ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Kush është Vait Ibro i “bashkësisë etnike të goranëve”, që ishte pjesëmarrës i bisedimeve për Kosovën në Rambuje, në pranverën e vitit 1999

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës...

Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

Nga: Adem Lushaj Reportazh “Krimet serbe në Kosovë - Rasti i Deçanit” dhe...

Mirënjohje profesor Fatmirit për “Fjala e Lirë”

Nga: Fahri Dahri Njeriu është  i paisur me komplekse, si qenie e...

Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit

Zveçan, 25 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë...

Shpërndaj

Shkruajnë: Bedri HALIMI & dr. Xhevat HASANI
____
Vait Ibro ka marrë pjesë si “Kryetar i Bashkësisë Etnike të Goranëve” në kuadër të delegacionit serb në bisedimet për Kosovën në Konferencën e Rambuje-Parisit në pranverën e vitit 1999. Është për t`u theksuar se Vait Ibro në Konferencën e Rambuje-Parisit është paraqitur si “Kryetar i Bashkësisë Etnike të Goranëve” pa e zgjedhur dhe pa e autorizuar goranët, gjë që ka paraqitur një krim politik për të cilin ai herëdokur, ishte dashur të përgjigjej. Duke qenë pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë, ai në të ashtuquajturën “tryezë shkencore” lidhur me Gorën dhe goranët të mbajtur në vitin 2000 në Beograd, e ka prezantuar punimin e tij “shkencor” me titull: “Goranët në dritën e bisedimeve në Rambuje”.
Në punimin e tij “shkencor”, ai ndër të tjera thotë se procesi i islamizimit të goranëve të Gorës ka përfunduar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë! Gënjeshtrën e tillë Vait Ibro e bën me vetëdije, për ta bindur opinionin publik dhe shkencor të Serbisë, sikur gjoja goranët deri në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, përkatësisht deri brenda viteve 1900-1950, kanë qenë ortodoksë dhe për rrjedhojë edhe serbë. Vërtet me pohimin e tillë të Vait Ibros kanë të drejtë të qeshin edhe zogjtë! Kjo sepse, shumë goranë të lindur në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë (midis viteve 1900-1950) edhe sot janë gjallë diku në moshën 60-70-të vjeçare, dhe secili prej tyre e di se babë, gjysh, stërgjysh, katragjysh e tetragjysh i ka pasur të besimit myslimanë. Kështu, të thuash se procesi i islamizimit të goranëve ka përfunduar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, është më tepër se gënjeshtër dhe më tepër se marrëzi! Por, gënjeshtrat dhe marrëzitë për Vait Ibron janë!
Nëse Vait Ibro dhe akademikët serbë duan ta mësojnë të vërtetën se kur ka ndodhur procesi i islamizimit të goranëve, këtë ua tregon shumë mirë profesor Selami Pulaha i cili shkruan, se sipas dokumenteve turke të Stambollit, “Myslimanizmi në territorin e krahinës së Gorës ka nisur në vitin 1559 dhe ka vazhduar deri më 1579, përkatësisht deri në fund të shek XVI” .
Studiuesi i njohur prof. dr. Muhamed Pirraku duke u bazuar në burime arkivore shkruan deri edhe për procesin e depërtimit të islamit në Gorë para se osmanët ta sundonin Ballkanin. Kështu ai shkruan: “Për rrugët e mundshme të depërtimit paraosman të myslimanëve dhe të islamit në mjediset gorane, ka të dhëna sinjifikative. Kujtesa historike dhe një e dhënë epigrafike flasin për ekzistimin e xhamisë në Mlikë (fshat në Gorë, vërejtja jonë) që nga viti 1289 (688H), plotë 100 vjet para Betejës së Kosovës. Islami institucional osman në Gorë, nisur nga ndërtimi i xhamive është diçka më i ri sesa në Opojë, dhe ka marrë hov nga pjesa e parë e shekullit XVI, kur u ngritën xhamitë e para në Kukulan (me 1515), në Restelicë (me 1521), në Vranishtë (me 1525), në Krakoshtë (me 1528) dhe në Krushevë (me 1540)” . Por, ç`i duhen Vait Ibros burimet arkivore të Stambollit kur ai konkluzat e tij për Gorën dhe goranët i ka në xhepin e vogël, i nxjerr në çdo kohë dhe i lexon ato, kurse ASHAS-ja ia boton!
Më tej, Vait Ibro në shkrimin e tij për Gorën dhe goranët konstaton se: ”bashkësia etnike gorane, sot është plotësisht e integruar në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Republikës së Serbisë. Kjo shihet edhe me ekzistimin e njësisë së veçantë territoriale komunës së Gorës“ . Duke shkruar kësisoj ai shtiret sikur nuk e di se bashkësia etnike gorane, jo vetëm sot, por ç`prej se ajo ekziston ka qenë dhe është e integruar në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Kosovës. Duke shkruar se ekziston komuna e veçantë e Gorës, Vait Ibro shkruan për komunën fiktive të komunës së Gorës të shpallur dikur nga regjimi i Milloshviqit në vitin 1991. A mendon ky njeri se sa kohë ka kaluar që nga viti 1991!
A mendon ky njeri se Kosova s’e bën Gorën komunë të veçantë vetëm sepse këtë e dëshiron Serbia e Vait Ibroja!
Siç kemi cekur edhe më lartë me kërkesë të Harun Hasanit, Vait Ibros, Behadin Ahmetoviqit dhe disa goranëve të tjerë dhe në marrëveshje paraprake në Kuvendin e Serbisë, më 26 korrik 1991 pa e marrë pëlqimin e banorëve të Gorës dhe të Opojës, ky kuvend ka marr vendim që nga ish-komuna e Dragashit ta ndajë Gorën si komunë të veçantë, përkatësisht që ta shkëpusë Gorën nga Opoja e banuar me shqiptarë.
Shtrohet pyetja pse asokohe Harun Hasani e Vait Ibroja dhe të tjerët si këta, në kundërshtim me vullnetin e popullatës së Gorës dhe me ndihmën e regjimit serb e ndanë Gorën nga Opoja! Por, për çka tjetër, përveçse për t`a serbizuar atë më lehtë! Për çka tjetër, përveç se për t`i bërë “detyrat e shtëpisë” të cilat atyre ua kishte caktuar regjimi serb i Millosheviqit.
Por, Serbia edhe pas largimit të saj nga Kosova në verën e vitit 1999, dhe edhe pas pavarësimit të Kosovës në vitin 2008, nuk ka hequr dorë nga serbizimi i popullatës së Gorës. Për këtë qëllim, Serbia ka dërguar dhe i dërgon edhe sot emisarët e saj në krahinën e Gorës, kuptohet për t`i mashtruar e joshur goranët me të “mirat” e saj për ta. Njëra prej emisareve të Serbisë e cila e ka vizituar Gorën për t`ia matur pulsin popullatës së saj ka qenë edhe Sandra Rashkoviq-Iviq. Kjo zonjë, duke e parë se popullata e Gorës s`kishte dashur “të ecte pas qerres së saj”, kishte ushtruar deri edhe kërcënime interne në emër të Serbisë, sidomos ndaj atyre goranëve të cilët ishin inkorporuar brenda rrjedhave përgjithshme të shoqërisë në Kosovën e pavarur.
Antishqiptarizmi i Vait Ibros është vërejtur edhe përmes pohimeve tjera të tij të bëra në formën e një artikulli gazetaresk kur thotë : ”Për fat të keq ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi, paraqesin okupimin më të rëndë nga ana e shqiptarëve (serbisht, “od strane šiptara”), dhe kërcënon me rrezik që goranët t`a humbin vlerën të cilën e kanë trashëguar në bashkësi, dhe e cila u ka mbijetuar me shekuj të gjitha vështirësive“ . Këtu, ndonëse Vait Ibro nuk përmend asnjë fakt se ndaj cilave vështirësi kanë mbijetuar vlerat e goranëve, ai le të nënkuptohet se e ka pasur fjalën për vështirësitë e goranëve me shqiptarët, të cilat s`kanë ekzistuar realisht asnjëherë. Goranët kanë pasur vështirësi me Vait Ibron, Haraun Hasanin, Behadin Ahmetoviqin e Orhan Dragashin, të cilët atyre janë përpjekur dhe përpiqen t`ua ndërrojnë identitetin dhe entitetin fetar dhe etnik.
