Nga Dr Sadri RAMABAJA, Prishtinë
Doktrina sovjetike e paisur edhe me elementet e doktrinës Gerasimov, nëse nuk çon në fitore më të përshpejtuar, ka rrezik që luftën ta kthejë në një konflikt të stërzgjatur pozicional me pak shanse për fitore. Në këtë rast Putini mund të pësojë goditje të imazhit dhe doktrina në fjalë fiasko deri në shkërmoçje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këto ditë, derisa ofenziva ukrainase për çlirimin e territoreve të okupuara po vazhdon, por pa ndonjë rezultat domethënës, njoftoi për mundësinë e hapjes së negociatave me Rusinë këtë vjeshtë që po vjen, madje si pjesë e një samiti të drejtpërdrejtë të Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas njohësve të zhvillimeve të reja në që të dy frontet: në atë të diplomacisë dhe në betejat e përditshme mes dy ushtrive, siparin e këtij samiti të pritshëm mund ta sinjalizojnë bisedimet e planifikuara të paqes të mbajtura në fillim të gushtit në Arabinë Saudite, pavarësisht se në këto bisedime pala ruse nuk është e ftuar.
Ukraina dhe aleatët e saj nga takimi në Jeddah i këshilltarëve për siguri kombëtare dhe i zyrtarëve të tjerë të lartë nga rreth 40 shtete, prisnin të arrinin ujdi para së gjithash për parimet e përfundimit të luftës, raportoi gazeta “The Guardian”.
Para takimit në Jeddah, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski ka bërë publik gadishmërinë e tij për të hapur portat për negociim për të ardhmen dhe paqen. Por në takimin e organizuar në Jeddah, ku për habinë e Moskës mori pjesë edhe një delegacion kinez në krye të të cilit është emisari i posaçëm për çështje të Euroazisë, Li Hui, u tha qartë se nuk do të ketë paqe derisa Rusia të tërhiqet nga e gjithë Ukraina, përfshirë Krimenë.
Vjeshta është afër, por ka ende kohë për t’u përgatitur për samitin e paqes dhe për të përfshirë shumicën e vendeve të botës — shtoi Zelenski. Ai dhe ekipi i tij, është raportuar, po punojnë me aleatët për të gjetur mbështetje të gjerë politike për një “samit të paqes në vjeshtë” që synon t’i japë fund luftës së gjithanshme të nisur nga Rusia në shkurt 2022.
“Unë pres që biseda të jetë e vështirë, por prapa nesh është e vërteta, prapa nesh është mirësia”- tha të premten vonë Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky dhe emisar i tij në bisedimet e paqes në Arabi Saudite.
Dhjetë pikat e Ukrainës si parakusht për paqe
Me takimin e paqes në Jeddah, Arabia Saudite, Ukraina dhe aleatët e saj në fakt po përgatisin diplomacinë e vendeve mbështetëse për kushtet për paqë të vendosura nga Ukraina në dhjetë pikat e njohura që ka përcaktuar Presidenti Zelensky për negociatat e mundshme me Rusinë.
Le të kujtojmë se nga fundi i vitit të kaluar, pasi Ukraina kishte pranuar ndihma të mëdha ushtarake dhe financiare nga Perëndimi dhe arritjes së sukseseve domethënëse në fushën e betejës, Kievi, kishte formuluar kushtet e tij për negociata të mundshme, të cilat, siç tha Zelensky, bazohen në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e OKB në 10 pika.
Dokumenti përmban këto pika:
1. Vendosja e sigurisë bërthamore në atë mënyrë që ushtria ruse të tërhiqet nga zona e termocentralit bërthamor Zaporizhia;
2. Sigurimi i eksportit të drithërave të Ukrainës;
3. Vendosja e sigurisë energjetike duke vazhduar kufizimin e çmimeve të produkteve ruse të energjisë;
4. Ndalimi i sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe krijimi i kushteve për mbrojtjen e saj;
5. Lirimin e të gjithë të burgosurve për çdo arsye që janë në duart e Rusisë dhe kthimin e fëmijëve të marrë nga territoret e pushtuara.
Përveç këtyre, Ukraina ka vendosur kushte që nuk mund të jenë objekt negociatash, konkretisht:
6. Kthimin e të gjitha territoreve të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe të gjithë rajonin e Donbasit;
7. Tërheqjen e trupave ruse nga territori ukrainas në tërësi dhe ndërprerjen e armiqësive së bashku me rivendosjen e kontrollit ukrainas mbi të gjithë kufijtë e Ukrainës me Rusinë;
8. Gjykimi i kriminelëve të luftës dhe krijimi i një gjykate speciale për ndjekjen penale të krimeve të luftës ruse;
9. Parandalimi i ekocidit dhe mbrojtja e mjedisit me fokus në çminimin dhe restaurimin e impianteve të trajtimit të ujit;
10. Parandalimi i rikthimit në konflikt dhe ndërtimi i një strukture sigurie euroatlantike që përfshin garanci për Ukrainën.
Ndërkaq parakushti përmbyllës për këtë marrëveshje të paqes, sipas Ukrainës në fund vije: Krijimi i një dokumenti me shkrim që konfirmon përfundimin e luftës që do të nënshkruhet nga të gjitha palët.
Doktrina amerikane përballë asaj ruse në terrenin e luftës
Administrata e presidentit amerikan J.Biden-it me kohë ka adoptuar politikën e dërgimit të armëve të avancuara me vlerë marramendëse dollarësh në Ukrainë, me idenë dhe bindjen se kështu do t’ia arrijnë ta dobësojnë Rusinë dhe me shpresën e një fitoreje të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka qenë gjithmonë një luftë ndërmjetëse midis NATO-s dhe Rusisë, megjithëse po zhvillohet në tokën ukrainase, dhe megjithëse përfshin vuajtje të mëdha për popullin ukrainas. Lufta po bëhet gjithnjë e më shumë një konfrontim i drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të dyja fuqi të armatosura bërthamore.[1]
Por duket se në përballje mes dy doktrinave ka diçka që nuk ka funksionuar.
Ish-analisti i CIA-së, Ray McGovern në një intervistë për media [2] pohon se për rrjedhat e luftës në Ukrainë presidenti Biden është keq-informuar për luftën. Sipas tij Rusia nuk është duke humbur, duke rikujtuar me këtë rast një deklaratë të Medvedevit, tek pohonte se “Rusia nuk do të humbas asesi”, pasi nëse ne humbasim, atëherë do përdorim armët nukleare.
McGovern po ashtu në këtë intervistë, rrëfen se si strategjia ruse është duke arritur objektivat e saj deri në Dnjepër.
Si kundërpërgjigje Ukraina po dërgon valë të vogla forcash speciale përtej lumit Dnieper për operacione të vogla. Këto sulme kanë qenë mjaft të suksesshme, edhe për faktin se rusët kanë zhvendosur fokusin e tyre në lindje. Ky ndryshim në strategjinë ruse është një përpjekje për të tërhequr forcat ukrainase dhe vëmendjen nga pikat e nxehta si Zaporizhzhia.
Gjëja kryesore këtu është se Ukraina nuk duhet domosdoshmërisht të godasë të gjitha mbrojtjen e Rusisë.
Të njetat ndeshtrasha, në mos edhe më të rënda po pëson edhe doktrina ruse.
Me gjithë sforcimin e madhë të gjeneralëve rus, është fakt se forcat ruse deri më tani nuk kanë arritur të marrin kontrollin e plotë mbi asnjë nga katër rajonet e Ukrainës — Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhia — të cilat Putin i ka shpallur si ato tashmë i janë aneksuar Rusisë. Rusia as pas tetëmbëdhjetë muajve luftë nuk arriti të realizojë asnjë nga synimet e përcaktuara strategjike. Shih për këtë, mund të supozohet në mënyrë të arsyeshme se, strategjia ruse për të tërhequr Ukrainën në një betejë të madhe vendimtare, në të cilën forcat ukrainase do të shterreshin, dhe më pas Rusia do të niste veprimet e saj sulmuese — ka pak shanse për sukses, [3] konkludon analisti i portalit kroat Geopolitika news. Sipas gjithçkaje që shihet, Ukraina thjesht nuk bie në grackën e ngritur, që i ngjet asaj që ushtria sovjetike kishte ngritur në betejën e madhe të Kurskut.
Në këtëo rrethana presidenti rus Putin ka paralajmruar me gjuhën e stilin e tij të njohur të ashpërsisë se, nëse ekzistenca e Rusisë si komb kërcënohet, qeveria e tij nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore.
Një luftë bërthamore në shkallë të plotë me armë termonukleare do të zhdukte qytetërimin siç e njohim ne, së bashku me pjesën më të madhe të biosferës.
Ky është rreziku ekzistencial i njerëzimit. Prandaj përgjegjësia politike dhe morale për rrjedhën e lufëts, sidomos përgjejgësia e SHBA-ve, sa vije e rritet. Paqia rrjedhimisht bëhet e pashmangshme, qoftë edhe me kosto të lartë për Ukrainën!
Rusia i kishte hedhur poshtë kategorikisht kushtet e parashtruara nga Ukraina, duke konsideruar se ato “injorojnë situatën faktike në terren dhe nuk mund të jenë bazë për asnjë negociatë”. Rusia, me fjalë të tjera, vendos kushtet e saj për negociata bazuar në njohjen e pushtimeve ruse ose, siç do të thoshte Moska, në “situatën faktike ekzistuese në terren”. Sipas Kremlinit, kjo do të thotë se kushtet për negociatat me Ukrainën janë në fakt pranimi i aneksimit rus të Krimesë dhe aneksimi i rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson në Rusi. Përveç kësaj, rusët kërkojnë “pranimin e një statusi neutral gjeopolitik nga Ukraina, një ndryshim në kushtetutën e Ukrainës që do të përfshinte një dispozitë për refuzimin e vendosjes së trupave dhe armëve të NATO-s në territorin e saj, njohjen e Krimesë, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia si territore ruse, çmilitarizimin e Ukrainës dhe “denazifikimin” tok me “shkombëtarizimin” e saj. Bëhet fjalë, natyrisht, për kushte krejtësisht të papranueshme që janë kundër jo vetëm interesave themelore të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar, por edhe kundër sensit të shëndoshë.[4]
Ofensiva ukrainase që është duke u zhvilluar me intenzitet të prajshëm, megjithaët, së shpejti, do të kulmojë me të arriturat e pritshme, sidomos pas paisjes së armaëts me aviacionin luftarak përkatës që do të përballonte atë rus. Tek atëherë do të jetë e qartë se sa territor është çliruar dhe sa imponuese do të jetë armata ukrainase në rezultatet e pritshme diplomatike. Ekspertët ushtarak pohojnë se Ukraina ka ende mjaftueshëm kohë, të paktën deri në fund të këtij viti, nëse jo deri në pranverën e ardhshme, për t’u dëshmuar në terrenin e luftimeve. Nga ana tjetër, Rusia po përpiqet të mbajë në duart e saj atë pjesë të territorit ukrainas që ka fituar deri tani.
Shenjtëria e jetës
Në vitin 1985, Mjekët Ndërkombëtarë për Parandalimin e Luftës Bërthamore morën Çmimin Nobel për Paqen. IPPNW ishte themeluar në vitin 1980 nga gjashtë mjekë, tre nga Bashkimi Sovjetik dhe tre nga Shtetet e Bashkuara. Sot, organizata ka një anëtarësim të gjerë në mesin e mjekëve të botës. Profesori Bernard Lowen i Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, një nga themeluesit e IPPNW, tha në një fjalim të fundit:
“…Asnjë rrezik për shëndetin publik me të cilin është përballur ndonjëherë njerëzimi nuk është i barabartë me kërcënimin e luftës bërthamore. Asnjëherë më parë njeriu nuk ka pasur burime shkatërruese për ta bërë këtë planet të pabanueshëm… Mjekësia moderne nuk ka asgjë për të ofruar, madje as një përfitim simbolik, në rast të luftës bërthamore…
“Ne jemi vetëm pasagjerë kalimtarë në këtë planet Tokë. Nuk na përket neve. Ne nuk jemi të lirë të dënojmë breza ende të palindur. Ne nuk jemi të lirë të fshijmë të kaluarën e njerëzimit ose të zbehim të ardhmen e tij. Sistemet shoqërore nuk qëndrojnë përgjithmonë. Vetëm jeta mund të pretendojë për vazhdimësi të pandërprerë. Kjo vazhdimësi është e shenjtë.”[5]
Por në qendrat perendimore tashmë kanë filluar të artikulohen edhe qëndrime që janë në përputhje me këtë frymë gjykimi. Kreu i zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stian Jensen, tha të martën, më 15 gusht, se Ukraina mund të bashkohet me NATO-n nëse pranon të lëshojë territore që refuzon t’i njohë si pjesë e Rusisë. Lajmi është publikuar nga media norvegjeze Verdens Gang dhe raportohet nga agjencia ruse TASS. Lajmin e raportoi sot edhe TV ukrainas “Resident”.
“Unë mendoj se mund të jetë një zgjidhje që Ukraina të heqë dorë nga territori dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO. Në të njëjtën kohë, Ukraina duhet të vendosë vetë se kur dhe në çfarë kushtesh dëshiron të negociojë”, tha Stian Jensen.
I pyetur nëse mendon se Ukraina duhet të heqë territoret e saj për të arritur paqen me Rusinë dhe për t’u bashkuar me NATO-n, Jensen tha se statusi i Ukrainës i pasluftës tashmë është duke u negociuar dhe se tashmë është ngritur çështja e dhënies së territorit Rusisë. “Nuk po them se duhet të ndodhë. Por kjo mund të jetë një zgjidhje e mundshme”, tha një zyrtar i lartë i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Administrata amerikane ka mohuar raportet për diskutime mbi mundësinë e përfshirjes së Ukrainës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nëse Kievi zyrtar pranon të lëshojë territore që refuzon t’i njohë si pjesë e Rusisë – tha koordinatori i komunikimeve strategjike të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, në një konferencë mediatike për gazetarët e huaj.
“Kjo është e gabuar. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Kirby, duke iu përgjigjur një kërkese për të konfirmuar informacionin rreth diskutimit mbi një mundësi të tillë për përfshirjen e Ukrainës në aleancën e NATO-s.
Sipas John Kirby, Uashingtoni “ka folur tashmë për përpjekjen për të ndihmuar Ukrainën të përcaktojë një rrugë drejt anëtarësimit.”[6]
Doktrina ruse është e bazuar në atë sovjetike dhe përgjithësisht ajo cilësohet si doktrinë mbrojtëse. Ekspertët ushtarak vlerësojnë se qëllimi kryesor i mbrojtjes ruse të stilit sovjetik është të dobësojë forcën sulmuese të kundërshtarit, duke kryer një mbrojtje aktive, të lëvizshme dhe fleksibël, dhe në momentin që sulmuesi arrin një nivel kritik të rraskapitjes dhe dobësisë, ata, pra rusët, planifikojnë të nisin një kundërsulm. Pala ukrainase duke qenë edhe vetë për kohë të gjatë planifikuese dhe ekzekutuese e kësaj doktrine, në kundërofenzivën aktuale ka bërë çmos që të mos bie në një kurth të tillë dhe të mos i lejojë kundërshtarit mundësinë e një kundërsulmi me një aksion ofensiv gradual. Prandaj, kundërofenziva ukrainase është karakterizuar me përparim të prajshëm, por që i garanton edhe ruajtje të forcave të veta për luftë afatgjatë.
Në vijim të betejës, nëse Rusia nuk do të jetë në gjendje të krijojë një forcë sulmuese që do të pushtonte qytetet e mëdha ose të paktën të përfundonte pushtimin e plotë të Donbasit, ky fakt do ta sillte Putinin në një situatë alarmante. Doktrina sovjetike e paisur edhe me elementet e doktrinës Gerasimov, e miratuar nga Putini, nëse nuk çon në fitore më të përshpejtuar, ka rrezik që luftën ta kthejë në një konflikt të stërzgjatur pozicional me pak shanse për fitore. Në këtë rast Putini mund të pësojë goditje të imazhit dhe doktrina në fjalë fiasko deri në shkërmoçje.
Gjeneral Jankoviq, përgjegjësi kryesor i Masakrës së Lumës, emrin e të cilit sa ishim nën pushtimin serb e mbante Hani i Elezit
Rikthimi i mundshëm i Serbisë në shtratin e saj real
Lufta në Ukrainë do të duhej shfrytëzuar si leksion edhe nga ana e Serbisë.
Ajo po tregon se shumë gjëra që konsideroheshin të pamundura, ndërkohë janë bërë e po bëhen të mundshme. Rezistenca ukrainase dëshmoi se, kur populli e don Atdheun e lirinë, ai është në gjendje të bëj çmos që t’i ruaj.
Kushti serb për negociatat me Prishtinë është praktikisht kapitullimi i Kosovës dhe pajtimi me opsionin serb që nënkupton rikthim tek Marrëveshja e prillit të vitit 2013, që për shumëçka na kujton marrëveshjen e fshehtë Zogu — Pashiq të gushtit 1924. Ky opsion do të shpjente tek shpërbërja e Republikës së Kosovës. Ndërkaq pala kosovare me të drejtë pret që Beogradi të ndërgjegjësohet dhe të njoh realitetin politik të krijuar tashmë me pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë se kushtet reale të Kosoëvs dhe Serbisë për çdo negociatë, qoftë edhe për atë që ka të bëjë me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, ndryshojnë plotësisht dhe nuk mund të ofrojnë pritshmëri që në të vërtetë do të ndodhin ndonjë negociatë serioze, për aq kohë sa vazhdon lufta në Ukrainë dhe Perendimi vazhdon ta përkëdhelë Beogadin.
Por, meqë lufta ukraino-ruse gjithnjë e më shumë po merrë karakteret e një konflikti të ngrirë, një konflikti që asnjëra palë nuk mund ta fitojë, ka tendenca që si të tillë, pra si konflikt të ngrirë dhe rrjedhimisht zonë e interesit jetik serb, Beogradi ta promovojë edhe veriun e Kosovës. Ushtrimi enorm i presionit ndaj tre policëve të komunitetit serb, respektivisht familjeve të tyre, me kushtin që ata ta lëshojnë Institucionin e Policisë, pa mbaruar tre muaj të suhtrimit të profesionit, është një sinjal i qartë për këtë objektiv të Beogradit për veiun e Kosovës.
Sjelljet e Brukselit në raport me Kosovën, sidomos aplikimi I masave shtrënguese disproporcionale, flet qartë se kemi të bëjmë me pozicionimin më të fuqishëm të lobit serb brenda Brukselit, por edhe për faktin se duket që të gjithë lojtarët po lodhen nga procesi I stërzgjatur I dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo përfshin edhe SHBA-të, ku zgjedhjet e vitit 2024 do të kenë një ndikim të madh në qasjen e SHBA-ve jo vetëm ndaj luftës në Ukrainë, por edhe ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Veprimet taktiko-strategjike të kryera nga Prishtina gjatë këtyre dy viteve të fundit në veri të Republikës, tashmë kanë rezultuar me efekte të prekshme në rrafshin e shtrirjes së sovranitetit edhe në veri. Ky akt gëzon mbështetjen e gjerë të kombit shqiptar. Por jo vetëm. Javën që lamë pas, politikanë të rëndësishëm të komiteteve për politikë të jashtme të parlamenteve nga vende të ndryshme perëndimore dhe deputetë të blloqeve të ndryshme politike, i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj Serbisë në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të kenë qasje më të ekuilibruar sa i përket rasteve si ai i joproporcionalitetit të masave që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns në një postim të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, tha se është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen bashkë për të ngritur shqetësimet e tyre. “10 Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe 56 parlamentarë i kanë bërë thirrje ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojnë qasjen në drejtim të Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.
Kjo mbështetje politike që vie nga një lagje shtetesh perendimore, në të ardhmen e afërt, mud të zgjerohet e të jetë edhe më efektive.
Por nëse lufta në Ukrainë ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të mëdha për rajonin dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky konflikt ka shtrirë ndikimin e tij të thellë edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon i cili ka përjetuar vetëm në dekadën e fundit të shek. 20-të katër luftra të shkaktuara nga Serbia dhe ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike.
Le të shqyrtojmë disa leksione që Serbia dhe Ballkani Perëndimor, pse jo edhe BE-a, mund të nxjerrin nga ky konflikt:
Diplomacia dhe dialogu: Lufta në Ukrainë tregon se mungesa e diplomacisë dhe dialogut mund të çojë në eskalim të konflikteve.
Rol i ndërmjetësuesve edhe në rastin e Kosovës është dëshmuar se ka peshë kruciale. Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndikuar nga ndërmjetësues të ndryshëm dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë. Një harmonizim i qëndrimeve të ndërmjetësuesve dhe një qasje e përbashkët ndërkombëtare mund të ndihmojnë në përparimin e marrëveshjeve.
Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet të promovojnë mënyra të dialogut dhe negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale.
Ndërkaq zvarritja e dialogut, si në rastin mes Kosovës dhe Serbisë, krijon parakushte për paragjykime ogurzeza dhe shestime irreale për rikthim të Serbisë në Kosovë ose aneksimin e veriut të saj, rrjedhimisht prodhon luftën e re shqiptaro-serbe. Pasojat kësaj radhe mund të jenë katastrofale për të dy palët.
Stabiliteti ekonomik dhe politik: Investimi vetëm në ruajtjen e stabilitetit, siç rezulton se ka vepruar BE-ja në Kosovë dhe Serbi, duke koketuar me diktatorë e kriminel, nuk është investimi i duhur për demokraci dhe prosperim. Konfliktet dhe tensionet mund të shkaktojnë jo vetëm humbje njerëzore dhe materiale, por gjithashtu ndikojnë në stabilitetin ekonomik dhe politik. Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet të vazhdojnë të punojnë për të ndërtuar një mjedis të favorshëm për zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik. Ky kurs nuk mund të ndiqet duke vazhdiar të trajtohet Serbia tutje si palë e përkdhelur.
Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial: Ndërkombëtarisht, është thelbësore që të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve. Prandaj në procesin e dialogut tutje mes Kosovës dhe Serbisë në qendër të tij duhet të rikthehet sërish domosdoshmëria e njohjes së Kosoëvs nga ana e Serbisë. Ky është një leksion që Ballkani Perëndimor dhe Europa duhet ta mbajnë parasysh për të parandaluar konflikte të ngjashme dhe për të promovuar paqen.
Trajtimi korrekt i minoriteteve: Konfliktet mund të përkeqësohen dhe përhapen nga mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve. Serbia para së gjithash duhet të detyrohet t’i trajtojë minoritetet brenda kufijve të saj shtetëror, ngjashëm siç gëzon minoriteti serb të drejta në ish republikat Jugosllave tani sovrane, e me theks siç gëzon të drejta minoriteti serb në Kosovë. Vetëm kështu mund të parandalohen tensionet që Serbia I nxitë gjithandej në Ballkanin Perendimor.
Roli i organizatave ndërkombëtare: Ndërkohë që Ballkani Perëndimor përpiqet të integrohet në strukturat europiane, është e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare të kenë një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Për këtë objektiv këto organizata duhet të ushtrojnë trysni reale ndaj Serbisë.
Mësimet nga tranzicioni demokratik: Shumë vende në Ballkanin Perëndimor po përjetojnë procese tranzicioni drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Kosova prinë në këtë proces. Serbia ka promovuar një lloj autoritarizmi diktatorial që për model ka pikërisht Rusinë e Putinit. Keqpërdorimi i minoritetit rus në Ukrainë nga pala ruse, mund të shërbejnë si leksion i keq për Serbinë, respektivisht si alarm i lloit të vetë për BE-në, që ndërlidhet me sfidat dhe rreziqet që mund të paraqiten në këtë rrugëtim të rajonit drejt BE-së.
Nëse Serbia përmes enklavave serbe, sidomos asaj në veriun e Kosovës, pretendon ta krijojë një bazë politike, që nesër do t’i krijonte mundësitë reale për rikthimin e ushtrisë dhe aktiviteteve luftarake, atëherë duket se ajo nuk ka nxënë asgjë nga leksioni i Ukrainës.
Paragjykimi se rikthimi tek opsionet ushtarake, siç preferon një gjakprishur gjeneral me emrin Luka Kastratoviç, i cili madje preferon “operacionin special ushtarak”, shembëllim atij të Putinit në Donbas, sipas të cilit, është parakushti i vetëm që garanton rikthimin e Kosovës, respektivisht të veriut të saj kaq shumë të gjakuar, është iluzion i lloit të vet. Në fakt një hap I tillë do ët ishte aventura më e madhe politiko-ushtarake e Serbisë gjaët gjithë egzistencës së saj si shtet modern. Ndërkaq insistimi për “Anschllosin” e Republikës Serbska tok me penetrimin e thellë brenda Malit të Zi dhe aneksimin e veriut të Kosovës, qoftë edhe përmes një “Bliz Krieg”, me qëllim të krijimit të “Botës Serbe”, mund t’i kthehet në një kundërgoditje strategjike, që do ta shpjente tek rikthimi i Serbisë në Pashallëkun e Beogradit, respektivisht në shtratin e saj real.
Vuçiqi, ashtu si edhe Putini, gjykon se heqja dorë nga politikat ekspansioniste, do ta shpjente atë më shpejtë drejt rënies nga pushteti.
Lufta në Ukrainë ka imponuar konfigurim gjeopolitik edhe në Europën kontinentale e deri buzë Azisë; kjo është faza eksploruese. Ky rikonfigurim gjeopolitik Ballkanin Perendimor si ëtrësi e parasheh të pozicionuar qartë në arkitekturën e re të sigurisë perendimore, ndërkaq brenda BE-së padyshim që synon të imponojë një bosht të ri, procesin e kërkimit të modeleve të reja nga shtetet e pakënaqur me politikën e boshtit egzistues Paris-Berlin, duke krijuar kështu policentrizmin brenda vetë BE-së.
Të gjithë treguesit — ushtarakë, ekonomikë, diplomatikë — thonë se strategjia serbe për zgjerim me çdo çmim, sidomos në jugun e saj, është në shpërputhje me këtë rikonfigurim gjeopolitik, ndërkaq Vuçiqi dhe ekipi i tij në Kalimegdan, është e qartë, nuk mund ta kenë një fund politik të zakonshëm.
_____________________
John Scales Avery: https://www.eurasiareview.com/15082023-ukraine-and-the-danger-of-nuclear-war-oped/
2. https://www.youtube.com/watch?v=SZjCiIXQy38
3. Mario Stefanov: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-mirovni-summit-je-potvrdio-da-ce-rat-trajati-jos-dugo/?utm_source=Onesignal&utm_campaign=Pushnotification
4. Mario Stefanov: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-mirovni-summit-je-potvrdio-da-ce-rat-trajati-jos-dugo/?utm_source=Onesignal&utm_campaign=Pushnotification
5. Dr John Scales Avery: https://www.transcend.org/tms/2023/08/ukraine-and-the-danger-of-nuclear-war-2/
6. https://www.geopolitika.news/vijesti/kirby-o-rijecima-visokog-nato-ovog-duznosnika-o-ustupanju-ukrajinskih-teritorija-rusiji-kao-mogucem-putu-za-clanstvo-u-savezu/