Prishtinë, 24 mars 2022
Vizioni ynë afatgjatë është të bëjmë Kosovën vendin më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të 18 vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë dhe vendet gjermano-folëse.
Si Qeveri, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe odat tjera, synojmë të krijojmë politika dhe ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të Investimeve të Huaja Direkte, eksportit, konkurrueshmërisë së kompanive vendore, startupeve, si dhe infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ndërsa pjesën më të madhe të ekosistemit të sektorit privat e përbëjnë Investitorët e Huaj Direkt dhe kompanitë më konkurruese të vendit.
Përveç specialistëve sektorial dhe lidhjeve me tregje, jemi duke e shqyrtuar mundësinë e rekrutimit të atasheve ekonomikë për mbi 20 vende të ndryshme në botë, roli i të cilëve do të jetë të krijojnë lista të investitorëve prospektiv, t’i sjellin në Kosovë dhe pastaj do të jetë roli ynë i përbashkët, i Qeverisë dhe odave, që t’i bindim të investojnë këtu, tha kryeministri. Ai theksoi domosdoshmërinë e zhvillimit të një të ashtuquajtur harte të vetme të konsoliduar investive për tërë Kosovën.
Vetëm nga deficiti i gjithmbarshëm i shteteve të BE-së, Kosova mund ta synojë një pjesë të një tregu rreth 120 miliardë euro, përderisa qarkullimi i përafërt vjetor i prodhuesve vendorë është rreth 1.4 miliard euro, apo vetëm 1% e deficitit relevant të BE-së, tha kryeministri, duke shtuar se mundësitë për prodhuesit vendorë janë të jashtëzakonshme.
Jemi qeveri me dëshirë të madhe për të bashkëpunuar me të gjitha odat e kompanitë vendore dhe të huaja të vullnetit të mirë, ta avancojmë sektorin privat dhe ta bëjmë Kosovën vendin më të begatë në rajonin tonë, tha kryeministri në përmbyllje të fjalës së tij.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar Ambasador Hovenier,
Të dashur anëtarë dhe staf i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë,
Të nderuar mysafirë,
Kur ka zhvillim ekonomik të gjitha sfidat e problemet tjera lehtësohen.
Sektori privat është shtylla jonë kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Pjesën më të madhe të ekosistemit të sektorit privat e përbëjnë Investitorët e Huaj Direkt (IHD) dhe kompanitë më konkurruese të vendit. Në këtë Odë janë anëtarë mbi 200 kompani të tilla. Prandaj, jam i lumtur që jam këtu me ju sot për ta shënuar 18 vjetorin e kësaj organizate prestigjioze.
Qeveria jonë ka mirëpritur vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me OEA.
Shefi im i Stafit është një ndër bashkëthemeluesit dhe udhëheqësit e Bordit të kësaj Ode.
Dje ne poashtu kemi shënuar 1-vjetorin e Qeverisë sonë dhe i kemi prezantuar para publikut të arriturat tona.
Unë do të fokusohem vetëm tek ato që kanë të bëjnë me zhvillim të sektorit privat:
⦁ Sipas të dhënave preliminare të ASK, kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53% për vitin 2021, që përbënë rritjen më të madhe në rajon;
⦁ Kemi miratuar në parim Koncept Dokumentin për Fondin Sovran;
⦁ Gjykata Komerciale pritet të operacionalizohet brenda dy muajve të ardhshëm. Kjo do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja;
⦁ Kemi formalizuar 10.000 vende të reja falë masave të Pakos për Ringjalljen Ekonomike, kurse janë regjistruar në total 25.200 vende të reja të punës krahasuar me vitin 2020;
⦁ Gjatë 2021 eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë arritur vlerën 2 miliardë e 698.8 milionë €, apo 83.6% rritje krahasuar me vitin e kaluar;
⦁ Gjatë këtij viti vlera e mallrave të eksportuara ka shënuar rritje për 61.92% krahas rritjes së sasisë së mallrave të eksportuara prej 88.3%, ndërkaq krahasuar edhe me vitin 2019 eksporti ka shënuar rritje në vlerë prej 104%;
⦁ 2021, krahasuar me 2020, kemi pasur rritje të IHD për 21.8%, kurse krahasuar me vitin 2019 kemi shënuar rritje 65%;
⦁ Rritje të të hyrave buxhetore për 30% pa ndryshuar politikën fiskale. Kur njerëzit janë optimistë dhe kanë shpresë ata shpenzojnë më shumë se sa kursejnë, pastaj kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri, ata janë më të gatshëm të paguajnë taksa dhe të kontribuojnë për shtetin dhe shoqërinë;
⦁ Në 2021, Dogana ka pasur 31% më shumë të hyra se 2020;
⦁ Të hyrat tatimore nga ATK janë 165.1 milionë € apo 34.3% më shumë në krahasim me vitin paraprak;
⦁ Rritja e investimeve kapitale në vitin 2021 është 10.3% më shumë se sa në 2020;
Dhe ndër të tjera që dua të theksoj është:
⦁ Rihapja e terminalit doganor të Trepçës pas shtatë vjetësh;
Zhbllokimi i rrugës në Terminalin Doganor në Hanin e Elezit;
⦁ Funksionalizimi i Ndërmarrjes Shoqërore “Brezovica” dhe fiskalizimi i shërbimeve pas 22 vjetësh;
⦁ 50 milionë € për fermerë – përkrahja më e lartë ndonjëherë për një vit fiskal;
⦁ Rritja e subvencionimit të grurit nga 150 €/ha në 474 €/ha – 216% më shumë. Kosova është e para në rajon në mbështetje të fermerëve;
⦁ 5 milionë € i kemi alokuar për subvencionimin e naftës për bujqit (36 cent/litër). Pra, do t’u mundësojmë fermerëve të blejnë naftë pa akcizë;
⦁ 3 milionë € për dëmet në bujqësi të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Dhe e fundit, ndonëse jo për nga rëndësia:
⦁ Rruga Prishtinë – Tetovë, me tunel rreth 6 kilometra nën malet e Sharrit, për të cilën jemi dakorduar në mbledhjen e dy qeverive në Maqedoninë e Veriut; dhe
⦁ Hekurudha Prishtinë-Durrës (Komiteti i përbashkët ndërshtetëror është duke i hartuar termat e referencës për studim të fizibilitetit).
Si Qeveri dhe në bashkëpunim me OEA dhe Odat tjera synojmë të krijojmë politika dhe një ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të:
⦁ Investimeve të Huaja Direkte;
⦁ Eksportit;
⦁ Konkurueshmërisë së kompanive vendore (shndërrimi i atyre tregtare në prodhuese dhe prodhuese në eksportuese);
⦁ Startupeve, me rininë më të madhe në rajon; dhe
⦁ Infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve, përshirë edhe bashkërendimin më të mirë të arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës.
Vizioni ynë afatgjatë është të bëjmë Kosovën vendin më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nëse i shihni të dhënat e 10-vjeçarit të fundit do ta shihni që vendi ynë fatkeqësisht listohet nga fundi, si në IHD ashtu edhe në eksporte.
Por, ne kemi diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë dhe vendet gjermano-folëse.
Vendi ynë është në mënyrë unike i pozicionuar – gjeografikisht, me kulturë, histori dhe politikë – në qendër të rajonit të ashtu-quajtur ’EMENA’ (Ang: “Europe, Middle East and North Africa”), Evropë, Lindje e Mesme dhe Afrikë.
Nga kjo pikëpamje, vendin tonë duhet ta shohim si një qendër të ardhshme për fasilitimin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve si dhe ofrimin e shërbimeve, përfshirë procese biznesi që mundësohen nga teknologjia informative (‘IT enabled BPO – Business Process Outsourcing’).
Përveç specialistëve sektorial dhe të lidhjeve me tregje, jemi duke e shqyrtuar mundësinë e rekrutimit të atasheve ekonomik për mbi 20 vende të ndryshme në botë, roli i të cilëve do të jetë të krijojnë lista të investitorëve prospektiv, t’i sjellin në Kosovë dhe pastaj do të jetë roli ynë i përbashkët, i Qeverisë dhe odave që t’i bindim të investojnë këtu.
Tani e kemi të nevojshme që ta zhvillojmë një të ashtuquajtur hartë të vetme të konsoliduar investive për tërë Kosovën, e cila do të paraqes:
⦁ sektorët që synojmë t’i zhvillojmë;
⦁ projektet infrastrukturore publike (që jemi duke i identifikuar dhe mund të kapin shumën e gjithmbarshme mbi 3 miliardë euro (infrastrukturë, ujë, ujëra të zeza, menaxhim i mbeturinave, rrugë, etj.);
⦁ Zonat ekonomike;
⦁ Lokacionet;
⦁ Incentivat financiare (hapësira për biznes, ndërtimi i infrastrukturës bazike, mbulimi i kostos së trajnimit për punëtorë, etj.);
⦁ Incentiva fiskale (për shembull: lirim nga apo reduktim i tatimeve të ndryshme për një numër vitesh), e kështu me radhë.
Vetëm nga deficiti i gjithmbarshëm i shteteve të BE-së, Kosova mund ta synojë një pjesë të një tregu rreth 120 miliardë euro. Prej tyre 20 miliardë euro në produkte ushqimore dhe 100 miliardë euro në produkte të tjera. Qarkullimi i përafërt vjetor i prodhuesve vendorë është rreth 1.4 miliard euro, apo vetëm 1% e deficitit relevant të BE-së. Që do të thotë se mundësitë për prodhuesit vendorë janë të jashtëzakonshme. Dhe kur kemi parasysh botën mbizotëruese ekonomike të kohës sonë, besoj se mundësitë për vendin tonë janë të mëdha.
Jemi qeveri me dëshirë të madhe për të bashkëpunuar me të gjitha odat e kompanitë vendore dhe të huaja të vullnetit të mirë, ta avancojmë sektorin privat dhe ta bëjmë Kosovën vendin më të begatë në rajonin tonë.