ARKIVI:
5 Mars 2025

Kryeministri Kurti në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Shkrime relevante

Milorad Dodik nënshkroi sot një dekret me të cilin institucionet shtetërore të BiH , nuk njihen më në Republikën Srpska!

Shkruan: Nikola Sanduloviq, Beograd Të dashur qytetarë të Serbisë! Të dashur qytetarë të...

Kryeministri Kurti në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Prishtinë, 5 mars 2025  Në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për...

Të mbrojmë vlerat dhe simbolet kombëtare, lëreni Kuranin që ta mbrojnë Arabët

Shkruan: Rrezart Kalaja Një ngjarje e fundit që ka tërhequr vëmendjen ka...

Nuk mirret Albin Kurti me Lirim Mehmetajn…!

Afrim Caka, Gjakovë AKFILIA, NONKAPTAS MUSKAK “ALBIN shqiponja nuk mirret me miza si...

Shpërndaj

Prishtinë, 5 mars 2025 

Në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e rreshtimi të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”. 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca,

I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari,

I nderuari President, Fatmir Sejdiu,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe deputetë,

I nderuar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, 

Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues diplomatik të vendeve mike,

Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,

Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar partnerë të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër, 

Sot, në ditën e parë nga tre ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi bërë bashkë në këtë ceremoni në bazën qendrore të ushtrisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreshtimi juaj sot në kuadrate këtu para kësaj platforme ku janë ulur bashkë anëtarë të familjes Jashari dhe zyrtarë e krerë institucionesh të Republikës së Kosovës, e krijojnë një skenë ceremonie që e ruan një traditë të nisur që prej 26 vitesh. 

Vjosa Osmani në parakalimin para FSK-së

Kjo traditë e ka origjinën te 6 marsi i vitit 1999, kur Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari”, e themeluar në shkurt të vitit 1999 në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc, e përgatiti shënimin e Epopesë së UÇK-së, në një vjetorin e rezistencës dhe të qëndresës së Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Në skenarin e atij manifestimi përkujtimor, ishte paraparë pikërisht rreshtimi i njësive ushtarake, ngritja e flamurit dhe raportimi nga ushtarakët, fjalimet dhe shfaqja artistike “Ai është gjallë”.

Forhåndsvisning av bilde

Sot, në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ne vazhdojmë ta ruajmë pothuajse të njëjtën traditë, vetëm se skenarin e dikurshëm të organizuar nga UÇK-ja, e kemi formalizuar në protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, këtij shteti për të cilin u luftua dhe u flijua aq shumë. Të dashur pjesëtarë të ushtrisë së Kosovës, të veshur me uniformën më të lavdishme, të bukur e tash edhe moderne, ju po mbani armë dhe flamuj në duar, teksa qëndroni të rreshtuar në shenjë gatishmërie dhe nderimi në përkujtim dhe mirënjohje të atyre që i vunë themelet e ushtrisë së Kosovës: Kryekomandantit Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të tjerëve që udhëtuan me ta.

Forhåndsvisning av bilde

Po ju drejtohem në mënyrë konvencionale si Ushtria e Kosovës, sepse kësisoj e kishin quajtur veten dhe idenë e tyre grupi i armatosur i Adem Jasharit, qysh në vitin1989, pesë vjet para se të merrte emër dhe formë organizata: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Aq e afërt është ajo kohë e para 35 vjetëve saqë edhe sot në mesin pjesëtarëve të FSK-së, ka luftëtarë veteranë të UÇK-së, duke filluar, apo duke kulmuar me Komandantin e saj, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin. Si i mbijetuar i luftimeve të 5 marsit 1998 në Prekaz dhe si nip i Adem e Hamëz Jasharit, me Gjeneral Bashkim Jasharin në krye të FSK-së, ju dhe ne së bashku, e kemi vet Epopenë e UÇK-së dhe trashëgiminë e rezistencës së Jasharëve, në krye dhe në frymën drejtuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forhåndsvisning av bilde

Ushtria e Kosovës, që zuri fill më 1989 me grupin e Adem Jasharit në Drenicë, u ngjiz me disa pak armë personale dhe pajisje ushtarake, por që mbaheshin nga një grup njerëzish me përkushtim të madh dhe me vullnet të paepur. Gjatë viteve ’90 dhe në kohën e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, armët, municionet, uniformat dhe pajisjet e tjera ushtarake, kurrë nuk qenë të mjaftueshme dhe të bollshme për luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës.

Forhåndsvisning av bilde

Andaj që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje, një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të popullit tonë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovës. Prandaj sot, me ngazëllim mund të konstatoj, që qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shokë filluan të flasin e të punojnë për një Ushtri të Kosovës dhe deri sot, kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, më të pajisur dhe më të trajnuar se sa sot.

Forhåndsvisning av bilde

Kjo sepse përmes rritjes së buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe përmes shtimit të investimeve në blerje armësh, furnizime municionesh dhe sisteme armatimesh, FSK-ja i ka tejkaluar edhe disa nga objektivat e parapara për vitin 2028, kur sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit duhet përmbyllur transformimi i ndërtimit të kapaciteteve të plota ushtarake të FSK-së.

Forhåndsvisning av bilde

Ndërkaq, blerjet e sistemeve të armatimit dhe pajisjeve sipas konceptit shtet me shtet si dhe shtet me prodhues, përveç që i kanë pakësuar hallkat e procedimit të blerjeve, kanë siguruar armatime moderne të cilësisë së lartë me çmime shumë herë më të favorshme nga sa paguhej më parë si dhe e kanë thelluar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me vendet e anëtare të NATO-s. Për ushtrinë e Kosovës, kemi shpronësuar dhe kemi dhënë në shfrytëzim mijëra hektarë tokë dhe prona anekënd Kosovës, për të garantuar shtrirje operacionale të ushtrisë tonë dhe hapësirë për stërvitjen e trupave tona ushtarake për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Forhåndsvisning av bilde 

E tëra kjo është e shoqëruar me vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse, apo mbrojtjen totale si një koncept modern që tërë kapacitetet njerëzore, teknike, ushtarake dhe infrastrukturën institucionale e vë në shërbim të mbrojtjes së territorit të vendit, të jetëve të njerëzve, të pasurive të tyre, të ekonomisë sonë dhe të vetë popullit e të shtetit tonë si shtëpi e jona e përbashkët politike, shoqërore dhe ekonomike.

Forhåndsvisning av bilde

Në vitet e fundit, Kosova ka nënshkruar një mori marrëveshjesh nga fusha e mbrojtjes me vendet e NATO-s, teksa i ka shtuar bashkëzbarkimet me trupat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe nëpër botë. Kësisoj nga një vend që për t’u çliruar dikur kishte nevojë të ndihmohej nga asokohe 19 shtete anëtare të NATO-s, Kosova tani është kthyer në një shtet që edhe eksporton siguri krah aleatëve të saj nëpër botë, e këtu padyshim që duhet përmendur edhe mbështetjen tonë për Ukrainën.

Forhåndsvisning av bilde

Së fundmi, kemi shtruar infrastrukturën ligjore për themelimin e industrisë së mbrojtjes, me fabrikën për prodhimin e municioneve dhe të dronëve tonë “Made in Kosova”. Të dashur ushtarë, le të ndalemi për një moment dhe le ta mendojmë dhe përfytyrojmë mes nesh: në fillim të dhjetorit të vitit 1991, kur Adem Jashari me shokë po kthehej nga Shqipëria në Kosovë pas stërvitjeve ushtarake të kryera atje, i ngarkuar me automatikë dhe me çantë me municione për ta kaluar me to kufirin dhe për t’i marrë me vete për organizimin e rezistencës së armatosur në Kosovë. E sot, 34 vjet më pas, Kosova jo vetëm që është më e pajisur, më e armatosur dhe më e furnizuar me municione se kurrë më parë, por së shpejti do të bëhet edhe prodhuese e municioneve ushtarake. E nëse atëherë Ademit me shokë iu dash të shkonte ilegalisht në Shqipëri për t’u stërvitur fshehurazi, sot, ju stërviteni, trajnoheni dhe shkolloheni nëpër akademitë më të mira të mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe, në Gjermani, në Turqi, në Shqipëri dhe në Kroaci.

Forhåndsvisning av bilde

Andaj, të dashur ushtarë të Kosovës, tërë sytë tanë janë kthyer kah ju, prandaj mbani fortë armët në duar, flamurin lart bashkë me vullnetin dhe guximin, shtrëngoni radhët tuaja, përkushtojuni shkollimit dhe avancimit tuaj, ashtu që t’i dilni zot atdheut tonë dhe ta respektoni betimin tuaj.

Forhåndsvisning av bilde

Ju jeni trashëgimtarët më të drejtpërdrejtë por edhe më jetëgjatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të asaj ushtrie vullnetarësh që më 1999 u bë aleate me trupat e vendeve të NATO-s në luftë për ndalimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, kurse sot është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike.

Forhåndsvisning av bilde

Lavdi Kryekomandantit Adem Jasharit dhe familjes Jashari, lavdi të rënëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit të rënë për lirinë e Kosovës.

Forhåndsvisning av bilde

E paçim Kosovën të lirë dhe të fortë siç e ëndërroi Adem Jashari me shokë dhe siç na takon ne brezave të sotshëm t[ua lëmë trashëgim brezave që do të vijnë. Rroftë Kosova Republikë dhe mbarë kombi ynë për jetë të jetëve!

Ju faleminderit.

Forhåndsvisning av bilde

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu