____
Don Pal Tunaj
MARTIRËT: Ekumenizmi i Gjakut,
DRITA, 2023, f. 125.
Ekumenizmi është lëvizje kishtare dhe shpirtërore për takim, afrim dhe bashkim të plotë të krishterëve të ndarë, aty – këtu edhe të përçarë, gjithnjë në Jezu Krishtin, “të një bashkësie të vërtetë dhe të thellë, edhe pse ende jo i kompletuar” [1]
Ky ekumenizëm, që mbështet në përvojën e përbashkët të fesë dhe të dashurisë, pra, të martirizimit në periudha të ndryshme historike, mund të jetë frymëzim në kërkimin e përbashkët të rrënjëve tona, si dhe të shprehet me “forma shpirtërore e lutjes së përbashkët, përkujtimi dhe ekumenizmi i martirëve.” [2]
Don Pal Tunaj në këtë studim thekson shumë mirë ekumenizmin e gjakut të martirëve, si dëshmi dhe trashëgimi të çmueshme të krishterë, duke mos harruar as Kishën e heshtjes apo të katakombeve moderne, sidomos në Popullin tonë ilir, arbër dhe shqiptar gjatë shekujve. [3]
Papa Shën Gjon Pali II thotë: “Ekumenizmi i shenjtërve dhe martirëve është ndoshta më bindësi Communio sanctorum flet më fort se faktorët e ndarjes.” [4]
Papa Françsku thekson: “Uniteti i krishterë, jemi të bindur, nuk do të jetë realitet i diskutimeve të rafinuara teorike… Ne kemi nevojë të takohemi me njëri tjetrin, të takohemi dhe të përballohemi me njëri – tjetrin nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, i cili harmonizon diversitetin dhe tejkalon konfliktet, pajton diversitetin.” [5]
Pastrimi i kujtimit ose largimi i paragjykimeve, është bërë sidomos gjatë Jubileut, 2000 vjetorit të krishterimit, me pranimin e fakteve, por edhe mëkateve apo lëshimeve, duke theksuar se pa kthim kah Zoti nuk as kthimi kah i afërmi, ekumenizëm vërtet shpirtëror dhe kulturor, gjithnjë në stilin e Papës Shë Pali VI dhe Patrikut ekumenik ortodoks Atenagora I me prejardhje shqiptare.
Ata të ndriçuar dhe të udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, kanë pasur tri takime vërtet historike: në Jerusalem (1964), Romë (1967) dhe Kostantinopojë (1967), me heqjen e mallkimit të ndërsjellë, ndërsa Atenagora me largpamësi, fe, do të them edhe me profetizëm, e ka quajtur Papën Pali VI, Pali II, pas apostullit të botës, Shën Palit, si dhe kreun e të krishterëve. [6]
Një hov të tillë për ne e ka dhënë vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipëri (25 prill 1993), duke theksuar që martirizimi më së miri na afron dhe bashkon me Zotin dhe njëri – tjetrin. [7]
Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar e ka një mundësi, rast, që nëpërmjet dëshmisë së martirëve, në Krishtin e përndjekur dhe të lënduar, të vrarë, të ngjallur, ta gjejmë edhe ne fuqinë e faljes dhe të pajtimit në ecjen e përbashkët drejt amshimit të lumtur. [8]
Prishtinë, 22 shkurt 2024
Don Lush GJERGJI
[1] W. Kasper, Ecumenismo spiritualë, f. 7.
[2] Don Pal Tunaj, ve. e cit. f. 17.
[3] Lexo: Po aty, f. 18 -25.
[4] Po aty, f. 26
[5] Papa Francesco, Ecumenismo: vita consacrata e martirio, 25. 1. 2015 në Don Pal Tunaj, ve. e cit. f. 32.
[6] Lexo: Dr. Lush Gjergji, Atenagora Profet i bashkimit, Shtëpia botuese 55 Tiranë, 2006, f. 152 – 166.
[7] David Xhuxha, Radio Vatikani – Drita, 1995, f. 72 – 92.:
[8] Lexo dhe krahaso: Don Pal Tunaj, ve. e cit. f. 109 – 118.