Nën organizimin e Forumit për Transparencë Parlamentare, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shënuar sot 15 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Edhe këtë vit, për shkak të sitatës me pandeminë dhe masave kufizuese, të gjitha aktivitetet janë realizuar virtualisht.
Kështu, Dita e Demokracisë është hapur me mesazhin e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila në fjalën e saj ka potencuar rolin e Kuvendit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe hapat që ky institucionet ka bërë në krijimin e masave që nxisin vlerat demokratike.
Në adresimin e saj, nënkryetarja Bogujevci është ndalur edhe te situate aktuale me pandeminë.
“Demokracia pa shëndet, nuk është demokraci e plotë, andaj ju bëj thirrje të ruajmë shëndetin tonë dhe të njëri-tjetrit. Poashtu ju ftoj të ndiqni masat dhe udhëzimet e IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, theksoi Bogujevci.
Më pas, është lansuar videoja “Komisionet parlamentare”, dedikuar grupmoshave të reja, e cila përmban informacione për trupat e punës së Kuvendit. Përgaitja e videos është mbështetur nga NDI.
Në mesin e aktiviteteve të parapara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ishte edhe punëtoria virtuale me nxënës filloristë.
Në bashkëpunim me mësimdhënësen Ganimete Pacolli, nxënës nga SHFMU “Ganimete Tërbeshi” nga fshati Llukar i Prishtinës, me angazhimin e tyre proaktiv, pasuruan përmbajten e këtij aktiviteti.
Parimet dhe vlerat demokratike, puna dhe funksionet e Kuvendit, roli dhe rëndësia e angazhimit qytetar, ishin disa prej temave që u trajtuan gjatë kësaj punëtorie nga zyrtarët e Programit për Edukim Qytetar.
Në këtë punëtori, të pranishme ishin deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryetare e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe Albana Bytyçi, anëtare e këtij forumi, të cilat zgjeruan debatin tutje, duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh që nxënësit parashtrun.
Realizimi i punëtorive të tilla, u vlerësua nga pjesëmarrësit si iniciativë shumë efektive për të kultivuar në vazhdimësi parimet dhe vlerat demokratike dhe për të përafruar të rinjtë me përfaqësuesit e zgjedhur.
Debati virtual “Efektet e pandemisë në shëndetësi dhe mirëqenie”, ishte aktiviteti tjetër i realizuar për nder të kësaj dite.
Debati u drejtua nga deputeti Fridon Lala, anëtar i Forumit për Transparencë, në të cilin morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të mediave dhe organizatave të tjera përfaqësuese.
Në emër të Forumit për Transparencë Parlamentare dhe të Kuvendit të Kosovës, deputeti Lala falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e përbashkët në trajtimin e kësaj teme.
Në këtë debat, u diskutua për efektet që pandemia ka shkaktuar në sektorin e shëndetësisë dhe në mirëqenien sociale te kategori të ndryshme shoqërore në Kosovë, me theks të veçantë te fëmijët, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Nga pjesëmarrësit u konstatua se nëpërmjet këtij debati, sadopak është arritur të informohet publiku për zhvillimet e ndryshme sa i përket aspekteve të ndikimit që situata epidemiologjike ka shkaktuar në kategori të ndryshme shoqërore në Kosovë.
Sipas agjendës së paraparë, dita e sotme është përmbyllur me kartolinat elektronike, mesazhe nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Kuvendit, për procesin e vaksinimit të qytetarëve kundër virusit Covid 19.