Hoxhallarët duke “i relaksuar fëmijët” në një xhami të Mitrovicës …!
Lirim Gashi, shkrimtar nga Prishtina
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, NATO dhe shtetet anëtare të kësaj aleance të madhe, na shpëtuan nga gjenocidi shfaroses serb, shumica apsolute prej nesh ishim sikurse sot, shqiptarë të besimit islam.
Mirëpo për dallim. nga sot, ne asokohe nuk e furnizonim ISIS-n dhe Al Kaiden me djem dhe vajza të reja, femrat tona nuk ktheheshin nga këto luftëra të pakuptimta me bark të fryrë sa baloni dhe as më të shiturit mes nesh nuk e ofendonin Gjergj Kastriotin dhe Nënën Terezë.
Pse u bëmë kaq armiqësor ndaj vetvetes dhe kaq mosmirënjohës ndaj shteteve me shumicë protestante dhe katolike, pikërisht pasi që na hoqën qafe Serbinë gjenocidale?
Akoma më keq :
Pse u bëmë pikërisht pas çlirimit nga Serbia gjenocidale kaq armiqësor ndaj Krye-heronjve tanë historik dhe ndaj luftëtarëve të vërtetë të luftës për çlirim, liri, pavarësi, drejtësi, barazi dhe shtetësi?
Pse abuzuam si të çmendur më vlerat e luftës dhe paqes?
Rastësi?
Jo nuk ka rastësi në Luftën Speciale të Serbisë kundër Kosovës, përkundrazi gjithçka planifikohet deri në detajet më të imta.
A mos i inspirova dhe inkurajova unë armiqtë e brendshëm politikë dhe fetarë, për të bashkëpunuar me armiqtë e jashtëm?
Jo, nuk i inspirova dhe inkurajova unë, përkundrazi, unë bëra gjithçka që pata mundësi, për t’ia hapur sytë kombit tim naiv përmes shkrimeve të mia.
Ndaj këta djem të rinj dhe këto vajza të reja që shkuan për ta dhënë jetën për popujt arabë dhe për t’i kënaqur seksualisht terroristët e tyre, i inspiruan pikërisht klerikët dhe i toleruan pikërisht politikanët tanë të shitur, ndërkohë që nuk e kishin fare dert që e (keq) drejtonin një Kosovë të varfër, të pazhvilluar, të ndarë dhe përçarë, e cila nuk po arrinte dot, ta shtrinte sovranitetin në mbarë territorin e saj në vepër, por vetëm në letër.
Dhe në këtë konstatim, e keni njëherësh edhe përgjigjen në pyetjen; “Kush na solli në këtë derexhe?
Natyrisht na sollën në këtë derexhe politikanët dhe klerikët tanë, që ia shiten si gjithmonë shpirtin për para, shërbimeve armiqësore sekrete.
Ndaj jo vetëm që e lejuan depërtimin e islamit ekstrem por bashkëpunuan ngushtë me të, duke bërë madje herë pas here edhe koalicione politike me partitë fetare dhe blerje-shitje pronash të vjedhura nga populli për ndërtimin e objekteve fetare.
Një besimtar i flaktë shqiptar i njëres prej feve tona, i cili nuk dëshiron ta shohë dallimin ndërmjet formave ekstreme dhe paqësore të praktikimit të feve, ma bëri pyetjen e mëposhtme:
Pse Bashkësia Ndërkombëtare i respekton serbët si agresorë të shumëfishtë më shumë se shqiptarët që janë viktima të tyre të shumëfishta ?
Përgjigja ime ishte si në vijim :
Serbët e kombtarizuan dhe shtetëzuan besimin ortodoks, duke i dhënë autoqefalinë në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndaj feja e tyre i mbron ata nga shkombëtarizimi.
Fatkeqësisht ne shqiptarët po e shesim gjithnjë e më shumë identitetin tonë kombëtar dhe po e pranojmë identitetin e huaj fetar, sepse edhe kur po duam t’i kombtarizojmë besimet, këtë nuk po na lejojnë disa nga krerët e Bashkësive Fetare, të cilët e kanë mision të shenjtë shkombëtarizimin tonë.
Njëra Bashkësi e jona fetare, për shembull, është themeluar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila është edhe dega më e sofistikuar e UDB-së.
Ndaj si mund të presim respekt nga Bashkësia Ndërkombëtare kur ne jo vetëm që nuk po e respektojmë dhe mbrojmë identitetin tonë kombëtar, por edhe po e shesim për para dhe po e pranojmë identitetin e huaj fetar?
Unë në parim nuk jam kundër besimit të sinqertë në Zot, përkundrazi, por jam kundër formave të dhunshme të besimit, të cilat janë në vetvete përjashtuese, sepse pretendojnë jo vetëm monopol apsolut mbi të vërtetën, por edhe përmbysje të sekularizmit dhe drejtim fetar të shtetit.
Që disa nga Bashkësitë tona Fetare janë nën ndikimin dhe dirigjimin e armiqve të jashtëm këtë e vërteton mes tjerash edhe një përvojë e hidhur historike me kishën tonë ortodokse.
Fan Noli u përpoq me gjithë zemër, ta kombtarizonte (autoqefalizonte) Kishën Ortodokse Shqiptare në kuptimin e vërtetë të fjalës, por të gjithë e dimë se çfarë ndodhi me të.
Kisha jonë Ortodokse sot quhet autoqefale, edhe pse nuk është, sepse drejtohet nga Shërbimi Sekret Grek, i cili i shërben interesave hegjemoniste të Greqisë.
Prandaj nuk është aspak e çuditshme që Serbia dhe Greqia kanë tradicionalisht marrëdhënie të ngushta, sepse na trajtojnë si armik të përbashkët.
Çfarë po bën Turqia?
Po ndërton marrëdhënie produktive me Serbinë që forcojnë pa masë ekonominë dhe shtetin serb, ndërsa kombin tonë autokton dhe territoret e tij etnike i trajton si koloni të saja, ndaj i shkombëtarizon shqiptarët dhe i dobëson dy shtetet e tyre në mënyrë shumë të sofistikuar, dhe perfide, duke u shërbyer me fjalë mjaltore dhe vepra helmuese.
E sidomos e dobëson Kosovën, të cilën ajo e njohu e para për t’ia marrë Serbisë nga dora drejtimin e saj, duke e ditur se krerët e saj politik do ta dobësojnë vetë shtetësinë e shtetit të tyre, sepse tradicionalisht kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të kombit të tyre.
E që kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të kombit të tyre e dëshmon qartë fakti se shqiptarët janë i vetmi komb
në Ballkan që nuk e kanë përmbyllur çështjen kombëtare dhe shtetërore.
Prandaj Turqia ndërton fabrika të panumërta në Serbi, ndërsa në Kosovë ndërton objekte të panumërta fetare, duke i inkurajuar klerikët që i drejtojnë dhe besimtarët që i vizitojnë ato objekte, të shkëmbejnë identitetin kombëtar me identitetin fetar.
Në fakt nuk bëhet fjalë për shkëmbim por për shitje të rrastë të identitetit kombëtar.
Sepse Turqia dhe shtetet arabe investojnë shuma të paimagjinueshme parash për shkombëtarizimin e kombit shqiptar.
Nga ana tjetër, kjo është edhe përgjigja në pyetjen;
Pse Serbia ka marrëdhënie kaq të përzemërta me shtetet arabe?
Sepse shtetet arabe jo vetëm që e financojnë shkombëtarizimin e shqiptarëve, por edhe nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Në fakt shtetet e vetme arabe që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, janë ato që kanë mardhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anasjelltas nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës shumica prej tyre, sepse kanë mardhënie të ngushta me Rusinë dhe Serbinë.
Ndaj nuk e di pse kemi nevojë t’i shohim me mikroskop, gjërat që shihen nga aeroplani?
Çfarë po bën politika jonë qeveritare dhe opozitare ?
Jo vetëm që nuk po mëson nga qëndrimi dinjitoz i Ibrahim Rugoves, por edhe po gjunjëzohet para formave ekstreme dhe politike të praktikimit të feve, për vota dhe para, në vend që të distancohet prerazi.
Dhe pse po gjunjëzohet ?
Sepse shumë nga partitë tona politike financohen nga qarqet ekstremiste fetare, ndaj kanë shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës, të cilët solidarizohen për para të majme, qartazi dhe publikisht, me shitësit e identitetit kombëtar, përkatësisht me këmbyesit e identitetit kombëtar me identitetin fetar.
Kjo situatë paradoksale, jo vetëm që më trishton pa masë, por edhe më motivon pa masë, që të distancohem prerazi edhe si person privat edhe si Kryetar i Forcës së Diasporës për Kosovën, nga të gjitha format ekstreme të praktikimit të feve, që çojnë në shkombëtarizimin tonë.
Pse na duhet ky distancim i qartë?
Sepse jo vetëm që jemi komb i lashtë dhe autokton me vlera të pamatshme autentike, historike dhe aktuale, por edhe shtet demokratik e sekular, që pretendon me të drejtë, të bëhet anëtar i Unionit Evropian.
Fundi i fundit këtë ia kemi borxh jo vetëm vetvetes, njëri-tjetrit dhe dëshmorëve, martirëve e heronjve të luftës për liri, pavarësi, shtetësi, demokraci, barazi dhe drejtësi, por para së gjithash fëmijëve tanë.
Sepse prindërit, gjyshërit, motrat, vëllezërit, kushërinjtë dhe kombin e tyre i shpëtuan para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe NATO nga gjenocidi i paparë dhe shfaroses serb, që zgjati dyqind vjet.
Dhe jo vetem kaq, por i shpëtuan edhe nga bashkpuntorët shqipfolës të armiqve të jashtëm.
Dhe jo vetëm kaq, por edhe i inkurajuan dhe përkrahën në të gjitha format e mundshme dhe pamundshme, për ta themeluar shtetin e tyre të dytë në Ballkan, ndaj ata jo vetëm që duhet të jenë pafundësisht mirënjohës ndaj shpëtimtarëve të tyre, por edhe duhet të dëshmojnë në çdo mënyrë të mençur, që janë miq të tyre të palëkundur dhe besnik.
Sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i realizojnë aspiratat e tyre të drejta shekullore dhe legjitime, për t’u bërë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane, respektivisht pjesë e pandashme e familjes së popujve të civilizuar dhe shteteve e demokracive të përparuara.
Një gjë duhet ta mësoni një herë e përgjithmonë bashkombas të dashur:
Këto kombe dhe shtete që na çliruan nga gjenocidi dyqind vjeçar serb, kurrë nuk do ta kishin arritur këtë nivel të vetëdijesimit, zhvillimit, përparimit dhe mirëqenies sikur të mos i kishin dëbuar fetë e tyre nga politika lokale dhe shtetërore.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Madhe Britanike dhe të gjitha shtetet evropiane dhe botërore që na mundësuan realizimin e ëndrrës sonë shekullore.
_____
* Lirim Gashi është Kryetar i Forcës së Diasporës për Kosovën (FeD).
Ma kjart s‘ka se si shpjegohet ndryshe !