ARKIVI:
3 Mars 2025

“Kufiri i ëndërres” se si udhëtohej me tren nga Shqipëria në Kosovë, në reportazhin futuristik para mëse 27 vitesh

Shkrime relevante

Pse nuk ia pranoj mikes vlerësimin e saj për mua si atdhetar…?!

Nga: Gjergj Kabashi Një mike me shkroi me 1 mars 2025 se...

Përvetësimi i Gjergj Kastriotit duhet t’ua marrë shqiptarëve rrënjen historike

Daut Dauti, historian, Londër Shkrimtari Jusuf Buxhovi, është i njohur si njëri...

Me rastin e 40 – vjetorit të vdekjes së Dr. Don Gaspër Gjinit (1930 – 1985)

Don Lush Gjergji, Prishtinë ___ In memoriam: Miq të pikëlluar dhe të ngushëlluar: Dikush...

Këshilla të veçanta në rast rreziku të luftës dhe të ngjashme…

Nga: Aurel Dasareti I gjithë rreziku vjen nga brenda. Ka pak gjëra...

Shpërndaj

Me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë  para mese 27 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës”  që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Kështu fillonte reportazhi:

 Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Ky ishte reportazh i para mëse 27 viteve:

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul Jashari, Prishtinë

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

https://ata.gov.al/2025/03/01/hekurudha-durres-prishtine-balluku-perfundon-studimi-i-fizibilitetit-i-hapet-rruga-realizimit/

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu