ARKIVI:
16 Mars 2025

LDK shtetformuese me LVV fituese – vullnet i shqiptarëve për bashkëqeverisje

Shkrime relevante

Nuk fitoj Serbia, por, sot humbën studentët!

Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 1. Demonstratat e studentëve në Beograd më...

Serbia 2025 dhe Shqipëria 1997

foto Nađa Vukajlović, Danas.rs Agim Morina, Prizren ___ Protestat studentore në Serbi me parullën...

Romani i Muharrem Blakaj “Tri vija të kuqe”, vepër me cilësi dalluese artistike

Kadri Rexhaj, kritik letrar Ditë më parë, pata kënaqësinë të marr me...

Disa të dhëna për emrin e Prishtinës dhe Graçanicës

Hevzi Kqiku Gjat një bisede telefonike ,me autorin Mehmet Halimi ,nuk harronte...

Shpërndaj

Idriz Zeqiraj, Gjermani
___
Fillimisht, shpreh keqardhje për përfoljet, lidhur me tjetërsimit të votave nga njëri subjekt, tek tjetri apo brenda të njëjtit subjekt. Kemi mirëpritur vendimin e KQZ se numërimi i votave do të bëhet në Qendrat e Votimit, si për subjektet, ashtu edhe për deputetët, me mbikëqyrjen e komisioneve partiake, me një transparencë që nuk lënë asnjë dilemë për ndryshim të adresimit të votës të subjektit politik apo të deputetit. Lansimi i dyshimit është shqetësues dhe uroj të mos kalojë përtej dyshimit! Shtrohet pyetja: Kaq i kushtueshme është aparatura e numërimit elektronik, në raport me pagesën e qindra komisionerëve, kuadrit teknik dhe mbikëqyrës, për një muaj radhazi?!
     Përtej një muaji vazhdon të dominojë pyetje mbizotëruese, e shprehur edhe në mënyrën dëshirore: “A mund të kemi një qeveri të re LVV-LDK? Pse, pikërisht, lakohet kjo pritje, si e vetmja zgjidhje aktuale, e pranueshme nga shumësia e shqiptarëve, për rrethanat, udhëkryqin që ndodhet Kosova? Sepse, realisht, nuk ka hapësirë për të bërë një zgjidhje të dytë, të pranueshme për interesat e Kosovës.
     Shqiptarët, në përgjithësi, populli i Kosovës, në veçanti, ka pritur reflektimin e partive, dikur të koalicionuara në PAN. Këto subjekte politike, të lindura nga një mitër e përgjakur e LPK-së, me eksponentët kryesorë të saj, tashmë, të konfirmuar si agjentë të trefishtë: Sigurimit sekret shqiptar – SHIK dhe SHISH; UDB-së dhe BIA serbe: DGSE franceze, pa përjashtuar Shërbime të tjera Informative, zgjodhën metodën fashizoide të partizanëve të Enver Hoxhës, vrasjen e kundërshtarëve politikë: para, gjatë dhe pas luftës, për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, përdhunshëm e përgjakshëm, madje pa zgjedhur mjetet!
 
          Politikanët e shantazhuar, të rrezikshëm për Kosovën
     Krimet e eksponentëve të LPK-së së djeshme, të PAN-it të sotëm, përkatësisht, të PDK-AAK-NISMA, janë faktuar nga Gjykata vendore dhe ajo ndërkombëtare. Por, ndëshkimi, asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk ka qenë real, meritor, në raport me krimet numerike e sadiste. Janë ekzekutuar djem dhe burra atdhetarë të dëshmuar, të cilët bënë paqen dhe luftën, si parti, LDK, dhe forcë e organizuar veprimtare e luftarake. Qindra shtatore dhe memoriale përkujtimore të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadro dhe veprimtarë të LDK-së; gazetarë e korrespondentë të luftës; kuadro e veprimtarë të hershëm të LPK-së; aktivistë dhe ushtarë të vijës rugoviane, janë dëshmi e krimeve makabre, të bëra nga disa “komandantë” kundërshtarë, me bandat e tyre.
     Edhe pas një çerek-shekulli, këta “komandantë”, eksponentë të partive të PAN-it, nuk kanë shprehur asnjë pendesë, për krimet, tashmë, të konfirmuara. Përkundër, ata synojnë rikthimin e dhunshëm në pushtet, edhe pse populli i Kosovës, me votën e tij demokratike, sërishmi, i ndëshkoi, i refuzoi bindshëm. Burimet e klientelës së tyre elektorale janë rrast të dyshimta: 80 mijë nëpunës shtetërorë; 30 mijë anëtarë të SHIK-ut; 42.500 “veteranë” të rrejshëm, shto këtu edhe votat e familjarëve, farefisnisë dhe të miqasisë së tyre, i mbajnë brenda kuotës të pragut zgjedhor.
     Shikoni listat e kandidatëve për deputetë të PAN-it, sidomos, brenda rreshtimit numërorë 20! Me krime nëpër këmbë nuk ka ecje të shpenguar, drejtë progresit, Evropës. Njerëzit e shantazhuar, me dosje aktive dhe obligime karshi Axhensive Informative të huaja, armike të Kosovës, janë të rrezikshëm për vendin dhe, assesi, nuk duhet të ngritën në poste vendimmarrëse. Kujtoni vizionarin urtak, Rugovë, refuzimin e Hashimit për kryeministër apo ministër, sepse e konsideronte rrezik potencial për Kosovën, ngaqë e dinte ku “kulloste” ai!
     Larg qoftë, marrja në koalicion të cilido subjekt të PAN-it: PDK-AKK-NISMA, nga LVV, do të ishte nonsens i madh për Vetëvendosjen, si dhe një provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm. E trishtme do të ishte, sidomos, për shumë qindra familje, viktima të “komandantëve” të PAN-it, me bandat e tyre vrastare.
     Kushtëzimet në demokraci, në shtetin me pluralizëm partiak, realisht, nuk duhej të kishte. Por, ajo që i ka ndodhur Kosovës, përgjakja ndërshqiptare, pa luftë civile, qytetare, është unike, edhe përtej hapësirave Ballkanike. Andaj, duke pasur një partner të pakriminalizuar, siç është LDK-ja, Albin Kurti dhe Vetëvendosje e tij, duhet t`i ofrojë bashkëqeverisje, duke përmbushur dëshirën e shqiptarëve dhe sugjerimin e ndërkombëtarëve, për ta kompozuar Qeverinë në pritje. LVV duhet t`i përmbahet vendimit se Opozita e Bashkuar PAN, nuk duhet lejuar ta përvetësojë fitoren e saj, për ta qeverisur Kosovën. Njëherësh, duhet të përcaktohet, prerazi, për bashkëqeverisjen me LDK-në. Pa mëdyshje, kjo do të ishte qeverisja më e mirë dhe me duar të pastra.
     Propaganda e organizuar e Baton Haxhiut, me lukuninë e tij lehaqene të argatëve të tij, po agjitojnë për ta demoralizuar LDK-në, duke ia kuajtuar koalicionin e Qeverisë Kurti-1, nuk ka funksionuar, gjoja, për fajin e LVV. Këtë çështje e kemi trajtuar dhe sqaruar, deri në shterrim. Koalicionin e ka prishur Thaçi me Grenell, Vuçiq, Rama, Mustafa. Dhe, këtë e konfirmon Arben Gashi, se “Grenell na dha një javë afat, për ta prishur Koalicionin me LVV”. Edhe Isa Mustafa thotë se “unë e prisha koalicionin me LVV!”. Por, Isa nuk ka qenë asnjëherë anëtar i LDK-së. Ai ishte katapultuar në krye të partisë së Rugovës, nga Hashimi. Madje edhe ministrat kryesorë, ia kishte ofruar ai. Pra, kjo nuk përbënë asnjë pengesë, për ta bërë koalicionin aktual LVV-LDK.
                                                  Lutfi Haziri & Albin Kurti
Për shqiptarët, PAN mëkatar i shekullit, nuk amnistohet! 
      Dy subjektet politike, LVV-LDK, kanë provuar bashkëqeverisjen, më 2019, edhe pse jetëshkurtër. LDK-ka përvojën e mjaftueshme të koalicioneve dhe nuk e ka babëzitjen dhe pacipërinë për të marrë me tre deputetë, 4 (katër) ministri, siç bënte kozmopoliti Pacolli. Dihet se LDK-ja nuk është në pozitën e favorshme, për të kërkuar më shumë se sa i takon. Por, kam bindjen se do të ishin partnerë serioz e fisnik.
     Ndërkohë që subjektet tjera politike i shantazhonin krerët e partive të tyre, për poste ministrore, madje pa qenë as profesionistë përkatës, kryeministri Kurti vendosi standard të ri. “Kemi fituar tej 400 mijë vota, ndërkohë që një qeverie i nevojitën vetëm një duzinë ministrash. Prandaj do të përzgjedhim dhe emërojmë ministra profesionistë, për fushat përkatëse, qoftë edhe jashtë anëtarësisë të partisë, LVV!” Dhe, ashtu bëri. Kryeministri i mbrojti ministrat e tij, deri në përfundim të mandatit, edhe pse, herë pas here, opozita ia kërkonin, vend e pa vend, shkarkimin e tyre! Dhe, mirë bëri, sepse një opozitë destruktive dhe hiç serioze, si ajo e PAN-it, nuk meritonte as respekt dhe as vëmendje. Ishte po kjo opozitë që kërkonte, në vijimësi, edhe shkarkimin e Qeverisë Kurti-2, por edhe spiunonte tek ndërkombëtarët, madje edhe në dëm të Kosovës. Opozita PAN-iste shkoi edhe me larg, akuzoi publikisht Kurtin, se “nën maskën e shtrirjes të sovranitetit, në veriun e Kosovës, po provokon serbët, njësoj si Millosheviqi dikur shqiptarët!” Dhe, koordinonte akuzat me Serbinë, për shkarkimin e tij!
     Realisht, LDK-ja konsiderohet parti akademike, me kuadro të bollshme dhe me një edukatë supreme. Rast i rrallë, në mos unik, është ndikimi, gjithnjë, për të mirë, i -Neriut Rugovë- tek anëtarësia, elektorati i LDK-së. Për ndryshim nga “yrishnikët” kumandarë” kundërshtarë, të cilët, rrejshëm e falsifikueshëm, kanë mohuar kontributin për paqe dhe luftë të partisë zëmadhe të arkitektit të pavarësisë të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Është koha që LDK-ja, sërishmi, të dëshmohet me angazhimin e saj edhe në kohën zezonë, për popullin dhe Kosovën tonë.
     Kam bindjen se, nëse arrihet pajtueshmëria për bashkëqeverisje: LVV, Alternativa, Guxo – me LDK-në, do të mbizotërojë arsyeja e -ndarjes së tortës- mes tyre meritueshëm e fisnikërisht, gjithnjë në interes të administrimit korrekt dhe të përgjegjshëm të Kosovës. Në shkrimet tona mjaftohemi ta përmendim vetëm LVV, duke nënkuptuar edhe dy partneret simpatike, Alternativa dhe Guxo, të cilat kanë qenë fituese bindëse, respektivisht, me 7 dhe 6 deputetë cilësorë, me votim masiv. Shqiptarët njerëzorë e kanë përjetuar rëndë sulmin e padrejtë, të poshtër dhe, skajshëm, kriminal, të kryetares dinjitoze, të -Alternativa-, Mimozë Kusari-Lila, për një bisedë aksidentale, disa sekondshe, të kurdisur nga BIA serbe dhe argatët e saj gazetarë shqipfolës, zuzarë e mjeranë, në shërbim të politikës së Beogradit zyrtar. Shumsia rekord e votave për qëndrestaren Mimozë, është përgjigja më e mirë demantuese për horrakët, hafije të hershëm dhe të tashëm të Serbisë.
     Bëra këtë sqarim, sepse jeta ime ka pasur një rrjedhë të dhimbshme, me burgje dhe vuajtje. me goditje të egër dhe tërësisht të padrejtë. Është përcaktimi im parimor për ta thënë të vërtetën, pavarësisht çmimit. Andaj, kam ndarë shqetësimin, deri në dhimbje, me Mimozën. Edhe prekja e saj nga kanceri i gjirit, pikërisht, në këtë kohë të një sulmi frontal, druaj që ka ndikuar edhe në nismën e sëmundjes. Sepse mjekësia ka hedhur dyshimin, se stresi shkakton edhe goditje të kësaj natyre. Për ta goditur Qeverinë Kurti, pse po shtrinte sovranitetin, tërësisht të munguar, në veriun e Kosovës, Serbia me agjentet e saj në mediet e Kosovës, eksponentë të PDK-së, në koordinim me BIA serbe, përgjonin dhe kurdisën “aferën” kundër Mimozës.
 
       Kuadri profesional në dikastere, parathënie e suksesit qeverisës
     Ndarja e posteve ministrore në mes të partnerëve në koalicion, është një përgjegjësi e rëndësisë së parë. Sepse nga përgaditja profesionale dhe aftësia menaxhuese, suksesi i dikasterit përkatës është i garantuar. LDK-ja ka pasur një qeverisje të suksesshme në ministrinë e Ekonomisë, në Financa, në Arsimin, Infrastrukturën, pa afera dhe skandale. Posti i zëvendës-kryeminstrit, domosdoshmërisht, duhet t`i përkas LDK-së. Por, ama, jo një emresë për numër, por të jetë i konsultuar dhe i dëgjuar në vendimmarrje të përbashkët me kryeministrin. Nuk po vazhdoj me emërtesa, sepse edhe Alternativa dhe Guxo meritojnë pjesën e trofesë së tyre. Ato duhet të marrin nga një Ministri me peshë dhe një ministri tjetër të dorës së dytë.
     Kryeministrin nuk po e fusim në llogari. Organet, ministritë e -Diktaturës të Proletariatit-, siç i quanin komunistët ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme, të Drejtësisë, janë domene të Lëvizjes Vetëvendosjes. Hisen ministrale e kanë edhe minoritetet, si pjesë përbërëse të Atdheut të përbashkët Kosovë.
     Në Kosovë shpërfaqet një mendësi e gabuar, por që përbënë faj, kur shqiptarët i quajnë minoritetet ardhacak, sidomos serbët! Kjo është e dëmshme, deri në fajësi, sepse president ka të drejtë të bëhet, nëse votohet, kushdo që ka lindur në SHBA. Shembull, presidenti Obama, madje me ngjyrë. Emri i artisti të mirënjohur, Schwarzeneger, është lakuar për postin e presidentit, por pengesë kushtetuese ishte se ai ka lindur jashtë Amerikës. Megjithatë, ishte Guvernator i Kalifornisë. Mbretëria e Bashkuar, (Anglia), shquhet për konservatorizëm kombëtar. Por kryetar i Londrës u bë një arab!
     Kishte të drejtë Kurti dhe LVV e tij, kur kundërshtonte regjistrimin për zgjedhje të Listës Serbe, sepse e kishte mbushur kupën, për të qenë e jashtëligjshme, por Opozita e Bashkuar nuk pranoi ta bënte këtë. Përndryshe nuk do të duhej të lavdërohen subjektet politike shqiptare, duke thënë se nuk bëjmë koalicion me serbët, sikur ata të jenë me sëmundjen ngjitëse të leprozës. Në këtë mënyrë asnjëherë nuk do të arrihet integrimi i komunitetit serb në shoqërinë e ashtuquajtur multi-etnike të Kosovës! Edhe ndërkombëtarët, kur serbët, herë pas here, konsiderohen ardhacakë, e vënë në dyshim thirrjet e sinqerta që bëhen për integrimin e tyre, edhe pse gëzojnë të drejta e privilegje, më shumë se çdo minoritet në rajon dhe më gjerë në Evropë.
     Por, Kurti, me shokë, më parë duhej të kushtëzonte PAN-istët, pra, PDK-AAK-NISMA, për të bërë reforma brenda partisë, kur dihet se këto subjekte politike kanë shumë eksponentë të krimit vrastar e hajnor, madje, disa syresh edhe në kupolë të tyre. Nëse këtë nuk mund ose nuk duan ta bëjnë, atëherë nuk duhet lejuar vazhdimi i jetës politike e publike të tyre, sepse mbrojtja e krimit, natyrshëm të bënë pjesë të krimit.
 
         Shansin e humbur, nuk e kompenson pendesa e vonuar
     Ekstremet dypalëshe janë të baraz të dëmshme, të papranueshme. Opozita e Bashkuar, duke përdorur refuzimin e koalicionit me LVV, me “armën” e bojkotit të organizuar. Dhe, LVV duke kërcënuar me zgjedhje të sërishme, ose të pritshme, deri në zgjedhjet presidenciale, në prillin e ardhshëm. Nëse ajo bënë bllokim të përkohshëm të jetës politike, nën ethet e rizgjedhjeve, të cilat nuk pritet të jenë zgjidhje afatgjatë e stabile. Edhe zgjedhja e Presidentit/es, janë të kushtueshme dhe me pazare, të cilat nuk prodhojnë vlerë të mirëfilltë. Ndërsa një koalicion i tanishëm, do të shmangte çfarëdo lloj zgjedhje aktuale apo të pranverës së ardhshme.
     Pra, një qeveri solide e pa arnime të dyshimta, do ta shmangte rikthimin në pushtet të një qeverie kalkuluese, deshtake dhe moralisht të cenueshme. Pretendimi i PDK-së, për të qeverisur apo për të qenë pjesë e qeverisjes, nuk ka asnjë bazë reale, sepse renditja e saj fituese e dytë e zgjedhjeve, është fiktive, rezultat i klientelës elektorale: nëpunësia e stazhionuar duke qenë gjatë në pushtet; anëtarësia numerike e SHIK-ut; “veteranët” e rrejshëm. Përndryshe, është paradoksale që PDK, me një barrë krimesh, hajnishë, haraçit masiv, uzurpime e zhvatje të pasurisë shtetërore, ta këtë epërsinë e LDK-së, e cila, assesi, nuk vuan nga këto mëkate.
     Populli i Kosovës dhe shqiptarët e kudondodhur, janë në pritje të krijimit të një qeverie të përgjegjshme politikisht dhe të përgaditur profesionalisht. Mbesim me urimin e madh, të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur. Të paktën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka hyrë në pazaret e Opozitës së Bashkuar, për krijimin e një qeverie nga humbësit. Dhe, nëse do ta bënte këtë, ndëshkimi i tij nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së, do të ishte i pritshëm. Pra, nisma e mbarë e Lumirit, për ngritjen e partisë, fituesja e parë në ish-zgjedhjet komunale, si dhe dyfishimi i elektoratit të saj në këto 4 vite, në rast të refuzimit të koalicionit aktual, me LVV, do ta humbiste shansin, për ta bërë LDK-në kryezonjë, sepse opozitarizmi i zgjatur, “hallakatë”, pasivizon dhe demoralizon anëtarësinë, elektoratin.
     Mendoj se shtrimi i çështjes të koalicionit në Këshillin e Përgjithshëm, votimi i fshehtë, dhe kurrë aklamativ, do ta jipte zgjidhjen e duhur. Shansin e humbur, nuk e kompenson pendesa e vonuar. Andaj, koha është për vendim të mençur, të shëndetshëm për LDK-në e, mbi të gjitha, për Kosovën. Bërja pjesë e bojkotit, është sikur t`i hipish mizës!

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu