ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin hyjnor “Dei Verbum” – Fjala e Hyjit

Shkrime relevante

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit Shqiptar përmes Heroit të Kombit, Profetit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu

Nga: Luan  Dibrani Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të...

Kryetari Konjufca priti në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar...

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Të votohet për një legjislaturë të re politike!

Ilustrim ... Florim Zeqa  Elektorati kosovar kërkon ndryshime në të gjitha partitë pa...

Deformimi i Historisë: Hoxhallarët nuk ishin ata që e formuan Alfabetin Shqiptar

Nga: Luan Dibrani, Gjermani Në Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Nëpërmjet kësaj Kushtetute mbi Zbulimin hyjnor të Koncilit të Dytë të Vatikanit “është rivlerësuar rëndësia themelore e Fjalës së Zotit…, sidomos në predikime, në katekezë, në teologji, në përshpirtëri dhe në lëvizjen apo ecjen ekumenike…” ka thënë Papa në dorëheqje Benedikti XVI më 16 shtator 2005.

(Këtë dokument, së bashku me Lumen Gentium – Drita e Popujve, Gaudium et Spes – Gëzimi dhe Shpresa, ka përkthyer në gjuhën shqipe Imzot Nikë PRELA dhe i ka botuar DRITA, Dokumentet Konciliare, 1992, f. 189). Vitin 2012 nën kujdesin e Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult janë botuar në tërësi Dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, si kontribut i madh për njohjen dhe zbatimin sa më të saktë edhe ndër troje tona).

Kjo Kushtetutë është më e shkurta ndër katër Kushtetutat e KDV, por nga shumë studiues dhe njerëz të Kishës katolike, por edhe nga bashkësitë tjera të krishtera, është vlerësuar si “teksti më i mirë i Koncilit të Dytë të Vatikanit”, për disa si “kryevepër”, si një lloj “dere për të hyrë në teologjinë e Vatikanit” (Henry de Lubac).

Këto mendime dhe vlerësime i kishte edhe teologu i madh gjerman Karl Rahner dhe shumë të tjerë, ndër të cilët dallohej edhe Joseph Ratzinger, atëherë si studiues dhe teolog i ri, Papa në dorëheqje Benedikti XVI.

Dokumenti Dei Verbum pati një histori të mundimshme dhe një “lindje” mjaft të vështirë, mos të them edhe të rrezikshme, për shumë arsye, sa që dukej se do të dështonte në tërësi. Shi për këtë është përpunuar pesë herë dhe me shumë ndërhyrje, propozime, ndryshime, shqyrtime, kritika, përmirësime, gjë kjo që ia rriti vlerën dhe domethënien për Kishë dhe më gjerë.

Më 18 nëntor 1965 ishte aprovuar nga 2350 votues, ndërsa kundër ishin vetëm 6.

Fjala e Zotit duhet të dëgjohet me “dëgjim feje”, si dy nxënësit e Jezusit që ishin në udhëtim për Emaus (krh. Lk 24, 13-35) dhe që ka dy momente të rëndësishme: dëgjimi i Shkrimit të Shenjt (krh.(Lk 24, 27-32) dhe thyerja e bukës (krh. Lk 24, 30-35).

Jezu Krishti i ngjallur është Fjala e mishëruar, zbatimi i të gjitha profecive dhe premtimeve biblike. Bibla është Fjala e Zotit e cila mund të zbërthehet vetëm me fe, të pranohet dhe jetësohet vetëm me dashuri, kuptohet, gjithnjë në kontekstin e Traditës kishtare dhe Magjistarit të saj.

Kreu I: Mbi zbulimin hyjnor (DV 2-6): Zoti vazhdimisht iu flet njerëzve si miqve (krh. DV 2-6), që domethënë në mënyrë personale, kristocentrike dhe trinitare.

Figura qendrore e zbulimit hyjnor është Jezu Krishti, “Fjala e mishëruar (si) i dërguar “njeriu njerëzve”, flet Fjalën e Hyjit” (Gjn 3, 34) dhe kryen veprën shërbuese që ia besoi Ati ta kryente…” (DV 5).

Vepra e zbulimit dhe shëlbimit është trinitare: Ati e dërgoi Birin – Jezu Krishtin, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, për ta ngritur, pajtuar dhe shëlbuar mbarë njerëzimin.

Përgjigja jonë ndaj kësaj oferte, mundësie dhe zbulesë hyjnore është “dëgjesa e fesë” – nëpërmjet të cilës vijmë deri te përmbajtja apo të vërtetat themelore të fesë së krishterë (Lexo: Deokumentet Konciliare, Drita, 1992, Dei Verbum, 2-6, f. 87-88).

Apostujt nëpërmjet predikimit bartnin dhe dëshmonin atë çka ata personalisht kishin parë, dëgjuar dhe përjetuar me Jezu Krishtin gjatë shoqërimit dhe jetës me Të.

Apostujt dhe bashkëpunëtorët e tyre, gjithnjë nën frymëzimin dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt, kanë shënuar porosinë e shëlbimit, sidomos pjesën që i takonte mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, si burim i vetëm i shëlbimit.

Apostujt ua besuan këtë trashëgimi pasardhësve të tyre, ipeshkvijve, si mësuesit dhe garantët e vetëm të fesë së krishterë.

Kjo e vërtetë bazë e fesë sonë bartet gjatë shekujve, pra, edhe sot, nëpërmjet dy kanaleve themelore: Traditës dhe Shkrimit Shenjt, sepse Tradita e fesë i paraprinë Biblës, fjalës së shkruar dhe të shënuar, dhe si të tilla doemos janë të ndërlidhura dhe kanë të njëjtin burim: Shpirtin Shenjt. Në shërbim të Traditës dhe të Biblës është Magjisteri – Mësuesia e Kishës katolike.

Tradita dhe Bibla, si bartëse prej kohës apostolike deri me sot, pra, prej breznie në brezni, jo vetëm të asaj që ata kanë pranuar, por mbi të gjitha vetë Zotin dhe dëshminë e fesë së krishterë, vetveten, atë që ata kanë pranuar dhe jetësuar së bashku me Krishtin e ngjallur.

Përpos Traditës dhe Biblës, burimi i tretë i bartjes së fesë është Magjisteri-Mësuesia e Kishës, në krye me Papën, e cila assesi nuk është mbi Fjalën e Zotit dhe Traditën, por i shërben ato dhe i interpreton sa më mirë dhe në mënyrë të drejtë, me besnikëri dhe dashuri, në emër të Jezu Krishtit dhe të Kishës së Tij (Lexo: Dokumentet Konciliare, vep. e cit. nr. 7-10, f. 89-91).

Kreu III, IV, V: Frymëzimi hyjnor dhe shpjegimi i Shkrimit Shenjt (DV 11-20), që sipas DV ndërlidhet me porosinë, përmbajtjen, kuptimin dhe domethënien e saj për jetën dhe shëlbimin tonë, si dhe me kanonicitetin e librave të frymëzuara, që mbështetët në traditën apostolike e cila është e pagabueshme lidhur me “nostrae salutis causa” (çështjen e shëlbimit tonë) dhe në interpretimin e drejtë të teksteve biblike (krh. DV 12).

Vetëdija si Ungjilli është një, ai i Jezu Krishtit, si edhe vetë Jezu Krishti, por i shkruar nga katër ungjilltarët, shprehet edhe nëpërmjet trajtimit dhe shprehjes: Ungjilli, greqisht: kata, latinisht: secundum, shqip: sipas, për ta theksuar se Ungjilli është një, ndërsa shënuesit janë katër: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, dhe janë nga burimet dhe koha apostolike (krh. DV 18).

Kushtetuta Dei Verbum trajton tri forma të formimit të Ungjillit:

jeta dhe predikimi i Jezu Krishtit;

predikimi i apostujve;

redaktimi përfundimtar i Ungjillit (krh. DV 18).

Këto tri elemente ndërlidhen dhe gërshetohen me ngjarjen kulmore të Jezu Krishtit, mundimi, vdekja dhe ngjallja e Tij, si burim shëlbimi për të gjithë, “gjithnjë ashtu që të dëftojnë të vërtetën e pastër mbi Jezusin” (DV 19).

Kreu VI: Shkrimi Shenjt në jetën e Kishës (DV 21-25) thekson edhe një herë bindshëm dhe fuqimisht lidhjen organike, strukturore dhe natyrore mes Biblës, Fjalës së Zotit, dhe Korpit të Krishtit – Kishës, në veçanti Eukaristisë, “bukës së jetës”, që përbëjnë një altar dhe një mundësi reale të jetës me Zotin dhe me të afërmin, e si të tillë shëlbimin e amshuar.

Kjo domethënë se Shkrimi Shenjt është dhuratë e asaj që thotë – vetë Zotit, kuptohet gjithnjë në kontekstin e fesë – Traditës, Kishës dhe Magjisterit.

Fjala e Zotit mishërohet dhe dhurohet në veçanti në Eukaristi, e cila përgatitet dhe paraprihet nga “sofra e Fjalës”, si përgatitje apo hyrje në “sofrën e pranisë dhe të dashurisë”, në Meshë.

Rëndësi në Kishën katolike kanë egzegetët, hulumtuesit dhe shpjeguesit e Fjalës së Zotit; teologët, shpjeguesit e të vërtetave të fesë së zbuluar dhe të dhuruar; baritorët, ata që zbatojnë, jetësojnë dhe dëshmojnë jetën e krishterë (krh. DV 23-26).

Kushtetuta Dei Verbum ka pasur dhe ka ndikim të madhe në Kishën katolike, sepse ua mundëson të gjithëve, besimtarëve dhe barinjve, kërkimin dhe gjetjen e vazhdueshme të Zotit nëpërmjet Fjalës së Tij, aktualizon dhe konkretizon shëlbimin nëpërmjet Kishës dhe sakramenteve, përcjellë besimtarët drejt amshimit të lumtur.

Ajo ka ndikuar dukshëm në bashkimin e Kishës në këtë drejtime: në liturgji, në predikim, në teologji, në katekezë si dhe në jetën e përditshme për të gjithë të krishterët.

Prishtinë, 1 mars 2022 Radio Maria – Kosovë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu