ARKIVI:
30 Mars 2025

    Kryengritja anti-osmane e Malësisë së Madhe. Gjergj Fishta: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri” 6 Prill, 1911 

    Shkrime relevante

    Manipulantët e procesit zgjedhor!

    Florim Zeqa Shqiptarët e robëruar të Kosovës më të mbrojtur kanë qenë...

    Timoni i anijes shqiptare kontrollohet nga një bretkosë kënetore

    Nga Aurel Dasareti Unë vetë i përshkrova shkrimet e mia si "romane...

    Dagbladet (1932) / Shfaqjet e Faustit dhe Mefistos në Oslo — Intervista me Aleksandër Moisiun në Norvegji(12)

    Turneu Moisi i fotografuar për Dagbladet në Østbanen këtë mëngjes. Nga...

    Mendime rreth librit të Diamant Salihut, ”Deri sa të vritemi të gjithë”

    Ilir Canhasi, Suedi  Deri sa të vritemi të gjithë ”Tills alla dör”, në...

    Shpërndaj

    Nga: Frank Shkreli

    Sipas lajmeve të fundit, mësohet se Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj po viziton Malësinë e Madhe këto ditë për të lartësuar, me praninë e tij si figura përbashkuese e Kombit, kujtimin e – Kryengritjes së Malësisë së Madhe; kësaj ngjarjeje të madhe historike, që sipas historianëve, për nga rëndësia historike, ka ndryshuar përgjithmonë historinë dhe ka shënuar për shekuj me germa ari, kujtimin e këtyre burrave dhe burrneshave malësore, që me trimërinë dhe guximin e tyre, pas pesë shekujsh robërie otomane, shpalosën Flamurin e Gjergj Kastriotit- Skenderbeu, në trojet shqiptare.

    Në Malësi shënohet përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, (6 prill, 1911), ose Kryengritjes së Ded Gjo Lulit, siç njihet ndryshe.  Kjo kryengritje e malësorëve kundër Perandorisë Osmane, përveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombëtar në tokën shqiptare, prej kohës së Gjergj Kastriotit. Sipas historianëve, ka një rëndësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare. Sipas tyre, veprimtaritë kryengritëse dhe luftërat e malësorëve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Malësi dhe në trojet shqiptare.  Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malësisë së Madhe, Ded Gjon Luli dallohet nga lëvizje të tjera të shqiptarëve për liri, pikërisht, nga jehona e madhe që bëri lufta e malësorëve në ato vite, anë e mbanë Evropës. Ndërsa, kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan edhe shumë përfaqësues patriotë nga krahina të tjera të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare.

    Është meritë e kryengritjes së Malesise së Madhe fakti se kjo lëvizje nuk ishte e lokalizuar, por kishte qellime mbarëkombetare, gjë që gjeti ndihmen dhe përkrahjen edhe të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të Malësorëve për liri e pavarësi, shkuan në Podgoricë, ku përpiluan Memorandumin për t’ua dërguar fuqive të mëdha të asaj kohe, përfshir Perandorinë osmane, e që përmbante, ndër te tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri, me administratë, gjuhë e buxhet të vetin. Por, edhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar.  Memorandumi në fjalë, në të vertetë, ishte një pasqyrim, jo vetëm i kërkesave të Malësorve, por edhe i të gjithë shqiptarëve.  Nënshkrimi i përfaqësuesve të malësorëve të kërkesave të shpallura e në Memorandum i bënë kryengritësit Malësorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqsues edhe të kërkesave, por edhe të aspiratave të mbarë Kombit shqiptar për liri e pavarësi, pas pesë shekuj robëri.  Lufta për liri e Malësorëve, në fillim të shekullit të kaluar dhe ngritja e flamurit të Skënderbeut në Deçiq që pasoi, ishte simbol i vëllazërimit të kombit shqiptar rreth një Flamuri të vetëm dhe tregoi se Shqiptarët kishin një Atdhe të vetëm e të përbashkët, që dëshironte liri dhe dritë, për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.  Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve në Malësinë e Madhe, gazetat anë mbanë Evropës, ndoshta për herë të parë, shkruanin për Shqipërinë si një entitet, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por flisnin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit robërues turk. Për më tepër, Kryengritja e Malësorve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera anti-osmane në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke çuar, më në fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, 1912. Kjo, falë sakrificave dhe derdhjes së gjakut të dëshmorëve si Ded Gjo Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqën për idealin e shenjtë të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. 

    Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë por edhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të atyre trojeve, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore, patriotike e pse jo edhe ushtarake e një populli që do t’i thonte lamtumirë së keqes 5-shekullore otomane, një herë e përgjithmonë.

    Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me Flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte shqiptarëve dhe botës mbarë, porosinë e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, se këto troje kanë identitet kombëtar: shqiptarë dje, shqiptarë sot, shqiptarë përgjithmonë!
    Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin historik të Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që më në fund e çuan atë dhe malësorët e tij drejt Bratilës së Deçiqit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi, eventualisht dhe për fat të keq, drejt një vdekjeje prej martiri që pushtuesit e trojeve shqiptare ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë një gremine tjetër.

    Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 mars të vitit 1911, e që kulmoi me ngritjen e Falmurit shqiptar me 6 prill, 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua, kryengritje pas kryengritjeje, deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli! 

    Një meritë tjetër e këtyre burrave në krye me Ded Gjon Lulin, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota perëndimore, e lakmuar dhe e pushtuar nga armiqtë shekullorë të tij. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët; lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.

    Memorandumi dhe kryengritja e malësorëve, mund të konsiderohet edhe fillimi si fillimi i përpjekjeje, që sot do ta quanim, “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, që pasqyronte dëshirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, për bashkim, për liri e pavarësi, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot, se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.

    Në botën aktuale shqiptare të korrupcionit e konflikteve politike, koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumë llojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë së vepruari kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare dhe jo për interesa personale as partiake. Kryengritja e malësorëve nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje, për mbijetesën e identitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësinë dhe lirinë e kombit shqiptar. Si e tillë, kryengritja e Malësisë së Madhe që shënohohet sot kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë-kombëtar për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave, vetive e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: dashuria për Atdheun, nderi, besa dhe burrëria shqiptare!

    Me shpresë për ditë më të mira e të bukura për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët: Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar!

    K O M E N T E

    SHKRUAJ NJË KOMENT

    Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
    Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu