
Nga: Lirim Gashi, Prizren
__
Ne shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi trashëgojmë budallallëkun tonë në mënyrë të barabartë nga njëri brez tek tjetri – falë një sistemi arsimor të dështuar.
Sepse librat tanë shkollorë që janë shkruar në të gjitha lëndët pa asnjë kriter logjik, gramatikor, pedagogjik apo praktik – janë të mbushura deri në kulm me metoda mësimore të pa dobishme, të cilat me meritë na sigurojnë vendin e fundit në çdo studim të PISA-s.
Përmes këtij “arsimimi idiotik dhe pervers”, ne mbushim kokat e fëmijëve tanë me mbeturina të panevojshme, derisa ato të ndihen si thasë të mbingarkuar ciganësh.
Logjikisht, sasia e detyrave shtëpiake që fëmijët tanë marrin nga mësuesit e tyre, do të duhej ta shndërronte edhe vetë Ajnshtajnin në kopje të tyre.
Por çuditërisht, ata e përfundojnë shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar me po aq dituri sa Linda Morina dhe Mizi Pipidak Pilufunci.
Ka një fenomen të çuditshëm që ndodh çdo tre vjet: PISA publikon rezultatet e testimeve ndërkombëtare dhe Ministritë tona të Arsimit — në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut — zhduken nga faqja e dheut.
Disa bëjnë sikur janë në pushim teknik, të tjerat japin intervista me fjalinë klasike: “Duhet të bëjmë më shumë.”
Po më shumë çka, të dashur zyrtarë të përgjumur?
Më shumë mashtrime?
Më shumë libra të palexueshëm?
Më shumë rroga për “ekspertë” që nuk dinë të shkruajnë një fjali pa gabime drejtshkrimore?
Rezultatet janë të trishta, por koherente: shqiptarët janë gjithmonë të fundit në renditje.
Të fundit në lexim.
Të fundit në matematikë.
Të fundit në shkencë.
Ama të parët në recitime për “dashurinë ndaj dijes”, të parët në fjalime patriotike për “të ardhmen e ndritur”, dhe absolutisht të parët në emërimin e kushërinjve si drejtorë shkollash.
Ndërkohë në Finlandë… çka ndodh atje ?
Ajo që ndodh atje është pothuajse fyerje për logjikën idiotike ballkanike: mësuesit trajnohen seriozisht, nxënësit kanë pak orë mësimi, por shumë hapësirë për të menduar.
Atje nuk nguliten datat e betejave në kokë, por hapen debatet për arsyet pse ndodhin ato.
Në vend që të mësojnë përmendsh triliona informacionesh, fëmijët finlandezë mësojnë si ta analizojnë një informacion të vetëm. Thjesht, ata mësojnë të mendojnë. Për çudi.
E ne?
Ne kemi tekste shkollore të shkruara sikur janë diktuar nga një papagall që ka parë ëndërr Andon Zako Çajupin dhe është zgjuar me frikën e provimit të matematikës.
Librat tona janë plot gabime, plot përkthime qesharake dhe plot fjalë që nuk i përdor as vetë fjalori i gjuhës shqipe.
Mësuesit?
Një pjesë e tyre janë heronj që përpiqen me mish e me shpirt ta bëjnë më të mirën, por në një sistem arsimor të politizuar që i trajton si roje objektesh.
Ndërsa pjesa tjetër – që janë punësuar nga pushtetet tona shtet-shkatërruese – mjafton të dinë ta hapin Dritaren (jo të Word-it, por të zyrës, për ajrosje gjatë orës).
Epo, ky është realiteti ynë arsimor: një laborator gjigant dështimi.
Nxënës që mësojnë për PISA vetëm kur i shohin lajmet.
Prindër që u bëjnë detyrat fëmijëve me ndihmën e Google Translate.
Mësues që luten të mos ketë inspektim, dhe inspektorë që kanë diplomuar tek kolegët e tyre nëpër fakultete, që meritojnë të quhen kafene, por jo universitete.
Në fund, i vetmi rezultat i qëndrueshëm në këto tre shtete është ky:
Një brez që e fillon ditën me telefon në dorë dhe që e mbyll me mendje të lodhur, ndërkohë që mesin e ditës e kalon duke u ushqyer me ushqime mistike dhe duke i shkruar fjalët kyçe në një letër higjienike.
Pra, në vend që të konkurrojmë me Finlandën, ndoshta është më mirë ta pyesim veten:
Si ia dolëm të dështojmë në të njëjtën mënyrë, në tri shtete, me tre ministri të ndryshme?
Ndoshta sepse asnjëra prej tyre nuk e ka pasur për qëllim t’i mësojë brezat.
Ato kanë qenë gjithmonë të zëna duke mësuar se si ta emërojnë “djalin e hallës” koordinator për cilësinë e arsimit.
Zonja Arberie Arbërie Nagavci, unë të kam ofruar këshilla falas, por ti fatkeqësisht nuk i ke marrë parasysh, megjithëse je shumë e vetëdijshme që Albin Kurti ta ka ngarkuar një barrë mbi kurriz, e cila të detyron të perceptosh ndryshe
Prandaj nëse nuk percepton ndryshe do të kërrusesh nga pesha e detyres si gjyshe.