Sinan Kastrati, Suedi
Kujtime nga Kosova
- Kënga e burrave, është vaji
Vazhdon nga numri i kaluar, ”Kujtime e takime me miq, dajë e nipa, dashamirë të artit, letërsisë e kultrurës”, Dossier, Drini.us 12 gusht 2021
Nga Ditari im (6)
I zoti i shtëpisë e qet knusin 1*) në Pazar
Duam me e ndërrua Kryetarin e Kooperativës 2*)
Takimet me turjakasit
Me profesor Isa Bajqincën, Prishtinë, 2012
Kamer Ilazi, çobani i njour i Turjakës nuk donte të fliste me mua
Ndejat edhe me profesorë univerziteti
Pamje nga Tirana
Dhe letrat e fotgrafi nga Tirana e Turjaka
Shpesh ndodh që gjat bisedimit me të moshuar por edhe me të rinj, disa fjalë nuk i përdorim ngase mendohet se nuk tregojmë respekt për bashkëbiseduesit ose bashkëbisedueset. Psh në vend të fjalës nevojtore 3*) përdorim një fjalë tjetër, banjo …. ose disa fjalë krejt pa nevojë kur e kemi dhe duhet ta përdorim fjalën e duhur.
Ka edhe të tilla fjalë që nuk ”guxojmë” me i përdor, psh fjalën ”dreq”. Në vend të kësaj fjale përdorim fjalët: djall, nalet, koftlarg etj. (tabu)
Kjo shpesh më ka ndodhur edhe mua kur nxënësit/et në orën e mësimit më thonin:
-Më fal, a bënë të shkoj në banjo?
Pamje pranvere nga Turjaka
Dhe mu për këtë, një miku im sa isha në pushime (jo në sheti e as në ekskursion) në Kosovë na i tregoi dy mahi, anekdota 4*) Mua më pëlqyen prandaj edhe vendosa ti shkruaj e ti qes në letër.
Knusin e qet me shit në Pazar
Një katunar (katundar) e qet me shit knusin në Pazar. Knusi ish i madh dhe i hieshëm. Edhe azgan ishte veç i rrihte krahët e t`ja niste kânges.
Ai filloj të knoi edhe në pazar ku kishte shumë pazargji. Njani nga pazargjitë iu afrua e pe vet të zotin e knusit:
-A knon çdo sabah (mëngjes) kështu?
-Pa Vallahi, edhe ditën knon, jo veç n`sabah.
-E pulave a ju kcen?
-Besa jemi n`kahre me kit knus se po ju kcen edhe deleve e qenve?
-Po pse pe shet pra masi te koka kaq i mirë?
-Eeee …, nji ditë ja pash menen e keqe, dashti mem k`cye edhe mu.
Letër nga Hasan Spahiu
Urgjentisht duhet me e nrru kryetarin e kooperativës
Një kooperativist e kishte shkruajt një fletërrufe 5*) dhe i kishte thirrur thirrur një mbledhje me kooperativistët, kryetarin e kooperativës dhe udheqjen e partisë së kohës, natyrisht në Shqipëri.
Drekë turjakase
Ai burri botës kishte kërkua që urgjentisht me e ndërrua kryetarin e kooperativës se fëmijët e fshatit po lindin sakat 6*)
Me Kamer Ilazin, Turjakë, 2018
Takimet e ndejata tjera
Takimet, ndejat e bisedat me katundarët e mi ishin më të lezetshme saqë gojën nuk mund ta mbyllnim duke qeshur e barkun e mbanim me dorë.
Ama Kamer Ilazi kur më pa, iku e nuk deshi të flas me mua. Fytyrën e mbuloi me duar nga friga se po e fotografoj e Sabitit, nipit tim i kishin thënë:
-Sinani pa merr pare qi po na qet neve (n`syret) n`gazetë.
Ishin të kota luetjet e mia që të flas e të fotografohem me Kamerin. Fjalët nuk bënë punë e Kameri si fryma edhe pse në moshë, iku me të shpejtë për në livadhe pa më përshëndetur.
Eh Kamer Ilazi, sa çoban i mirë ke qenë e sa herë kemi luajtur peta e poga, me top kame (futboll) si çaban e sa herë më ke thirrur në darkë kur baca Shaban, prente ndonjë dele. Sa herë që vija nga Prishtina, Kameri, si më shishte më thonte:
-Sinan, hajde se e kimi pre ni (një) delme shterrpë (dele që nuk ka pjellë, që nuk ka kingj).
Nga profesor Binak Maxharraj
Por unë nuk dua ta hup (humbi) miqësinë e muhabetin me Kamer Ilazin dhe kam me u mundua që përsëri Kameri ta fitoi besimin që kishte dikur.
Kur luanim futboll Kamerin e lenim me e ruajt gollën (portën) e në vend të dorzave, ai e mbante një setër ose palltë sikur me dasht me e zënë ndonjë lepur a pulë. Pasi e fillonim lojën, kur shikonim nga mbrapa, Kamerin e kishte zënë gjumi në kâm dhe dikush nga ata që ishin më të mëdhenj, Agush Mehmeti, Azem Asmani apo Ademi, e merrnin ngadalë e me kujdes që mos ti prishet gjumi dhe e rehatonin, e shtrinin dhe mbulonin me setrën e vet në livadh.
Kur ishin ”debatet” se kush duhej të zgjidhej president, kur Hashimi shkoi në Hagë, unë e pata propozua Kameri Ilazin kandidat për president të Kosovës ndërsa AAK-ja, Ramushin.
Besoj se nuk kam gabua.
Avdi Ali Zogaj, ish nxënës imi erdhi posa mori vesh që unë kam ardhur në Turjakë. Ai tregonte vaki 7*), ndodhi kur ishte nxënës imi. Tregonte çapkën-llëqe (nga çapkën) 8*) se si kemi mësuar e luajtur me Hazirin, Zymerin, Naimin, Shaipin e … Faikun, nxënës turjakas. Kujtime që unë i kisha harrua.
-O m`sus, unë jam djali i Alisë së Vogël … a po mos më ke harrua?
-Jo, jo Avdi, veç vazhdo e fol!
-“Krejt katuni çabant (çoban) janë kanë më të mëdhenj por babën tem e kanë ngue (dëgjua). Jemin Bajrami, burrë 2 metra i gat (i gjatë) nuk hante as bukë pa e vet babën tem të vogël”.
Shokët e miqt që nuk i takova
Shumë shokë e miq nuk i takova vetëm i pash në foto ”galerinë” time e lexova ndonjë letër që më më kishte mbetur ende në celularin tim.
Me të ndjerin Ahmet Kelmendi
Ata janë në ”botën e gatë e ne jemi në të shkurtën” (pop.).
Kishte edhe letra fyese, ofenduese e kërcënuse nga militantë partiakë e ideologjikë të ”krahut të luftës”, të majtë. Haki Osmani, Bashkim Zymeraj, Besim Bajrami, nofkat: ”Taxhen Anashkam”, ”Në Sherbim Atdheut” dhe një dylber, një letër, shkrim nga një portal: Enver Hoxhajn ish ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së i cili Kosovën ia paska bâ tapi Hashim Thaçit, ”Kosova është e Hashim Thaçit” (01.11.2018)
Isa Bajqincën, Fuad Krasniqin, Enver Halitin, Rexhep Mulliqin, Bajram Kelmendin, Mustafë Aliun, Binak Maxharraj-n, Fatmir Bajrën, Hasan Spahiun nuk i pash. Disa nga ata kanë vdekur e disa të tjerë janë në katër qoshet e globit.
Dhe vërtetë kënga e burrit është vaji.
Dikur vajtonin burrat, në Malsinë e Veriut e në Kosovë, në shumë krahina vajtonin gratë e gratë thonin ”Burri t`bân zoj` e burri t`bân tojë” (pop.)
1*) Knusi
Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botim i vitit 1980, Tiranë, nuk e gjeta fjalën ”knus” (emër) e fjalën ”knoj” (folje). Në faqen 816 të fjalorit, te fjala këndoj, këndova, kënduar, në nr. 3. Jokal. vet. Veta III. Nxjerr zë melodik, lëshon një zë si këngë, nxjerr tinguj të zgjatur si këngë (për disa shpend dhe kandrra). Këndojnë zogjtë. Këndon bilbili (qyqja, lauresha, kanarina). Këndon gjinkalla. Këndoi këndesi (gjeli)
GJEL m.
1. zool. Mashkulli i pulës, këndes. Gjel fushe. Lafsha e gjelit. Mish gjeli. Këndon gjeli. Fryhet si gjel.
2. fig. keq. Njeri mendjemadh e kapadai; njeri që fryhet e ngrefoset dhe e mban veten për më kryesorin; njeri që kërkon grindje. Gjeli i shtëpisë. Është bërë gjel, po aty, fq. 606.
2*) KOOPERATIVË f. sh.
Ekonomi kolektive socialiste, e krijuar nga bashkimi vullnetar i punonjësve të një fshati a të disa fshatrave, të cilët kanë bashkuar tokat dhe mjetet e tjera kryesore të prodhimit, punojnë së bashku dhe i ndajnë të ardhurat sipas sasisë e cilësisë së punës që kryejnë. Kooperativë bujqësore (blegtorale). Kooperativë e zmadhuar (e bashkuar). Kooperativë e tipit të lartë. Kooperativë malore (fushore). Anëtarët e kooperativës. Statuti i kooperativës. Kryesia e kooperativës. Asambleja e kooperativës. Qendra e kooperativës. Të ardhurat e kooperativës. Krijimi i kooperativës. Hynë në kooperativë etj.
3*) NEVOJTORE f.
Vend për jashtëqitjet vetjake; vendi ku njerëzit dalin jashtë. Nevojtore publike. Gropa e nevojtores.
4*) ANEKDOTË f. sh.
Tregim i shkurtër zbavitës për një ngjarje tërheqëse a për të qeshur, të vërtetë a të trilluar, nga jeta e njerëzve të njohur ose që vë në lojë të metat e dobësitë e njerëzve a shpreh një mendim edukues. Anekdota popullore. Anekdota historike. Tregoj një anekdotë. Di shumë anekdota etj.
(Mahi) mahi, shaka; shpoti, qesëndi. Mahi e hollë. Bën mahi. E ka me (pa) mahi. Si për mahi.
HUMOR
1.Shaka dashamirëse e thumbuese njëkohësisht, thumbim i lehtë me dashamirësi e me të qeshur që i bëjmë dikujt; shaka e hollë që godet një të metë, por nuk të lëndon; prirje oseaftësi e dikujt për t’i paraqitur dobësitë, të metat etj. në një mënyrë të tillë, që të bën të qeshësh; një qëndrim a sjellje e tillë ndaj të metave e dobësive të dikujt. Humor i gjallë (i lehtë). Humori popullor. Ka (bën) humor. Flet (tregon) me humor. Ka ndjenjën e humorit. Nuk e kupton (nuk e duron) humorin.
2. Gjendja shpirtërore e njeriut për një farë kohe pak a shumë të gjatë. Në humor të mirë (të keq). Është në humor. Ia prishi humorin. I iku humori.
3. let., art. Paraqitja e sendeve, e dukurive dhe e veprimeve të njerëzve në veprat letrare e artistike duke i vënë në lojë të metat e dobësitë e duke e bërë lexuesin a shikuesin të qeshë; vepër letrare ose artistike ku përdoret kjo formë paraqitjeje. Humor muzikor. Humori i estradës. Humori dhe satira.
5*) FLETËRRUFE f. sh.
Fletë e shkruar që vendoset në një vend të dukshëm, me anë të së cilës kritikohen hapur të metat e dobësitë në punë, goditen shfaqjet e huaja në jetën e përditshme ose vihen në dukje sukseset e arritura nga një kolektiv a nga një punonjës. Vë (ngjit) një fletërrufe. I përgjigjem fletërrufesë.
6*) SAKAT mb. bised.
1. Që ka ndonjë gjymtyrë me cen a të paralizuar, i gjymtë. Djalë sakat. Plakë sakate. Sakat me një këmbë (me një dorë). Sakat nga dora. Mbeti (ngeli) sakat për gjithë jetën.
2. fig. Që i mungon diçka e nevojshme për të bërë një punë. Më la sakat pa atë vegël. Mbeta sakat. * Sakat nga mendja (nga trutë) i metë nga mendja, me të meta mendore.
7*) VAKI f. bised.
Ndodhi, ngjarje. Bën vaki, ndodh, rastis.
8*) Çapkën
I m.sh. – Djalë i hedhur, i dhënë pas lodrave e dëfrimeve; djalë i lëvizshëm, gazmor e pak i prapë. Çapkën i madh. Çapkënët e lagjes. I binin me qafë ca çapkënë.
II mb. – 1. Që është i hedhur e pak i prapë, që është i lëvizshëm e gazmor. Djalë çapkën. Vajzë çapkëne. Fëmijë çapkën.
2. Që është veti e çapkënit, prej çapkëni. Vështrim çapkën. Buzëqeshje çapkëne.
çapkëne • çapkënçe
P. S. Gjuhën, të folmen e Turjakës edhe kësaj radhe jam mundua ta ruaj, ta shkruaj ashtu qysh e flasin turjakasit ani pse mungojnë disa bashkëtingëllore psh me hângër. Në vend të shkronjave “n” dhe “g” është një bashkëtingëllore që nuk e ka alfabeti i gjuhës (së sotmme) shqipe prandaj duhet zëvendësua me “ng”.
Me Ymer Thacin, Gërmi, Prishtinë, 2012
Vazhdon
Malmö, 14 gusht 2021