ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Kryeministri Kurti mori pjesë në takimin për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

“Nëpërmjet kësaj strategjie synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese në atë mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët, të shtojmë të ardhurat për punëtorët, të ngrejmë mirëqenien dhe të mbrojmë ambientin për gjeneratat e ardhshme”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Ai theksoi se në qendër të strategjisë është qytetari i cili kërkon punë dhe drejtësi, pra të drejta dhe mirëqenie, dhe janë institucionet tona që kërkojnë zhvillim e qëndrueshmëri, pra demokratizim.

Në këtë takim kryeministri vuri theksin te qëllimet dhe objektivat e qeverisë, të përmbledhura në punë dhe drejtësi. Ai përmendi punën e bërë në këta muaj të qeverisjes që ato të kthehen në plane konkrete dhe të realizueshme.

“Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera,” tha ai.

Kryeministri potencoi se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisje. Prandaj, duhet dakordim për një kornizë më të gjerë, kornizën e planifikimit dhe menaxhimit strategjik, që ndihmon për të administruar politikat dhe shërbimet publike që do të çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës.

Ky takim u organizua nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane, me qëllim të përcaktimit të planeve për avancimin e projekteve të zhvillimit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në takimin për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030:

I nderuar Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z. Rohde,

E nderuar zëvendës ambasadore e Zyrës së Bashkimin Evropian në Kosovë, znj. Platon,

Të nderuar ambasadorë, ministra, nëpunës civilë,

Kam kënaqësinë të hap këtë takim të sotëm për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030 të cilën e kemi titulluar “Shtegu drejt zhvillimit të qëndrueshëm”.

Më lejoni së pari të përgëzoj Zyrën për Planifikim Strategjik për punën dhe organizimin, Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ, për mbështetjen e këtij organizimi dhe gjithë partnerët tanë për ndihmën e ofruar në  konkretizimin  e synimeve tona për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Tashmë shumë nga ju besoj i dini qëllimet dhe objektivat qeverisë sonë të përmbledhura në punë dhe drejtësi. Ato i keni dëgjuar në fushatën tonë zgjedhore e i keni lexuar në programin tonë qeveritar. Në këta muaj të qeverisjes sonë kemi punuar shumë që ato t’i kthejmë në plane konkrete dhe të realizueshme. Përmes planifikimit të mirë ne sjellim të ardhmen në kohën e tashme dhe fillojmë punën drejt realizimit të saj. Planifikimi vie nga lartë, ndërtimi vie nga poshtë e vizioni është i përbashkët.

Nëpërmjet kësaj strategjie synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese në atë mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët, të shtojmë të ardhurat për punëtorët, të ngrejmë mirëqenien dhe të mbrojmë ambientin për gjeneratat e ardhshme. Zgjedhjet vërtetë prodhojnë mandat katër vjeçar, por vizioni e planifikimi ynë duhet të jetë afatgjatë e përtej cikleve zgjedhore, andaj është më se e domosdoshme që të kemi diskutim sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës me shtresat shoqërore të vendit tonë, me të gjithë akterët që do të jenë pjesë e këtij transformimi, përfshirë edhe partnerët tanë zhvillimorë. Për këtë qëllim kemi filluar punën për një dokument strategjik që përfshin tërë dekadën, pra Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Në qendër të strategjisë është qytetari i cili kërkon punë dhe drejtësi, pra të drejta dhe mirëqenie, dhe janë institucionet tona që kërkojnë zhvillim e qëndrueshmëri, pra demokratizim.

Në qendër të strategjisë është ky qytetar për të cilin ne jemi zotuar se kemi nevojë për reforma për drejtësi dhe për investime që krijojnë vende të reja të punës e pagë të dinjitetshme për të gjithë. Tërheqja e këtyre investimeve kërkon luftimin e monopoleve dhe konkurrencës së padrejtë por kërkon edhe mbështetjen e prodhuesve vendor në mënyrë që të përgatiten për një konkurrencë rajonale e evropiane.

Njëkohësisht duhet të krijojmë forcë atraktive punëtore me shkathtësi e dije që kërkohen në tregun e punës. Reformat në arsim duhet të jenë të tilla që mundësojnë talentin dhe dijen të evoluojnë së bashku dhe që përgatisin të rinjtë për punët që janë në këtë dekadë dhe ato që do vijnë në dekadën e ardhshme.

Hendekun që e kemi tani mes kuadrove që diplomojnë nga shkollat e universitetet tona duhet ta ngushtojmë përmes trajnimeve dhe edukimit shtesë që punëtorët tanë të jenë sa më të përgatitur për vendin e  punës. Diplomat e shkollave dhe universiteteve me vendin e punës duhet të jenë afër, sa më afër, edhe në kohë edhe në hapësirë.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisjen tonë. Për këtë qëllim, është e domosdoshme që secila ministri, secili institucion qeveritar, secili zyrtar publik të dijë se cili është roli dhe kontributi i tyre. Prandaj, ne duhet të biem dakord për një kornizë më të gjerë, kornizën e planifikimit dhe menaxhimit strategjik, që ndihmon për të administruar politikat dhe shërbimet publike që do të na çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës. Strategjia Kombëtare për Zhvillim, përveç strategji që na shpie drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikë bërje të orientuar drejt rezultateve.

Transformimi shoqëror nuk mund të bëhet pa planifikim të kujdesshëm dhe të mirëfilltë. Karakteri i planifikimit tregon për karakterin e qeverisjes: në të kaluarën kemi pasur planifikim të fragmentuar, të pa konsoliduar dhe nganjëherë edhe kontradiktor. Ato që janë deklaruar si prioritete qeverisëse, shpesh nuk janë buxhetuar dhe as financuar. Kjo nuk do të ndodh me qeverisjen tonë.

Për më tepër se kaq, sot kemi shansin të stimulojmë edhe më tej planifikimin e suksesshëm duke financuar prioritetet tona edhe nëpërmjet fondeve të jashtme. Bashkimi Evropian ka zotuar 14 miliardë euro si grante në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit për vendet e rajonit, duke përfshirë Kosovën, e të cilat do të shoqërohen edhe me miliarda tjera në formë të huave dhe do të kombinohen edhe me fonde të partnerëve të tjerë të jashtëm.

Performanca në qeverisje dhe planifikimi i mirë strategjik do të jenë kushtet kryesore për të përfituar këto fonde, për të cilat do të konkurrojmë fuqishëm me vendet e tjera.

Dëshiroj të theksoj se synimi jonë është të kemi zhvillim të qëndrueshëm. Nuk mjafton vetëm të kemi rritje ekonomike. Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera. Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm meriton të quhet zhvillim. Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë që nuk përjashton as njeri, që është gjithëpërfshirës, që ka demokracinë brenda meriton emërtimin zhvillim. Përndryshe, maskon diskriminime, maskon shtypje dhe shfrytëzim, maskon përjashtime të ndryshme.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim është menduar pikërisht për këtë qëllim: të na tregojë shtegun drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ka një tezë që thotë se strategjia është dislokim i forcave. Pra nëse taktika ndodhë në kohë, strategjia ndodhë në hapësirë. Neve na duhet që ta organizojmë këtë dislokim të forcave si rrugë që na shpie deri te zhvillimi i qëndrueshëm.

Ju falemnderit të gjithëve për pjesëmarrjen sot dhe ju ftoj të diskutojmë hapur për të gjitha temat e rëndësishme që sot i kemi para nesh për këtë strategji aq të rëndësishme sa që vendimtare për qeverisjen dhe shtetin tonë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu