpejti do ta sjellin legjislaturën e re në Kuvendin e Republikës.   

Të nderuar pjesëmarrës, 

Në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore, të përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhe këmbënguljes së tij për shtet. Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por ai mund të jetë shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. 

Qysh në krye të herës, studiuesit e nacionalizmit dhe të kombeve, i kanë vërejtur veçantitë e rrugëve të kombformimit të ndjekura nga shqiptarët, që i shquanin ata nga popujt e tjerë. Lëvizja kombformuese dhe shtetkrijuese shqiptare, që ne i referohemi si Rilindja Kombëtare, pati gjithë dijen e mençurinë, patriotizmin dhe guximin, që idetë për shtetin dhe kombin t’i ndërtojnë mbi shtylla aq përbashkuese dhe të qëndrueshme, si gjuha shqipe, e kaluara e përbashkët historike, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe synimi për të qenë pjesëmarrës në vlerat e qytetërimeve perëndimore.  

Në Evropën e modernitetit si epoka e shteteve kombëtare, që nga fillimi i shek. XIX dhe deri sot, Rilindja Kombëtare Shqiptare është e vetmja lëvizje politike dhe shoqërore që në një hark kohor prej 96 vitesh, rezultoi të krijonte dy shtete: atë të Shqipërisë më 1912 dhe atë të Kosovës më 2008. Dhe e tëra kjo, jo për shkak të ndonjë programi hegjemonist e shovenist çfarë kishin disa nga popujt fqinj, por pikërisht falë programesh emancipuese dhe progresiste të dala nga universaliteti konkret i autenticitetit të popullit. Andaj, aq sa ishte e panatyrshme mbetja e Kosovës jashtë kufijve të Shqipërisë më 1912 dhe 1913, aq ishte e natyrshme krijimi i shtetit të Kosovës më 2008 kur u shpall pavarësia dhe festimi i saj sot. 

Teksa po e shënojmë 17-vjetorin e Republikës së Kosovës, le t’i kujtojmë duke i përmendur dhe nderuar, të gjitha gratë dhe burrat të të gjithë brezave, që luftuan dhe sakrifikuan dhe që punuan e u angazhuan për këtë ditë që e gëzojmë ne sot. Ne jemi popull autokton, që do të thotë se historia nuk na fillon e as s’mbaron me asnjërin brez, dhe secili brez kemi për detyrë të punojmë e kontribuojmë, pa kursim e pa rezervë, me krejt çfarë dimë e mundemi, për popullin nga i cili vijmë e të cilit i shërbejmë. 

Republika e Kosovës, është rezultat i të gjithë atyre që luftuan e u përpoqën për këtë vend, që nga kryengritjet e viteve 1910, 1911 dhe 1912 me Hasan Prishtinën, e deri te rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës. Republika e Kosovës, është rezultat i protestave qytetare, demonstratave popullore, grevave të punëtorëve e të minatorëve, e i dhjetëra mijëra të burgosurve politikë, që kaluan qindra shekuj nëpër burgje, që nga Adem Demaçi e deri te Ukshin Hoti. Republika e Kosovës, është rezultat i të gjithë dëshmorëve që e dhanë jetën duke luftuar për lirinë e Kosovës, që nga Azem Bejta dhe Shaban Polluzha, deri te Zahir Pajaziti dhe kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari. Republika e Kosovës, është rezultat i të gjithë martirëve të vrarë në rrugën e popullit tonë për liri, që nga masakrat e Luftës së Parë Ballkanike dhe deri te masakra e Reçakut, Poklekut dhe Mejës. Republika e Kosovës, është rezultat i rezistencës paqësore e këmbëngulëse të Presidentit Ibrahim Rugova, që ndonëse nuk e arriti për së gjalli 17 shkurtin e 2008-s, e thirri dhe e shpresoi atë ditë deri në frymën e tij të fundit. Republika e Kosovës, është rezultat i studentëve të Universitetit të Prishtinës, që pasivitetin e nënshtrimin e ktheu në rebelim dhe vetbesim, duke e përafruar luftën çlirimtare. Republika e Kosovës, është rezultat mbi të gjitha, i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i luftës së drejtë të saj, për çlirim dhe për liri, e cila u ndihmua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate të NATO-s, deri në çlirimin përfundimtar në qershor të vitit 1999.  

Republika e Kosovës, është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të popullit të saj, emrat e përveçëm të së cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës si dhe nga krerët shtetëror të asaj kohe: Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe Kryeministri Hashim Thaçi. 

Andaj sot, kur po e festojmë 17-vjetorin e pavarësisë, të gjithë dëshmorët dhe martirët, janë mes nesh, sepse kjo shtëpi e jona e përbashkët që është Republika e Kosovës, është ndërtuar pikërisht nga gjaku i tyre. 

E Republika e Kosovës, është shtëpia e popullit tonë te e cila strehohemi dhe jetojmë të gjithë ne sot, pa dallime kulturore dhe shoqërore, etnike dhe fetare, me bashkëpjesëmarrje dhe të barabartë. Republika e Kosovës është e shqiptarëve por edhe e pakicave: serbe, boshnjake, turke, ashkali, rome, egjiptase, gorane e të tjera; sepse vullneti i shumicës në demokraci liberale e ligjore kompletohet me të drejtat e pakicave, të të gjitha pakicave. 

Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, të gjithë sytë tanë sot janë të kthyer drejt jush, sepse te trupat tuaj të fuqishëm, te uniforma juaj e hirshme, si dhe te armët tuaja moderne, ne i marrim ndjenjat e sigurisë dhe të lavdisë të ushtrisë e të policisë tonë. Nuk ka ushtri tjetër në Evropë që ka vuajtur më shumë për armë dhe municione se sa Ushtria Çlirimtare e Kosovës, prandaj nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të punosh për armatosjen dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me armë dhe pajisje moderne sikurse këto që po i shohim sot ndër duart tuaja. Aq më tepër kur që nga njësitet luftarake dhe deri në krye të ushtrisë së Kosovës sot, kemi veteranë të UÇK-së, sikurse edhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin. 

Të dashur qytetarë, 

Në katër vitet e fundit, Kosova ka investuar qindra miliona euro në blerje municionesh e sisteme armatimesh, nga mortajat e minahedhësit deri te raketat antitank Javelin dhe fluturaket pa pilot Bajraktar. Kemi blerë mijëra pushkë dhe miliona municione, teksa kemi bërë hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake me fabrikën e municioneve dhe të prodhimit të dronëve “Made in Kosova”. Pjesëtarët e ushtrisë shkollohen në akademitë më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Turqisë dhe të Kroacisë. Nëse 25 vite më parë, trupat amerikane bashkë me aleatë zbarkuan në Kosovë për çlirimin e saj, sot trupat ushtarake të Kosovës zbarkojnë bashkë me trupat amerikane dhe aleatët e tyre nëpër misione të ndryshme të përbashkëta nëpër botë. 

E nën ritmin e hapave të këmbëve të ushtarëve e policëve tanë sot, dëgjojmë hapat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe hapat e rrugës sonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s të nisur më 1999, por e cila do të vazhdojë deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Të nderuar të pranishëm, 

Bora që kishte rënë sot herët në mëngjes dhe temperaturat në minus të ditës së sotme, na e lehtësojnë kujtimin e 17 Shkurtit 2008, që ishte një ditë me mot aq të ftohtë. Por duke i dëgjuar rrahjet e zemrave të të gjithë brezave që kanë kontribuar për atë ditë, zemrat tona ngrohen mes nesh, bashkë duke u forcuar për këtë ditë feste të përbashkët. 

Lavdi dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. 

E bekuar qoftë rruga e Republikës së Kosovës krah Republikës së Shqipërisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tona aleate evropiane dhe të tjera perëndimore. E ndritur qoftë e ardhmja jonë dhe e gjithë fëmijëve tanë, në paqe dhe përparim. 

Gëzuar 17-vjetori i Pavarësisë dhe urime Dita e Republikës së Kosovës për jetë e mot. 

E paçim Kosovën dhe Shqipërinë bashkë përgjithmonë. 

Ju faleminderit e gëzuar të gjithëve! 

Më shumë foto në linkun:  

https://we.tl/t-mtD49Tep78 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu