ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Kujtime e mia për traumat dhe ditët e lavdishme

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga: Ilir Canhasi
___
Nuk ka shqiptar, që së paku një herë në jetën e tij, nuk është tramatizuar nga dhuna, frika dhe përndjekja nga okupatori serb duke filluar që nga pushtimi në vitin 1912 e deri në largimin e tij nga Dardania në qershor të vitit 1999.
Plot një shekull populli shqiptar përjetoi këtë dhunë nga aparati shtetror serb. Kur mendon se 3-4 gjenerata kanë kaluar nëpër këto trauma, nuk është për t’u çuditur se pse populli shqiptar ka një urrejtje ndaj shtetit serb dhe edhe sot e ka shumë të vështirë t’ja falë gjithë atë dhunë dhe krime të bëra ndaj nesh!
Mbas përfundimit të luftës filloi një depresion i madh në popullatën e disa qyteteve, ku më shumë e ku më pak.
Gjakova ende është qyteti, që nuk po mund të kthjellet nga ky depresion. Dhjetë vitet e para, aty nuk flitej tjetër përpos traumave, që kishin përjetuar gjatë luftës së fundit. Nuk kishte njeri, që nuk kishte një histori të dhimbëshme të përjetuar gjatë terrorit serb. Në çdo familje flitej për të vrarët e tyre, zhdukjet e trupave, pritjet e eshtrave të të dashurve te tyre, që ishin gjetur nëpër varrimet e mshefta ne Serbi.
Flitej për plagosjen dhe trimat, që kishin humbur jetën në beteja të ndryshme, duke luftuar pushtuesit serb, flitej për burgosjen e qindra të rinjëve në burgjet serbe, flitej për maltretimet që kishin pasur gjatë përndjekjeve dhe largimit të tyre për në Shqipëri, flitej për dhunimin e femrave të reja, flitej për vrasjen makabër të fëmijëve të vegjël, për rastet kur ia fusnin flakën shtëpive dhe për kalljen e pothuajse tërë qyetit, flitej për vrasjen e disa intelektualëve, flitej se si i kishin shpëtuar plumbave të vdekjes.
Gjakova e kallur nga psuhtuesit serbë…
Për çka nuk flitej….
Kjo atmosferë zgjati me vite të tëra, derisa edhe gjyshja ime e ndjerë u dorëzua në fund dhe dha shpirt në vitin 2004, kur filloi të kuptojë se tre djemtë e saj nuk jetonin më, shkurt nuk mundi ta përballojë dhimbjen për t’i parë të tre djemtë e saj kur u gjetën dhe u kthyen nga varrezat masive në Serbi për tu rivarrosur së bashku me djalin dhe burrin e tezes në varrezat e dëshmorëve në Çabratin legjendar.
Unë rënçethem edhe sot, kur më kujtohen takimet e para me gjyshen time pas luftës, rënçethem edhe sot dhe zemra më vajton, kur më kujtohet se si një nga një eshtrat e dajëve të mi ktheheshin në atdheun e tyre, më kujtohet si sot, kur tërë qyteti ishte në koma, gjatë ceremonisë së varrimit të tyre dhe të qindra kufomave tjera.
Që i ri isha rritur në një qytet me plot frymë atdhetare, zgjohesha nga gjumi gjithnjë me vjershat e Naimit dhe Pashko Vasës, të recituara nga daja im i ndjerë;
”Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria”!
Isha rritur në një qytet, ku nuk ndëgjohej kënga turke e as ajo serbe, nuk kishte grupe muzikore serbe si ”Bijelo Dugme” që këndonin ditën nëpër qytete tjera të Dardanisë e në mbrëmje të vrisnin.
Dhe vjen vjen koha, kur unë 8 vjeçar së bashku me familjen u shpërngulem në qytetin universitar të Prishtinës. Nuk shkon gjatë dhe për herë të parë në Prishtinë, veshi im dëgjon gjuhën serbishte, jo që Gjakova nuk kishte serb, por ata nuk mund ti identifikoja si i ri, që isha. Më vonë kuptova se ata, për dallim nga qytetet tjera në Dardani, flisnin shqip. Pra, këta nuk e bënin sikurse të tjerët, kur një grup shqiptarësh flisnin serbisht vetëm pse në mesin e tyre ishte një serb!
Nuk shkoi shumë kohë, kur unë për herë të parë si 11 vjeçar marrë pjesë së bashku me vëllaun e madh 14 vjeçar në demostratat e para për mua të vitit 1981.
Patriotizmit tonë në Prishtinë sikur i dha flakë edhe më shumë shoqëria e vllaut Erzenit me tani të ndjerin Qerim Kelmendi, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë dhe familjen e tij patriotike.
Aty si i ri përjetova gjëra të ndryshme, që nuk duhej një i ri 11 vjeçar t’i përjetonte, por kryeneqësinë time s’kishte kush ta ndalte.