Me që Vait Ibro gjërat i sheh me syzat e shovinizmit serb, ai çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj nga Serbia s`ka si ta përjetojë ndryshe, përveçse si okupim të Kosovës nga ”šiptari”, siç shprehet ai. Sipas tij del se Kosova e banuar me 90% shqiptarë, duke e shpallur vetën shtet të pavarur në vitin 2008, ajo e ka okupuar vetën e saj! Deri këtu shkon Vait Ibro i shkret!
Më tej Vait Ibro në artikullin e tij gazetaresk të lartpërmendur shkruan se : “Vend të veçantë për bashkësinë etnike gorane kanë bisedimet në Rambuje. Ky ishte takim në të cilin ka marrë pjesë edhe delegacioni i Republikës së Serbisë, me qëllim të zgjedhjes së problemeve në Kosovë dhe Metohi me rrugë paqësore. Posaçërisht është me rëndësi të theksohet se në delegacion ishte edhe përfaqësuesi i bashkësisë etnike gorane” , shkruan Vait Ibro për vetën e tij. Por “turisti” Vait Ibro, në Rambuje nuk e ka përfaqësuar vullnetin politik të popullatës myslimane të Gorës, por në emër të kësaj popullate e ka prezantuar vullnetin e tij pro Serbisë. Tanimë dihet përfundimi i bisedimeve në Rambuje, ashtu siç dihet edhe përfundimi i vet Millosheviqit, por Vait Ibro sot e kësaj dite vazhdon të shohë ëndrra serbisht!
Më tej, Vait Ibro shkruan se ”prania e përfaqësuesit të goranëve në Rambuje ishte dhe një dëshmi se jemi të pranuar si të veçantë, dhe paraqesim faktor që nuk mund të anashkalohet në zgjidhjen e problemeve në Kosovë dhe Metohi” ; se “angazhimi ynë ishte që bisedimet të bëheshin drejtpërdrejt, sepse rezultati i arritur do t’u konvenonte të gjitha bashkësive etnike“, por “megjithatë kjo nuk ndodhi. Të fuqishmit nga perëndimi trilluan se më mirë është të bisedohet përmes ndërmjetësve. Kështu filloi një bisedim i rëndë dhe i mundimshëm me njerëzit, të cilët siç mund të vërtetohet, që më parë kishin pasur për qëllim ndarjen e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia, dhe mosrespektimin e të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata“. Kësisoj, Vait Ibro vazhdon ta vajtojë procesin e Rambujesë, duke i fajësuar vazhdimisht shqiptarët dhe ndërkombëtarët.
A e di Vait Ibro se ndërkombëtarët (fuqitë e mëdha të Evropës) e kanë “martuar” Kosovën me Serbinë në kundërshtim me vullnetin e saj, kurse në vitin 2008 dhe jo në Rambuje, siç flet Vait Ibroja, po këta ndërkombëtarë (fuqitë e mëdha të Evropës dhe SHBA-të) këtë martesë të gabueshme dhe të dhunshme janë detyruar për ta prishur dhe anuluar. A din Vait Ibro se pas 130 vitesh shtypje, tortura, burgosje, ekzekutime, masakrime dhe përzënie të shqiptarëve nga regjimet serbe, Kosova me Serbinë nuk ka dashur më që të ketë “marrëdhënie martesore”, aq më pak të dhunshme. A e di ky njeri se viktima dhe krimineli s`kanë si të jetojnë më brenda të njëjtës shtëpi! Të gjitha këto i di Vait Ibro por shtirët sikur nuk i di!
Më tej, Vait Ibro deklaron se si, ai në Rambuje, ka qenë kundër krijimit në Kosovë të institucioneve të cilat i kanë shtetet: ”Kryetarin e Kosovës, Kushtetutën, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Pavarur dhe Policinë” , sepse sipas tij për Kosovën do të kujdeseshin institucionet e tilla të Serbisë. Por, ja që Kosova kur e kishte shpallur pavarësinë e saj dhe i kishte themeluar institucionet e lartpërmendura, kishte “harruar” se çfarë kishte thënë Vait Ibro në Rambuje! A e di Vait Ibro se ai për të ardhmen e Kosovës nuk peshon as sa një pikë ujë në det! Njeriu për asgjë s`është më i shkret sesa kur mendja e tij e gënjen!
Më tej, Vait Ibro, si edhe Behadin Ahmetiviqi, deklaron se gjatë bombardimeve të NATO-së, në një territor aq të vogël (mendohet për Gorën, vërejtja jonë) paskan rënë aq shumë bomba, të cilat paskan shkatërruar aq shumë objekte të rëndësishme në qytezën e Dragashit, si ndërmarrjen “Šarproizvod”, repetitorët televiziv dhe të gjitha karaullat me Republikën e Shqipërisë”, dhe shton se, ”në luftë kundër armikut kanë marrë pjesë edhe goranët në kuadër të njësive ushtarako-policore të Serbisë, MUP-it. Komuna e Gorës ka pasur përgjigje masovike për mobilizim gjatë 78 ditëve. Goranët kanë qenë në mbrojtje të Republikës së Serbisë dhe Jugosllavisë. Duke mbrojtur vatanin, jetët e tyre i kanë dhënë 7 ushtarë dhe civilë kurse dhjetëra të tjerë janë lënduar“ !
Thëniet e tilla paraqesin kulminacionin e gënjeshtrave të Vait Ibros, të cilat ai ia shet fare lirë opinionit serb. Ato që nuk ia tregon Vait Ibro opinionit serb është se gjatë bombardimeve të NATO-së, njësitë ushtarako-policore serbe mezi kanë arritur që një pjesë të goranëve ta mobilizonin në radhët e tyre nën kërcënimin e armëve, sepse pjesa e madhe e goranëve, mobilizimit të tillë i kishte ikur duke kaluar nëpër rreziqe të mëdha; se goranët e mobilizuar dhunshëm janë trajtuar ngjashëm si robërit e luftës; se ata për 78-të ditë me radhë në Bjeshkët e Sharrit mbi Dragash, me kazma dhe lopata kanë hapur trase lufte për ushtrinë serbe pa guxuar që ta flisnin çoftë edhe një fjalë; sa shumë gra dhe vajza të Gorës janë dhunuar nga ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë pikërisht gjatë bombardimeve të NATO-së; se po të kishte zgjatur lufta më tej, goranët e mobilizuar kanë qenë të destinuar për t`u bërë “mish për top”, duke i futur ata komanda ushtarake serbe në radhët e para të luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-në), në mënyrë që kësisoj shqiptarët dhe goranët të përgjakeshin me njëri-tjetrin dhe të armiqësoheshin përjetësisht. Dëshmitarë të veprimeve të tilla të ushtrisë serbe ndaj popullatës së Gorës gjatë bombardimeve të NATO-së janë vetë goranët e mobilizuar asokohe. Mbi të gjitha, Vait Ibro nuk i tregon opinionit serb se cili ka qenë roli i tij në mobilizimin e goranëve gjatë bombardimeve të NATO-së! Sot ka të dhëna se Vait Ibro, Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi dhe disa të tjerë, kanë qenë aktorë të rëndësishëm të mobilizimit të dhunshëm të goranëve brenda njësive ushtarako-policore të Serbisë.
Duke i ditur qëllimet e tilla të mobilizimit të një pjese të goranëve në radhët e ushtrisë serbe, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte ndalur futjen e rekruteve të saj nga Shqipëria për në Kosovë nëpërmjet territorit të Gorës. Krejt kjo me qëllim që ushtria serbe të mos i përdorte goranët e mobilizuar dhe rekrutët e UÇK-së për t`i realizuar ajo planet e saj të zeza për të dy palët.
Është për t`u theksuar se me rastin e shpërnguljes së shqiptarëve në Shqipëri nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, pikërisht fshatarët e fshatrave gorane në Shqipëri i kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për të strehuar dhe përkujdesur sa më shumë refugjatë të luftës. Sot ka të dhëna se asokohe pikërisht nga goranët e Shqipërisë janë vënë në lëvizje që goranët e Gorës të mos i dëmtojnë shtëpitë e shqiptarëve të Opojës të deportuar në Shqipëri . Kështu, lufta çlirimtare e Kosovës ka bërë që shqiptarët e Opojës dhe goranët e Gorës të afrohen edhe më shumë midis tyre brenda Kosovës së pavarur. Përfundimisht, të gjitha rrethanat flasin se Serbia ashtu siç nuk përfitoi gjë nga shqiptari antishqiptar Rrahman Morina, përveç hirit të mbetjeve të tij mortore në shishe, edhe nga antishqiptarët si Vait Ibro, Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Orhan Dragashi, Mesip Dalifi dhe ndonjë tjetër, nuk do të përfitojë asgjë tjetër, përveç hirit të mbetjeve të tyre mortore në shishe!
Më tej, Vait Ibro thekson se me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës, dhe me largimin e forcave serbe nga Kosova, në Kosovë është krijuar një vakum të cilin e “kanë shfrytëzuar terroristët nga e ashtuquajtura UÇK, që ajo e armatosur së bashku nga bandat plaçkitëse nga Shqipëria, dhe me mbështetjen e popullatës shqiptare nga Opoja të hyjë në territoret e vendit tonë” .
Vait Ibro e di mirë se forcat e UÇK-së kanë qenë pothuajse gjithkund në Kosovë, dhe për këtë s`i kanë marrë leje as regjimit të Millosheviqit e as Vait Ibros. Ai e di se UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare dhe jo “terroriste”, siç shprehet ai. Nuk janë terroristë ata që luftojnë për çlirimin e vendit të vetë, por terroristë janë ushtritë okupuese të vendit tjetër, ato që vrasin e presin popullatën vendëse të vendit tjetër, siç është rasti me ushtritë serbe dhe krimet e tyre të ushtruara në Kosovë. Të gjitha këto i di mirë Vait Ibro, por shtiret sikur nuk i di.
Sa për popullatën e Opojës të cilën Vait Ibro e akuzon si mbështetëse të UÇK-së, shtrohet pyetja se çfarë paska pritur Vait Ibro nga kjo popullatë! Mos paska pritur që kjo popullatë ta mbështeste ushtrinë okupuese serbe, sepse kësisoj paska dashur Vait Ibroja me shokë! Vërtet, a di Vait Ibro që t`i urrejë shqiptarët pa u çoroditur vet mendërisht, siç është çoroditur duke thënë se shqiptarët e paskan mbështetur UÇK-në! A e di Vait Ibro se popullata shqiptare e Opojës për hir të ardhmërisë së Kosovës, ia ka falur të gjitha dëmet atij grushti goranësh keqbërës i cili derisa shqiptarët e Opojës kishin qenë të deportuar në Shqipëri, i kishin dëmtuar shtëpitë dhe pronat e tyre. A e di Vait Ibro se në Kosovën e pavarur, etnitë e ndryshme në kundërshtim me dëshirën e tij, po afrohen, po bashkëpunojnë e po bashkëjetojnë duke shikuar drejt të ardhmes më të mirë.
Më tej, Vait Ibro vajton se si “me shekuj goranët e kanë ruajtur identitetin e tyre përmes gjuhës. Sot paraqitet rreziku që kjo të humbet, sepse nëpër shkolla është futur gjuha shqipe apo njëfarë gjuhe boshnjake“ . A e di Vait Ibro se në Kosovën e lirë asnjë etnie nuk i kontestohet arsimimi në gjuhën e vet. A e di ai se një orë mësimi në javë në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore apo të shkollave të mesme të pakicave etnike, nuk paraqet aspak mohim të gjuhës amtare në të cilën zhvillohen të gjitha lëndët mësimore. Dhe së fundi a e di Vait Ibro se njohja modeste e gjuhës shqipe nga pjesëtarët e pakicave etnike është në interesin e tyre, në radhë të parë ekonomik etj. Shtrohet pyetja si mund të bëhesh në Kosovën e banuar me 90% shqiptarë një afarist, një biznesmen, një tregtar, apo një mjek i mirë, nëse me shumicën e klientëve të tu nuk di të komunikosh shqip! Të gjitha këto i di Vait Ibro, por shtirët sikur nuk i di!
Vait Ibro i jep vetës të drejtë të flasë e të shkruaj për goranët ashtu si do vet. Kështu, ai konkludon se ”Goranët që moti si shtet të vetin e kanë Republikën e Serbisë dhe për këtë kanë luftuar dhe do të luftojnë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Serbisë” . Konkluzat dhe porositë e tilla të Vait Ibros për Gorën dhe goranët nuk janë as të parat e as të fundit, sepse ai tanimë për vite të tëra është futur në rrugën qorre të tij, prej të cilës edhe sikur të dojë nuk mundet me dalë. Ai bën konlkuza e thirrje të tilla edhe pse e di se goranët asnjëherë nuk kanë luftuar për t`ia ruajtur sovranitetin e Serbisë në Kosovë, por përkundrazi ata gjatë kthesave të shumta historike kanë luftuar bashkë me shqiptarët për t`ia ruajtur Kosovës sovranitetin e saj të rrezikuar nga Serbia. Së paku kështu flet memoria historike e goranëve dhe kështu flasin edhe burimet arkivore historike. Kësisoj, gjatë luftërave ballanike në mesin e shumë shqiptarëve, në mbrojtje të Kosovës nga Serbia, kanë rënë dëshmorë edhe shumë goranë, si Arif Krusha, Nail Hyseni, Rasim Zapodi, Dajlan Xhemë Basha, Murat Adem Murati, Rrahman Ali Murati, Qamil Mehmet Beqa, Maksut Rexhep Fetishi, Ibrahim Shahin Lleshi, Fetish Asllan Beqa dhe shumë të tjerë si këta.
Për luftërat e përbashkëta të shqiptarëve dhe goranëve kundër okupimit serb, intelektuali nga Gora e Shqipërisë, Nazif Dokle, shkruan: “Të pandarë, shqiptarë e goranë, luftuan kundër serbëve në Qafën e Duhles, në atë të Glloboçicës në nëntorin e vitit 1912. Mbi bazën e besës së lidhur, goranët morën përgjegjësinë e sigurimit të krahëve për qëndresën e Kolosjanit dhe ndikuan drejtpërdrejt në fitoren tashmë legjendare kundër serbëve më 14-17 nëntor të atij viti. Krah shqiptarëve, ata u shquan dhe në luftën e Koritnikut të shtatorit të vitit 1913. Në këto përpjekje për jetë a vdekje, vetëm Gora e Kukësit dha 32 dëshmorë prej të cilëve 26 prej bajrakut të Topojanit. Gjithashtu, për këtë shkak, kjo zonë përjetoi masakrat nga më të rrallat në histori kur qindra burra, pleq, gra e fëmijë, u kaluan në plumb dhe bajonetë” .
Dhe së fundi duhet theksuar se, ka argumente, se Vait Ibro është edhe falsifikator. Ai së bashku me serbin Nikola Poplasha kanë krijuar dokumentacion të falsifikuar, sipas të cilit ata në Universitetin e Banjallukës në Bosnje-Hercegovinë kishin doktoruar dhe kishin marrë tituj doktorë të shkencave. Por, meqë pas falsifikimit Vait Ibro dhe Nikola Poplasha ishin hetuar, kurse rektori i Universitetit të Banjallukës kishte deklaruar, se falsifikimet e tilla ishin bërë pa dijen e tij. .
Ja, ky është Vait Ibro i cili boton punime “shkencore” për Gorën dhe Goranët në botimet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, por jo me titullin e doktorit të shkencave, por me titullin e magjistrit! Mbase ka magjistruar!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu