ARKIVI:
4 Janar 2025

Kur Gjergj Kastrioti – Skenderbeu trokiti në portat e Bashkimit Evropian në Bruksel

Shkrime relevante

Recension i Shefqet Dibranit për përmbledhjen e poezisë së Miradije Maliqit, “Të fluturosh atje ku nuk ishe”

Shkruan: Shefqet DIBRANI A ËSHTË SHPIRTI MALLIKM?! Miradije Maliqi, “TË FLUTUROSH ATJE KU...

Babai im Brahim Sokoli, Masakra e Tivarit dhe ikja e tij nga ajo masakër e madhe

Pal Sokoli Brahim Sokoli, ( Babai im) ka lindur në Lekbibaj- Tropojë...

Populli nganjëherë ka të drejtë të mos ketë të drejtë

Agim Vuniqi Albin Kurti, me agjendën e tij sovraniste dhe reformuese, përpiqet...

Kurani, “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” i Vladan Gjergjeviqit !

Msc Belisar Jezerci Janë dy libra të shkruara dhe të botuara në...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli 

Ishte fillimi i shtatorit 1968, 55-vjet më parë, kur diaspora anti-komuniste shqiptare nga Evropa Perëndimore dhe Amerika, ngriti përmendoren e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve dhe “Shpëtimtarit të Evropës”, Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Bruksel të Belgjikës, kryeqytetin aktual të Bashkimit Evropian (BE). Ai vit, shënonte edhe 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbe Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar |  Gazeta Telegraf – Vetëm një vit më herët, në 1967, (tre institucionet ekzistuese evropiane të dala nga Traktati i Romës, nënshkruar në 1957 (Traktati i Romës, Komuniteti Ekonomik Evropian dhe Komuniteti Evropian për Energjinë Atomike) u bashkuan, zyrtarisht, në entin e quajtur Komuniteti Evropian. Ishte fillimi i Bashkimit Evropian, siç njihet sot, themeluar në bazë të Traktatit të Maastricht-it, të vitit 1992.

Statuja e Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastrioti. Skënderbe, 1968 me mbishkrimin në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe flamançe: “Gjergj Kastrioti – Skanderbeg, 1405-1468. Në Pesëqindvjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar, Prijsit zamadh të Shqiptarëve, Mbrojtësit t’Atdheut e të Qytetrimit Evropian, në shenjë mirënjohjeje, këtë përmendore, mërgata shqiptare në botën e lirë, ia kushton, 17 janar, 1968”

Ishte një rast i volitshëm historik dhe një përpjekje strategjike nga ana e diasporës anti-komuniste shqiptare në Belgjikë dhe të emigrantëve të ardhur edhe nga shumë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, për të pasqyruar para Evropës meritat dhe kontributet e Gjergj Kastriotit-Skënderbe, për shpëtimin e Evropës nga hordhitë osmane. Nuk mungonin as emigrantët nga Kosova shqiptare, për të kujtuar rëndësinë e asaj dite, jo vetëm për Kombin shqiptar, por edhe për mbarë Evropën. Në Bruksel ishin mbledhur rreth 2500-veta, përfshirë zyrtarë të lartë politikë dhe përfaqësues të enteve shtetërore belge, sipas përllogaritjeve në shtypin e emigracionit shqiptar të kohës, përfshirë revistën prestigjoze “Shejzat” e Ernest Koliqit, e cila botonte një reportazh prej 5-6 faqesh kushtuar vendosjes së përmendores së Gjergj Kastriotit -Skënderbe në Bruksel më 2 shtator, 1968. Korrespondenti i saj nga Brukseli raportonte për atmosferën entuziaste dhe ndjenjat e fuqishme gëzimi dhe krenarie kombëtare të shqiptarëve jashtë Atdheut, të mbledhur pranë monumentit të Heroit të tyre kombëtar m’u në kryeqendër të Evropës, në Bruksel. Sipas shtypit të kohës, ajo ditë karakterizohej nga një mot i kthjellët, që i dha një shkëlqim të këndshëm asaj ceremonie të përurimit të përmendores së Heroit të Shqiptarëve – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën kontinentale deri atëherë, me përjashtim të përmendores së Kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skënderbe, në Piazza Albania të Romës, që ishte ngritur dekada më herët.

Monumenti i Skënderbeut në Bruksel është ngritur në vitin 1968 me fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë. “Me vullnet të papërkulur dhe me zell të paprerë, kolonia shqiptare e Belgjikës ia doli, më në fund qëllimit me ngreh midis Brukselit – një qytet ndër më të parët e Evropës – një përmendore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Fatosi, që është emblemë e virtyteve të Kombit shqiptar, u nderua në mënyrë të veçantë nga shqiptarët e Belgjikës…duke lartësuar emrin e Atdheut, sepse çdo kalimtar vendas a i huaj, duke kaluar aty afër, detyrohet t’i hedh një sy Mbrojtësit arbënuer të Qytetërimit perëndimor…”, -shkruante korrespondenti i revistës Shëjzat nga Brukseli.

Me këtë rast janë mbajtur fjalime nga përfaqësues të autoriteteve politike dhe fetare belge si edhe nga përfaqësues të emigracionit anti-komunist shqiptar në botën e lirë. Fjalimin kryesor në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Bruksel (1968) e mbajti Monsinjor Emile Dejardin, një mik i përkushtuar i shqiptarëve, pa dallim feje e krahine. Pas Luftës së II Botërore, Monsinjori belg kishte mësuar për fatin e keq dhe vuajtjet e shqiptarëve anti-komunistë të përhapur nëpër kampet e refugjatëve anë e mbanë Evropës. Në vitin 1956, ai themeloi një program përmasash të mëdha për t’i rivendosur këta refugjatë në Belgjikë. Përveç strehimit, Monsinjor Dejardin ndihmoi mijëra refugjatë shqiptarë të pas luftës të siguronin punësim, edukim për fëmijtë e tyre dhe mbulimin e të gjitha nevojave të jetës në vendin e tyre të ri. Shqiptarët, pa dallim, si myslimanë ashtu dhe të krishterë e respektonin shumë Monsinjorin Dejardin për ndihmën dhe kujdesin, që ai kishte treguar për ta.  Monsinjori belg, jo vetëm që përkujdesej për mirëqenjen materiale të refugjatëve shqiptarë, por kleriku katolik belg ishte një mbështetës i fortë i identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të tyre. Nga shumë përpjekje të shumta të tija në këto fusha, një ndër ndihmat e mëdha ishte organizimi për të vendosur monumentin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Bruksel, në vitin 1968.

Ceremonia e inagurimit të përmendores është shoqëruar me një program të pasur artistik, muzikor dhe folkloristik. Janë recituar vjersha patriotike dhe është shfaqur akti i parë i dramës, “Skënderbeu” i Et’hem Haxhiademit –Frank Shkreli: Në kuadër të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit, kujtojmë Et’hem Haxhiademin | Gazeta Telegraf –   Ndërkaq, të pranishmit – shqiptarë dhe të huaj – kanë shijuar tingujt e këngëve kushtuar Skënderbeut e Bajram Currit, të grupit muzikor të ardhur enkas nga Kosova, të udhëhequr nga Qamili i Vogël, ndërsa janë kënaqur edhe me performancën e një orkestre belge.

Përmendorja e Gjergj Kastrioti. Skënderbe në një shesh të Brukselit – kryeqendrës së Bashkimit Evropian (BE) –
*  Fotot nga revista Shëjzat, 1968, 7-12

Inaugurimi i përmendores së Gjergj Kastriotit -Skënderbe në Bruksel  (1968) ka qenë një trokitje në portat e Evropës së asaj kohe.  Ishte një akt patriotik i emigrantëve shqiptarë të shpërndarë nga komunizmi, anë e mbanë botës kundërshtarë të regjimit komunist – për t’i treguar Evropës dhe botës se shqiptarët megjithë regjimin e atëhershëm anti-perëndimor në Tiranë – me vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbe, Kombi shqiptar, me të kaluarën e tij të lavdishme, është i denjë për një të ardhme më të mirë, si pjesë përbërëse e pandarë e botës perëndimore demokratike euro-atlantike. Ky ishte edhe mesazhi që diaspora shqiptare anti-komuniste e vitit 1968 pa dallime feje, krahine e ideologjie, megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht  me këtë rast ishte e bashkuar rreth Gjergj Kastriotit.  Skënderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar.

Prandaj, sot 55-vite më vonë, ia vlen të kujtojmë duke u bashkuar me një koment mirënjohjeje, siç ishte shprehur, me atë rast, Redaksia e revistës “Shëjzat” e Ernest Koliqit për të kujtuar dhe “përgëzuar me ndiesi të gjallë mirënjohjeje, shqiptarët e Belgjikës, që arritën me ngreh midis Evropës një shenjë Shqiptarizmi, i cili u tregon të huajve qenjen tonë si komb dhe fisnikin të vlerave tona shqiptare…vendosja e një shtatorje bronxi kushtuar Skënderbeut… nga një grup me fuqi të kufizueme të nji rrethi mërgimtarësh, që kishin humbur Atdheun dhe çdo gja tjetër në ‘të. Ashtë nji mrekulli që dëshmon gjallninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit, të cilin as vargu ma dërmues i krajatave historike nuk arrijti ta mposhti.”

Vizatim për një shtatore të Gjergj Kastrioti.Skënderbe nga artisti shqiptar në mërgim Ibrahim Kodra

Bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar, mbi ndasitë dhe përçarjet e ndryshme politike, ideologjike dhe personale ishte objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit. Skënderbe.  Me vlerat e veta të besës, bashkimit e vëllazërimit, Gjergj Kastrioti vazhdon të trokas në portat e Evropës, në emër të shqiptarëve, m’u aty në Bruksel, në kryeqendrën e Evropës së bashkuar. Fatkeqësisht, fjalët e tij bien në veshë të shurdhër dhe portat e Evropës nuk po hapen për shqiptarët. Po, për shqiptarët sot, a është Skënderbeu simbol bashkimi, bese e vëllazërimi? Çka po ndodh sot me “gjallëninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit”?

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu