Selaudin Blloshmi (1892 – 1929)
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Korrik 2022
“Le Petit Bleu de Paris” ka botuar, të hënën e 28 prillit 1919, në ballinë, intervistën me Selaudin Blloshmin (Salahedin ose Selahudin) në Paris, asokohe kapiten i batalionit shqiptar të këmbësorisë bashkangjitur shtabit të përgjithshëm francez të gjeneralit De Fourtou në Shkodër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria
E kaluara e saj. Rolin i saj gjatë luftës. Pretendimet e sa
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Është një detyrë mjaft e ndërlikuar ajo që aktualisht konsiston në mbledhjen nga burime të autorizuara të pretendimeve të popujve që pretendojnë pavarësinë e tyre.
Të gjithë popujt pretendojnë diçka: disa sepse luftuan përkrah nesh; të tjerët sepse nuk luftuan kur mund të kishin marrë armët kundër nesh.
Ka nga ata që, si jugosllavët, luftuan fillimisht në radhët e një ushtrie armike të Antantës, pastaj erdhën për të zënë vendin e tyre përkrah aleatëve tanë. Kjo larmi situatash, ky ndërlikim arsyesh, etnografike dhe ekonomike, kontriboi jo pak për të vështirësuar punën e Konferencës, e cila dëshiron – shpjegohet – të prononcohet vetëm me mençuri dhe me njohuri të plotë të kauzës.
Burimet e informacioneve nuk mungojnë. Përkundrazi, ndoshta ka shumë. Dokumentacioni vjen ne te gjitha format. Fatkeqësisht, për të njëjtën pyetje, mendimet ndonjëherë janë shumë kontradiktore. Është një luftë e zjarrtë interesash, duke mbrojtur njëri kundër tjetrit me argumente, vlera e të cilave nuk del gjithmonë me qartësi absolute.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kam pasur tre ditë më parë vizitën e kapitenit Salah Eddin Blloshmi (Salahedin ose Selaudin Blloshmi), i batalionit të pushkatarëve (këmbësorëve) shqiptarë, i bashkangjitur shtabit të përgjithshëm të gjeneralit De Fourtou, komandant në Shkodër të Shqipërisë.
Ky oficer flet gjuhën tonë me një pastërti të skajshme dhe vetëm një theks shumë i vogël zbulon origjinën e tij të huaj.
E dëgjova me kujdesin më të madh. Unë, si të thuash, kam stenografuar deklaratat e tij, të cilat kufizohem t’i riprodhoj këtu, pa ndryshuar asgjë.
“— Shqiptarët, më tha ai, kërkojnë drejtësi.
Ne jemi një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, pasardhës të vërtetë të pellazgëve, të së njëjtës racë, që flasin të njëjtën gjuhë dhe në një masë të madhe besojmë një fe autonome. Ne e luajtëm rolin tonë dhe kontribuam në fitoren e Aleatëve, për këtë arsye e konsiderojmë veten të drejtë të kërkojmë nga drejtësia e Fuqive të Mëdha lirinë dhe pavarësinë e plotë të vendit tonë shqiptar në përputhje me parimet e kombësive për të cilat Antanta dhe Amerika luftuan me lavdi.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Roli i shqiptarëve, për shembull, në Kosovë, pati një ndikim real në rezultat. Në të vërtetë, batalioni i parë i pushkatarëve shqiptarë të Korçës, i cili bashkëpunoi në mënyrë të lavdishme në sulmet kundër austriakëve në Shqipëri, bëri shërbime shumë të mëdha. Ai pati, për më tepër, nderin që të përmendej shkëlqyeshëm në urdhrat e ushtrisë nga gjenerali Henrys, komandant i ushtrisë franceze së Lindjes (Orientit). Me këtë citim, gjenerali Henrys e renditi batalionin shqiptar ndër regjimentet më të mirë francezë. Për më tepër, mund të thuhet se, falë revolucionit shqiptar të vitit 1918, shqiptarët që sulmuan nga pas austro-bullgarët në Kosovë, lehtësuan hyrjen e trupave franko-serbe në këtë rajon.
Shqiptarët nuk mund të duronin më dominimin austro-bullgar, prisnin me padurim ofensivën e aleatëve për t’i dhënë goditjen vendimtare pushtuesve të tyre dhe për t’u çliruar.
Nëpërmjet shërbimeve dhe sakrificave të bëra përkrah aleatëve, ne kemi të drejtë të zëmë vendin tonë mes atyre që luftuan për parimin e kombësive.
Shqipëria është një vend pjellor, i pasur me miniera dhe pyje, që kërkon vetëm të zhvillohet.
Populli i saj ka cilësi serioze morale mbi të cilat mund të mbështetemi. Ai është i virtytshëm, trim, besnik, madhështor, inteligjent dhe liberal.
Pavarësisht asaj që kemi vuajtur për mijëra vjet, ne kemi ruajtur gjuhën tonë, kostumet tona kombëtare, zakonet tona. Turqit, për pesë shekuj, duke na shtypur nën tiraninë e tyre, na ndaluan edhe përdorimin e idiomës sonë kombëtare. Nga ana tjetër, ata lejuan serbët, grekët dhe rumunët të hapnin shkolla për të propaganduar përdorimin e gjuhës së tyre. Në pamundësi për të folur gjuhën tonë, paraprakisht ishim të mundur politikisht nga propaganda e popujve të tjerë të privilegjuar.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ne kemi të gjithë elementët e nevojshëm për të qeverisur dhe administruar vendin tonë.
Ne kemi shtetarët tanë, ministrat tanë, mjekët tanë, avokatët tanë, inxhinierët tanë, oficerët tanë. Specialistët tanë janë më të shumtë se ata të qeverive ballkanike në kohën e pavarësisë së tyre.
Ne kërkojmë vetëm të jetojmë në marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, të ruajmë paqen me kushtin e vetëm që ata të na lënë të qetë dhe të na kthejnë krahinat shqiptare, popullsia e të cilave vuan nën dominimin e tyre.
Jemi larg mendimit për të besdisur Italinë, përkundrazi presim shumë prej saj, sepse e njeh shumë mirë vendin tonë. Por ajo nuk kënaqet me aq. Ajo kërkon ekzekutimin e Traktatit të vitit 1915 dhe pretendon Vlorën, një qytet krejtësisht shqiptar.
Me këtë aneksim, ajo do të na mbyllte Adriatikun, do të ndalonte lundrimin tonë të lirë në të gjithë botën, do të asgjësonte tregun tonë dhe me këtë masë të pakujdesshme do të rrezikonte rindezjen e zjarrit në Ballkan.
Shqipëria nuk ishte kurrë e lumtur. Në shekullin e 15-të, kur kombet e tjera ballkanike ishin të shtypura (të mundura), vetëm populli ynë luftoi heroikisht për të frenuar valën turke që kërcënonte të pushtonte Evropën.
Sot, duket se na injorojnë. A do të lejojnë fuqitë e Antantës që ne të sakrifikohemi ?
Vendi ynë pretendon vetëm të drejtën e zhvillimit të lirë, nën strehën e drejtësisë dhe ligjit.”
Në pretendimet shqiptare përshkon një hidhërim i thellë ndaj fqinjëve, të mëdhenj apo të vegjël. Ekziston një energji disi e ashpër, pothuajse një kërcënim.
Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por edhe për popujt e tjerë ballkanikë, gjë që e bën shumë të vështirë zgjedhjen e zgjidhjes përfundimtare që duhet miratuar.
Eugène Destez
* Aurenc Bebja, Francë. ) Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania). https://www.darsiani.com/la-gazette/le-petit-bleu-de-paris-1919-intervista-me-kapitenin-selaudin-blloshmi-ne-paris-ja-cfare-kerkojme-nga-fuqite-e-medha/.