Dhunën e parë nga regjimi serb e provova diku në vitin 1986, kur klubi futbollistik “Prishtina” luante futboll kundër ekipit “Partizani” nga Beogradi. Aty, pa asnjë arsye, një polic i armatosur gjerë në dhëmbë më goditi me sa kishte fuqi me kërbaçin e tij të rëndë në këmbën time të majtë sa që 5 minuta nuk mund të ecja normal. Arsyen edhe sot nuk e di se pse e bëri këtë veprim, ndoshta se në stadium herë -herë dëgjoheshin britmat nga populli me”Eho-Eho” që do të thoshte Enver Hoxha.
Pastaj, vijnë protestat tjera me radhë, prap si kryeneq nuk dëgjoja familjen dhe pothuajse gjindesha kudo ku kishte protesta. Shkoja vetëm, shokët më tradhëtonin dhe nata më nxinte nëpër shtëpitë bujare herë në lagjen e Vranjevcit e herë në Dragodan!
Unë këtë herë nuk dua të flas më tepër për historinë time pasi mbusha 18 vjet, për të do të shkruaj një herë tjetër, por dua ta përfundoj edhe me një trauma, që unë morra si adoleshent, kur protesta e studentëve të vitit 1988, mua më zuri nata, i rrethuar nga policia serbe në njërin nga godinat e larta të konvikteve studentore. Policia, që kishte rrethuar tërë konviktet, diku nga ora 20:00 filloi të hynte në konviktin tonë me shumë kate, por ne rezistuam duke luftuar me çfarë kishim, bllokuam tërë shkallët e katit të parë, me çfarë gjenim, dollap, krevat, e tjera gjësende, dhe sapo ata tentonin prapë të hynin hedhnim gjëra të rënda dhe të rrezikshme për jetën e tyre, siç ishin edhe aparatet për fikjen e zjarrit. Pas një orë tmerri, ata pushuan së tentuari të hyjnë brenda, por fatin tonë nuk e patën edhe studentët e konvikteve, që ishin njëkatëshe dhe më pak të organizuar për rezistencë.
Ne me lot dhe frikë në palcë nga terraca e ndërtesës shikonim se si policia ushtronte terror ndaj studentëve, britmat e studentëve të tërhequr zvarrë për toke. Ishin çaste të dhimbshme për të gjithë ne, kur shikonim se si i mbushnin automejetet policore me studentë të përgjakur dhe pritnim të njëjtin fat.
Por me të filluar agimi i ditës, policia filloi të largohej nga rrethimi i studentëve. Një natë pa gjumë dhe me gjithë atë tmerr që përjetova, u nisa ngadalë të lë godinën e studentëve për të shkuar te shtëpia ime, e cila ishte vetëm disa qindra metra larg në lagjen “Bregu i diellit”.
Raportet e fundit tregojnë se gjatë gjithë historisë, që kur Serbia ka filluar dhunën ndaj shqiptarëve nga shekulli i kaluar e deri në vitin 1999, kemi me dhjetëra mijëra të vrarë, me dhjetëra mijëra të burgosur, më dhjetëra mijëra të dhunuar seksualisht, me qindra të vrarë nëpër burgjet serbe, me qindra të vrarë gjatë shërbimit ushtarak ne kazermat ish.jugosllave, me dhjetëra intelektualë të vrarë në Evropë, me mijëra djem dhe vajza të helmuar me gazëra toksike në vitin 1990 dhe ajo, që është më e tmerrshme, pothuajse çdo i dyti shqiptar kishte përjetuar dhunë nëpër burgjet serbe nga mbajtja e tyre disa orë e deri në 28 vite burgim.
Kur lexon këto statistika, kupton se unë dhe shumë të tjerë edhe sot i ndiejmë këto trauma, që na ka shkaktuar shteti terrorist serb.
Pasoja këto që sot, dikush i vuan më pak e dikush më shumë, pasoja që në gjuhën e mjekësisë quhen stresi post-traumatik, PTSD.
Nga ky stres post-traumatik vuajnë të gjithë ata, që kanë përjetuar ngjarje të frikëshme gjatë luftës, qoftë ajo dhunë fizike ose seksuale.
Qëllimi i shkrimit është që të mbahet mend nga pasardhësit tone dhe opinioni ndërkombëtar, që ta kuptojnë se sa e shtrenjtë është liria, me sa shumë gjak dhe vuajtje e kemi fituar lirinë tonë.
Ju uroj ta shijoni këtë liri dhe ta mbroni si sytë e ballit.
Mund të përfundojmë se po të kishte ndonjë çmim për vuajtjet e popullit, doemos, që Dardania do ta meritonte pa pikë dyshimi dhe po të kishte ndonjë çmim për qytetin me njerëzit më të dashur, me më së shumti kulturë, me më së shumti intelektualë, me më së shumti njerëz bëmirës e atdhetarë, mikpritës e me humor burimor, me më së shumti shkrimtarë e këngëtarë, pa asnjë hamendje do t’ia kisha dhuruar qytetit heroik të quajtur Gjakovë.
***
Foto nga;
Varrimi i eshtrave të kthyera nga Serbia, në Gjakovë!
Vëllau së bashku me heroin e kombit, Qerim Kelmendi!
Qyteti i Gjakovës i djegur nga kriminelët serbë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu