ARKIVI:
23 Janar 2025

Kryeministri Kurti në konferencën “FSK dhe partnerët”: Siguria bashkëpunuese mbetet detyra dhe angazhimi ynë kryesor

Shkrime relevante

Dr. Ibrahim Rugova Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës

-U shua para 19 viteve në 21 Janar 2006/ -Intervistat ekskluzive që kam...

Përse ka ndryshuar tonaliteti i Kurtit, Hamzës dhe e Lumirit?

Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina (Një shpjegim origjinal sociologjik) Sjellja atipike e...

Shqipëria neofashiste e Edi Ramës

Nga: Dritan Goxhaj ___ Që pas Luftës së Dytë Botërore e akoma...

Enis Shatri e propozon ndërtimin e Mauzoleumit të Gjergj Kastriotit, Shetitoren dhe pikën panaromike në kurrizin e Kodrës së Shëngjinit, me pamje nga deti

Enis Shatri, Istog ___ Ndertimi Mauzoleumit te Skenderbeut, Shetitorja dhe Pika Panaromike ne Kurrizin...

Shpërndaj

“Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës “FSK dhe partnerët”.

Kosova synon të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon, shtoi ai.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

 

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti në Konferencën “FSK dhe partnerët”

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar atashe, shkëlqesi

Të nderuar gjeneralë, oficerë,

Mirëmëngjes!

Është kënaqësi e madhe të ju drejtohem sot në këtë konferencë, “FSK dhe partnerët”.

Do të doja të filloja duke u falënderuar juve dhe vendeve tuaja për të gjithë mbështetjen dhe angazhimin në avancimin e aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në mjedisin aktual të sigurisë, paqja dhe stabiliteti rajonal, kontinental dhe global kërkojnë përpjekje të përbashkët në adresimin e shumë sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.

Shpesh këto sfida janë të paparashikueshme dhe paparashikueshmërisht komplekse. Kjo rikonfirmon besimin tonë të fortë që angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjitha vendeve dhe kombeve është i domosdoshëm në parandalimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë të kohës sonë.

Dhe kështu, siguria bashkëpunuese mbetet detyra dhe angazhimi ynë kryesor.

Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Kosova aspiron të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon.

Armend Mehaj, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës, merr seriozisht përgjegjësinë e saj kryesore për t’u ofruar siguri qytetarëve të saj. Ne jemi mirënjohës për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të ngrisim institucionet tona për të siguruar mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë, nga një komb që është konsumator i sigurisë te një që është ofrues i sigurisë. Qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes.

Andaj, ne jemi duke i bërë një analizë aspekteve të ndryshme të sektorit të sigurisë. Ministri i Mbrojtjes tashmë ka propozuar ndryshimin e ligjeve të mbrojtjes, që tashmë është miratuar nga Qeveria. Shpresoj që të gjithë ju do të mund ta mbështesni Ministrinë e Mbrojtjes në këtë çështje me ekspertizë profesionale nga vendet e juaja.

Republika e Kosovës synon të anëtarësohet dhe integrohet në strukturat euroatlantike që janë thelbësore për vendin tonë. Ne jemi të përkushtuar të jemi eksportues të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Në të vërtetë, siguria kombëtare e Kosovës ndërthuret me sigurinë rajonale dhe atë më të gjerë euroatlantike. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt të bëhemi anëtar i plotë në Kartën e Adriatikut, dhe në të gjitha nismat e tjera rajonale, si dhe të kontribuojmë në sigurinë rajonale e transnacionale.

Prandaj, e kërkojmë mbështetjen e të gjithë juve ashtu që të bëhemi anëtar i plotë i nismave rajonale dhe t’u bashkohemi fqinjëve tanë në ballafaqimin e kërcënimeve të reja në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Është në interesin e Republikës së Kosovës dhe sigurisht në interesin e të gjitha vendeve të rajonit, që të promovojmë dhe thellojmë bashkëpunimin e forcave tona.

Pavarësisht burimeve të kufizuara dhe kufizimeve buxhetore, Kosova do të donte të merrte pjesë në bashkimin dhe shpërndarjen e kapaciteteve me fqinjët tanë. Kosova është e gatshme të kontribuojë në operacionet rajonale dhe ndërkombëtare.

Së fundmi, do të doja të ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresoj që koha juaj këtu të jetë produktive, dhe të mund të takohemi fizikisht në konferencën e ardhshme. U uroj shëndet të mirë, prosperitet dhe paqe për ju e vendet tuaja.

 Ju falemnderit!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu