ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Kush është Thesprotia ose Çamëria ?

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nga: Fahri Dahri, studjues i çështjes së Çamërisë

Njeriu i parë që është shfaqur në rajonin e Thesprotisë daton në periudhën Mid Paleolithic (e mesme Paleolitike) (± 250.000 – 35.000 B.C.). Rreth viteve 2.000 para Krishtit (B.C.) në Thesproti, u vendosën në mënyrë paqësore, kolonët mikenianë ( ¹), të cilët hodhën themelet e para të ndërtimeve të fortifikuara në gjiret jugore të Thesprotisë, që pasohen edhe nga themelimi i kolonive të Ileanëve, Korinthasit dhe Kërkyrasit gjatë vijave bregdetare (shek. VIII -VI pes).

Thesprotia me pozitën e saj të veçantë gjeografike, anaglyph (pamje zbuluese tre-dimensionale) dhe kalatave të sigurta në gjiret e saj të shumta natyrore, çuan në shekullin e XIV-të para Krishti për ardhjen e shumë Mycenasve në zonë dhe krijimin e objekteve të fortifikuara. Në shek. e IV-të B.C. Thesprotët krijuan qytete plotësisht të organizuara si Elea dhe Gitani. Për historinë e Thesprotisë flasin rrënojat e qyteteve, vendbanimet, kullat, kështjellat, manastiret, kishat dhe shumë zbulimeve arkeologjike.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të IV-të para Krishtit, si efekt i krijimit të qyteteve të para të fortifikuara me organizim të plotë të zakonshëm nga kolonët Myceanë, vendbanimet e përbashkëta në fshatra të vogla të pafortifikuara, në të cilat banonin Thesprotët deri atëherë, kaluan në strehimet e reja, të fortifikuara dhe më të mirëadministrueshme. Në po atë periudhë priten monedhat e para të bakrit, përdoret shkrimi dhe themelohet “Koino i Thesprotëve”, i vendosur fillimisht në qendër banimin Elea dhe më vonë në atë të Gitanit.

Thesprotia gjatë shekujve të fundit para krishtere, sidomos nga konfliktet mes maqedonasve dhe romakëve (në vitin 167 p.e.s.), pësoi shkatërrime në shumë qytete nga ushtria romake dhe bastisjet e viteve 88/7 pes nga mercenarët e Thrakës, të Mithridatis dhe lufta civile midis gjeneralëve romakë.

Fshatrat, gjatë viteve të perandorit romak, Augustit, ishin po thuaj të shkatërruara dhe shumica të  braktisura, pavarësisht kolonizimit të zonave të vijës bregdetare, kryesisht nga legjionarët veteranë. Pax Romana (paqja, prosperiteti dhe unitet idesh), ishte e dukshme në Thesproti nga shekulli i I-rë B.C. (para Krishtit), deri në shekullin e III-të pas Krishtit.  Kjo gjendje vërtetohej nga themelimi i vendbanimeve të reja si Fotiki, Ladochori dhe nga pasuria dhe cilësia e dhuratave funerale të nxjerra në dritë nga varrezat. Këto dy vendbanime mbijetuan edhe gjatë periudhës Paleokristiane.

Burimet e shkruara dhe arkeologjike dëshmojnë se të gjithë ilirët merreshin me bujqësi dhe blektori. Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat fushore, në krahinat më pjellore të vendit. Ilirët kultivonin të gjitha llojet e drithrave. Jo rastësisht krahina të veçanta ilire si, Paonia dhe Thesprotia permenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse dhe pjellore. Hesiodi (shkrimtar i shekullit VI-V-të para Krishtit) shkruante se: “në Iliri kishte krahina që prodhonin dy herë në vit”. Në Thesproti, krahas dy prodhimeve bujqësore në vit, edhe bagëtitë pillnin dy herë në vit. Realitet i cili është i njohur edhe gjatë fëmijërisë time atje (rezident: 18 dhjetor 1937- 22 korrik 1944).

Siç u tha, rreth 2 mijë vjet para Krishtit, thesprotët jetonin në fshatra të vogla, të pafortifikuara, dhe bërthama jetësore e fshatarëve ishte bashkësia, grupime njerëzish që bashkëjetonin në një territor të caktuar dhe me dobi të përbashkëta. Rëndësi të veçantë kishin lidhjet e gjakut tek bashkësia fshatare, të cilat nuk kishin pësuar ndryshime nga sa ishin kur ishte organizimi sipas bashkësisë fisnore. Por fakt ishte se organizimi në bashkësi fshatare, ndodhte që të tejkalonte hapësirat e territoreve të banimit të një fshati. Nga kjo ecuri zhvillimi në organizimet shoqërore u arrit tek bashkësitë krahinore, kohë ku u krijuan trevat në të gjitha territoret e Shqipërisë etnike, të cilat fituan edhe status administrativ zyrtar në fazën e hershme bizantine (shekujt VII-VIII- të).

Në Thesproti/Çamëri, deri në periudhën e persekutimit të banorëve (1913-1945), vazhdonte ekzistenca e pronave të përbashkëta, si kullotat, pyjet, rrahet, tokat orgomë (djerrë), ujërat, të cilat vazhdonin të administroheshin nga bashkësia fshatare.

Është për tu theksuar edhe ekzistenca e një “gjurme” nga kohët e vjetra, kur tokat ishin prona të përbashkëta fshatare, bëhet fjalë për strukturën e “arave të hapura”. Në “arat e hapura” me përfundimin e korrjeve, bariu (çobani) ishte i lirë që bagëtitë ti kulloste në çdo copë toke të tillë, pavarësisht nga poseduesi. Edhe në rastet kur kishte “ara të braktisura”, ishte rregull që me kalimin e një kohe të caktuar ato lloj arash i ktheheshin përsëri bashkësisë fshatare, të cilat përdoreshin për anëtarët e bashkësisë që kishin nevojë për ngastra të reja, ose kur u duhej të këmbenin tokën e tyre me ngastra më të përshtatshme. Bastisjet e fiseve gjermane dhe sllave, shkatërrimet e vendbanimeve  nga fundi i shekullit të IV-të A.C., imponuan fortifikimin e vendbanimeve të tjera ose lëvizjen e banorëve të tyre në pozicione më të favorshme natyrore.

Thesprotia, gjatë periudhës bizantine, për shkak të pozicionit të saj, ishte një kështjellë për të gjithë pushtuesit e ndryshëm. Në fund të shekullit të IV-të, Venedikasit (sundimtarët e detit Adriatik dhe Jon) pushtuan bregdetin e saj, duke krijuar baza në Sajadhë, Fanar dhe në Pargë. Gjatë periudhës pas bizantine (shek. XIII-XIV) u krijuan vendbanime të reja si: Gumenica, Osdinadhe Pramëthia. Vendbanimet e reja, jo vetëm që mbijetuan, por ato lulëzuan edhe pas pushtimit të Thesprotisë nga turqit.

Gjatë shekullit të XV-të, Thesprotia ra nën pushtimin osman. Luftërat e vazhdueshme për çlirimin nga turqit arritën kulmin me rezistencën e suliotëve kundër Ali Pashës së Janinës dhe holokaustit Kougkio. Ishin gratë suliote të cilat për të mos rënë në dorë të ushtarëve të Aliut, me fëmijët në gjoks, u hodhën nga shkëmbinjtë duke mbetur heroina të përjetshme.

Luftimet e thesprotëve kundër pushtuesve turq ishin të vazhdueshme. Vlen të përmendet lëvizja e Dionis “Skyrosophos” (1611) dhe luftërat e Suliotëve kundër turqve dhe Ali Pashës së Janinës (në fillimet e shek. të XVIII-të deri në fillim të shekullit XIX-të).

Një nga zonat më malore në Thesproti është komuniteti Suliot. Elementet e saj historike janë ende të gjalla me kështjellën Qafa që dominon në zonë. Kougki, vendi i sakrificës së murgut Samouil, puset që banorët përdorën për furnizimin e fshatit me ujë, rruga që çon në burimet e lumit Acheron, kisha Shën Dhimitrit, “Shkalla e Xhavellës” dhe shtegu i Sulit.Distrikti i Sulit përbëhet nga fshatrat: Suli, Avarikos, Qafa dhe Samoniva, të gjitha së bashku quhen Tetrachori. Pas disa vitesh distrikti u zgjerua me fshatrat përreth si: Çakouri, Petrachi, Vilia, Alpochori, Kontatais, Gkanola dhe Çiflik që formuan vendndodhjen Eftachori (shtatëfshatrat). Kjo zonë ishte e banuar nga suliotët. Suliotët nuk e pranuan pushtimin turk në zonë, ishin armiqtë e tyre të pamëshirshëm. Ali Pashë Tepelena bëri tre sulme kundër Sulit; i pari ishte në vitin 1792; i fundit filloi në vitin 1800 dhe zgjati 3 vjet, derisa më 15 dhjetor 1803 suliotët u dorëzuan pas një marrëveshjeje me Ali Peshën e Janinës.

Pas themelimit të shtetit grek, thesprotët vazhduan luftën e tyre por pasukses, mbasi ndikuan veç prishjeve të marrëveshjeve nga pala greke, edhe vendimet e mbrapshta të vitit 1913 të Fuqive të Mëdha, ku rajonin e Çamërisë, ja dhuruan shtetit Grek, pa asnjë argument etnik, gjeografik, historik, politik, fetar apo ushtarak. Por vetëm për të ruajtur ekuilibrat mes shteteve të fuqishme Europiane. Europa “demokratike” nuk mori në konsideratë të drejtat e popujve të vegjël.

                                                                                      .             

Deri para krijimit të shtetit Grek dhe idelogjisë së tyre ”Megalloidhesë”, banorët e etnisë shqiptare (arvanitas, çamo-suliotë dhe shqiptarë-ose toskë e gegë), kanë treguar karakterin vital të fqinjësisë së mirë me grekët, duke luftuar krah për krah dhe me pasion të lartë kundër pushtuesve të Greqisë dhe trojeve të tyre, nga lashtësia deri në shek.XIX.

Sjellim në kujtesë dy raste tepër vendimtare:

1.- Në referim të Herodotus (lindi në Halikarnas rreth vitit 484 pes dhe vdiq 425 pes, autor i veprave antike të filozofisë që shumë shkencëtarë i marrin si pikënisje në punët e tyre), (The Histories botuar nga A.D. Godley, 1920), dallohet roli i pamohueshëm ndihmues që i kanë dhënë banorët e Thesprotisë, grekëve në lashtësi:  “Të gjithë banorët që jetojnë në këtë anë të Thesprotisë dhe lumit Acheron morën pjesë në luftën e grekëve, në betejën detare të Salaminës. Thesprotët, Ambrakët dhe Leucadians, ishin ata që erdhën nga vendet më të largëta për të marrë pjesë në luftë”.

2.- Sikundër dihen edhe luftërat e përbashkëta të shqiptarëve me grekët kundër pushtuesve të huaj deri në arritjen e pavarësisë, krijimim e shtetit Grek në vitin 1830 si dhe pabesitë greke, që  nuk u qëndronin marrëveshjeve.

Sot Thesprotia/Çamëria për Greqinë është hyrja kryesore detare e vendeve të Evropës Perëndimore. Roli i saj është përmirësuar për shkak të funksionimit të portit të ri dhe të rrugës Egnatia. Të dy këto projekte madhore e bëjnë Gumenicën, kryeqytet të prefekturës së Thesprotisë, një nga qendrat më të rëndësishme të transportit në Evropë.

                 

Për realizimin e kësaj kujtese janë shfrytëzuar burime të ndryshme: 

– Komiteti i Turizmit i Prefekturës Thesprotia WebPage;

– Gazeta “Rrjënjët”, viti 2014;

– Ligji bujqësor bizantin;

– Dijet personale mbi historinë e asaj krahine dhe njohjen territoriale të Thesproti/Çamërisë.

Shënim (¹): Arkeologu Karl Shugard: Bartësit e qeramikës neolitike thrakase i ka quajtur parailirë (Urillyrier). Po ashtu edhe Vladimir Gjeorgjievi(²), mbron tezën se krijuesit e kulturës kreto- mikenase qenë protoilirë.

Shënim(²):Vladimir Ivanov Georgiev (1908 -14 qershor 1986) gjuhëtar, filolog dhe akademik bullgar, studioi gjuhët indo- evropiane.

Më 17 Prill 2023 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu